
Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit, mbajti mbledhjen e rregullt me imamët e Komunës së Prizrenit.
Në këtë mbledhje, të cilën e kryesoi kryetari i Këshillit Valon ef. Ibrahimi, administrata e Këshillit të BI-së Prizren raportoi para imamëve për aktivitetet dhe realizimet gjatë vitit 2024.
Kryetari Valon ef. Ibrahimi foli rreth angazhimeve të cilat janë bërë gjatë vitit paraprak, andaj i falënderoi dhe vlerësoi lartë rolin e te gjithë imamëve me punën të cilën janë duke e bërë në vazhdimësi!
Kryeimami, dr. Orhan ef. Bislimaj raportoi rreth aktiviteteve fetare dhe zhvillimit të jetës fetare gjatë këtij viti. Më shumë u ndal rreth funksionimit të mektebit dhe sfidave ku imamët patën rastin që të diskutojnë hapur rreth përvojave të tyre nga terreni.
Sekretari, dr. Faruk ef. Ukallo, raportoi rreth problematikave me të cilat është përballur sekretaria dhe kërkoi diciplinë më të theksuar në zbatimin e vendimeve dhe shkresave të ndryshme.
Imamët, patën rastin që t’u parashtrojnë pyetje zyrtarëve të KBI- së, për çfarëdo çështje apo pa qartësi që kanë mundur të kenë, ashtu që kanë marrë përgjigje nga udhëheqësit e sektorëve.
Po ashtu, imamët diskutuan edhe për shumë çështje dhe problematika të ndryshme, me të cilat përballet bashkësia myslimane në Kosovë.
Pati edhe propozime konkrete për realizim gjatë vitit 2025. Si gjithmonë, frymë vëllazërore dhe vullnet për punë!
Mbledhja u mbajt në sallën e Hotel NAFRON në Prizren!
Zot i Madhërishëm, mos e lë këtë vend pa ulema!