Komentimi i kaptinës “El-Mesed”
بَّتْ يَدَا أَبِي لَهَبٍ وَتَبَّ. مَا أَغْنَى عَنْهُ مَالُهُ وَمَا كَسَبَ. سَيَصْلَى نَارًا ذَاتَ لَهَبٍ. وَامْرَأَتُهُ حَمَّالَةَ الْحَطَبِ. فِي جِيدِهَا حَبْلٌ مِّن مَّسَدٍ
1. “Qoftë i shkatërruar Ebu Lehebi, e ai tashmë është shkatërruar
2. Atij nuk i bëri dobi pasuria e vet, as ajo çka fitoi!
3. Ai do të hudhet në zjarr të ndezur flakë,
4. e edhe gruaja e tij, që bartte thashetheme (fjalë),(thurte intriga)
5. në qafën e saj do të ketë një litar të përdredhur (nga zjarri.”
(El-Mesed, 1-5)
Kaptina “El-Mesed” është kaptinë mekase, e zbritur pas sures “El-Fatiha” dhe para sures “Et-Tekvir”. Ka ka gjithsej 5 ajete, 23 fjalë e 77 shkronja.[1] Në radhitjen e Mus’hafit mban numrin 111, kurse në radhitjen e zbritjes është e 6-ta.[2]
Transmeton Ibn Merduvije nga Ibn Abbasi, nga Ibn Zubejri dhe nga Ajshja r.a. të kenë thënë: ”Ka zbritur kaptina “Tebbet jeda…” në Mekë”.[3]
Emërtimi i kësaj kaptine
Kjo kaptinë është emërtuar “El-Mesed”, sepse në ajetin e pestë të saj përmendet litari i përdredhur-(El Mesed), me të cilin gruaja e Ebu Lehebit, Ummu Xhemil, motra e Ebu Sufjanit do të tërhiqet zvarrë në Xhehennem.
Kjo kaptinë njihet edhe me disa emra të tjerë, si “Tebbet”, fjalë të cilat janë të përmendura qysh në ajetin e parë të kësaj sureje.
Pastaj njihet edhe me emërtimin “Ebi Leheb” dhe me emërtimin tjetër “El-Leheb”
Vlera e kësaj kaptine
Transmetohet nga Aliu r.a.të ketë thënë se i Dërguari i Allahut e falte namazin e Vitrit me nëntë sure. Në rekatin e parë këndonte: (El-Hakumu-t-Tekathur), (Inna enzelnahu fi lejletil kadri) dhe (Idha Zulziletil erdu), në rekatin e dytë këndonte: (Ve-l Asri), (Idha xhae nasrullahi vel fet’h) dhe (Inna a’tajnake-l Kevther) kurse në rekatin e tretë këndonte: (Kul ja ejjuhel kafirun), (Tebbet jeda Ebi Lehebin) dhe (Kul Huvallahu ehad)”[4]
Shkaku i zbritjes së kaptinës
– Transmetohet nga Seid bin Xhubejri e ky nga Ibn Abbasi të ketë thënë: “Kur Allahu xh.sh. zbriti ajetin: “Dhe tërhiqja vërejtjen farefisit tënd më të afërt” (Esh-Shuara’ë, 213), i Dërguari i Allahut u ngjit në bregoren e Safasë dhe filloi t’i thërriste njerëzit që të afroheshin. Disa pyetën: Kush është ky që thërret? “Është Muhammedi”, thanë të tjerët, dhe u afruan për ta dëgjuar. Ata që nuk patën mundësi të shkonin personalisht, dërguan nga një njeri të tyre për të dëgjuar se ç’do t’u thoshte ai. Atëherë Muhammedi a.s. iu drejtua të pranishmëve duke i thirrur emër për emër të gjitha familjet autoritative të Mekës: “O bijtë e Abdu Menafit, o bijtë e Abdul Muttalibit, o bijtë e Fihrit, o bijtë e Luejjit, o bijtë e Galibit, o bijtë e Murres…! Ç’mendoni nëse do t’ju lajmëroja se në luginën e kësaj kodre ka ardhur një kalorësi armike për t’ju sulmuar, a do të më besonit?” “Po, – i thanë të pranishmit, – sepse tek ti kurrë nuk kemi provuar ndonjëherë gënjeshtrën. “Atëherë dijeni pra, unë vërtet po ju paralajmëroj se gjendeni para një dënimi të tmerrshëm (të madh)”. Ndërkohë që turma ende nuk kishte bërë ndonjë koment, u ngrit Ebu Lehebi, axha i Pejgamberit a.s., i cili, duke shkundur shuplakat e duarve, me zë të lartë tha: “Qofsh i shkatërruar, a për këtë na paske mbledhur?!”. Si kundërpërgjigje ndaj këtij mallkimi të Ebu Lehebit, Allahu xh.sh. zbriti: “Qoftë i shkatërruar Ebu Lehebi, e ai tashmë është shkatërruar…” deri në fund të kaptinës.[5]
Lidhmëria e kësaj kaptine me atë paraprake “En-Nasr”
Kjo kaptinë ka një lidhmëri të fuqishme me atë paraprake “En-Nasr” , sepse në suren “En-Nasr” shohim shpërblimin e atij që u bindet urdhërave të Allahut, në këtë rast të Dërguarit të Allahut, me fitore dhe ngadhënjim, kurse në këtë sure – në“El-Mesed” shohim dënimin e tmerrshëm dhe turpërimin që do ta shijojnë pabesimtarët në këtë botë dhe në botën tjetër, në këtë rast Ebu Lehebi, i cili me fyerje të vrazhda, e rëndonte vazhdimisht Muhammedin a.s. gjatë thirrjes së tij.
Koment:
تَبَّتْ يَدَا أَبِي لَهَبٍ وَتَب
1. “Qoftë i shkatërruar Ebu Lehebi, e ai tashmë është shkatërruar
Fjala “Tebbet” në aspektin gjuhësor do të thotë shkatërrim, humbje. Ndërsa në pjesën vijuese të ajetit ku janë cekur “dy duart e Ebu Lehebit”, nuk nënkuptohet e pjesërishmja – duart, por tërësia, do të thotë shkatërrimi i tërë trupit (qenies).
Në kuptimin sipërfaqësor ky ajet do të mund të përkthehej edhe si “Iu thafshin duart Ebu Lehebit e ato tashmë iu kanë tharë”, mirëpo megjithatë versioni më i pranuar nga dijetarët është se fjala “Tebbet” në këtë ajet, vjen në kuptim të shkatërrimit dhe humbjes.
Ajeti i parë i kësaj kaptine fillon me një kërcënim të ashpër ndaj Ebu Lehebit, axhës së Resulullahut s.a.v.s, i cili qëndrimin e tij armiqësor ndaj tij nuk e fshehu për asnjë çast. Emri i vërtetë i këtij armiku të përbetuar të Islamit ishte Abdul Uzza bin Abdul Muttalib. Vetë emri i tij “Rob i Uzzasë”, njërit prej idhujve kryesorë të idhujtarëve arabë, flet më së miri për qëllimet dhe qëndrimet armiqësore që pati ai ndaj Islamit, që nga shfaqja e dritës së tij. Ai assesi të bindej se adhurimi i vetëm një Zoti mund të zëvendësonte adhurimin e mbi 300 idhujve, të cilëve atëbotë u besohej.
Për armiqësinë e tij kaq të madhe ndaj Muhammedit a.s. kemi edhe një transmetim nga Rebiate bin Ubbad, i cili rrëfen e thotë: “Gjatë kohës sa isha i ri, dhe ende idhujtar, dola së bashku me babanë tim në tregun “Dhil Mexhaz” dhe aty e pashë të Dërguarin e Allahut duke thënë: “O ju njerëz! Thoni “La ilahe il-la Allah, që të shpëtoni…”, kurse njerëzit, të grumbulluar pranë tij e dëgjonin. Pas tij qëndronte vazhdimisht një njeri me fytyrë të skuqur, me sy të zgurdulluar e të vëngër, me dy bishtaleca flokësh, i cili pas tij u thoshte njerëzve: “Ky është një renegat gënjeshtar, mos u besoni fjalëve të tij…”. Në çdo vend që shkonte i Dërguari i Allahut, ai njeri e përcillte atë si një hije. Pastaj, vazhdon Rebiate bin Ubbadi, e pyeta babanë tim: Kush është ky njeri që i shkon pas? Axha i tij, Ebu Lehebi – më tha ai”.[6]
Meqenëse Muhammedi a.s. në fillim u ballafaqua me vuajtje të papërshkruara dhe me një indiferentizëm e armiqësi mu nga të afërmit e tij, në radhë të parë nga axha Ebu Lehebi, Allahu xh.sh. e shpalli këtë sure si kundërsulm kundër fushatave të tyre armiqësore. Sejjid Kutbi këtë moment na e përshkruan në mënyrë të lartë stilistike, kur thotë: “në këtë rast, vetë Allahu xh.sh. mori komandimin e betejës, kur zbriti: “Qoftë i shkatërruar Ebu Lehebi, e ai tashmë është shkatërruar.”
Termi në arabishte i përdorur: ”tebbet”-“është shkatërruar”, i cili është përsëritur dy herë, nënkupton së pari apelin (mallkimin), ndërsa në përsëritjen e dytë implikon përmbushjen e atij apeli (mallkimi). Kështu, në një ajet të shkurtër, është realizuar një veprim që lëshon perden mbi skenën e një beteje tashmë të përfunduar. Ajo që më tutje vijon, është vetëm një përshkrim i asaj që ka zënë vend, pas mposhtjes, mundjes dhe mallkimit mbi Ebu Lehebin, sepse atij më nuk i bëri dobi asgjë…[7]
مَا أَغْنَى عَنْهُ مَالُهُ وَمَا كَسَب َ
2. Atij nuk i bëri dobi pasuria e vet, as ajo çka fitoi!
Ebu Lehebi ishte betuar se do ta shkrinte tërë pasurinë e tij vetëm e vetëm që ta luftonte Muhammedin a.s. dhe fenë islame, duke thënë: “Nëse ajo që flet djali i vëllait tim është e vërtetë, atëherë unë do t’i shpëtoj dhe shmangem ndëshkimit në Ditën e Kiametit, me pasurinë dhe me fëmijët e mi”[8]. Por Allahu xh.sh. ia bëri të qartë shumë shpejt këto pozicione duke i bërë me dije se as pasuria, as fitimi e as fëmijët e tij nuk i bëjnë dobi, sepse në këtë botë, disa ditë pas luftës së Bedrit, në të cilën nuk mori fare pjesë, nga frika e vdekjes, ai u godit nga një sëmundje ngjitëse dhe vdekjeprurëse. Thuhet se trupi i tij i vdekur, qëndroi ashtu mbi tokë për tri ditë, derisa filloi të qelbej, dhe djemtë e tij nga frika e ndonjë epidemie, e hodhën trupin e tij si një coftinë në një gropë duke e mbuluar me gurë.[9] Ja, ky pra ishte realizimi i premtimit të Allahut në këtë botë, se Ebu Lehebi do të vdiste i nënçmuar e i poshtëruar, edhe pse kishte pasuri aq të madhe, kurse në botën tjetër Ebu Lehebi do të ndeshet me një dënim shumë të tmerrshëm…
سَيَصْلَى نَارًا ذَاتَ لَهَب
3. Ai do të hudhet në zjarr të ndezur flakë
Ky është dënimi më i merituar për një armik të Islamit. Ai në lëkurën e vet do ta shijojë dhembjen e dënimit nga flakët gllabëruese të Xhehennemit, sepse i shkaktoi dhembje shpirtërore e fizike të Dërguarit të Allahut, madje duke e fyer dhe nënçmuar se ishte jetim, ishte rritur në shtëpitë e të tjerëve, ishte njeri pa krahë, d.t.th. pa vëllezër apo djem, etj.
وَامْرَأَتُهُ حَمَّالَةَ الْحَطَب
4. e edhe gruaja e tij, ajo që bartte dru (ferra),
Në këtë armiqësi, Ebu Lehebi nuk ishte i vetëm. Atë e ndihmonte në çdo aspekt edhe gruaja e tij, Ummi Xhemil, emri i së cilës ishte Erva bintu Harb. Ajo rridhte prej një familjeje aristokrate të Mekës dhe ishte motra e Ebu Sufjanit, prijësit të atëhershëm të kurejshëve. As ajo kurrsesi të pajtohej me faktin se Muhammedi a.s. ishte ngritur kundër besimit të tyre pagan, dhe dëshironte t’i barazonte robërit e të varfërit me klasën e lartë sunduese.
Në këtë ajet hasim në një metaforë të fuqishme kuranore, kur për bartjen e thashethemeve (fjalëve) Allahu xh.sh. ka përdorur termin (hammaletel hatabi-bartëse e druve-ferrave). Figurativisht kjo do të thotë se ashtu siç e ndezin drutë zjarrin, ashtu edhe shpifjet dhe fjalët e saj të helmatisura ndiznin dhe digjnin zemrat e njerëzve, me fjalë të paqena, me shpifje dhe me intriga, kundër Islamit dhe kundër Muhammedit a.s.
Ky ajet nëse përkthehet fjalë për fjalë, do të dilte se gruaja e Ebu Lehebit, bartte ferra-dru, të cilat natën i vënte nëpër rrugët nga kalonte i Dërguari i Allahut. Ky është mendimi i Ebu Suudit dhe i disa të tjerëve, megjithëse shumica dërmuese e komentatorëve janë të mendimit se këtu qëllimi nuk është bartja e ferrave-druve, por bartja e thashethemeve dhe shpifjeve. Këtë mendim fuqishëm e përkrahin shumë prej komentatorëve të Kur’anit si Ibn Abbasi, Muxhahidi, Katadeja, Suddiu,[10] Muhamed Abduhu[11], etj, duke thënë se Ummi Xhemil ishte një grua aristokrate, e rrethuar e tëra nga një luks i paparë, prandaj është vështirë të besohet se ajo mund të ketë rënë në një nivel të tillë denigrues për të, d.t.th. që vetë të bartte ferra e dru për ta penguar Muhamedin a.s., kur këtë gjë me urdhrin e saj mund ta bënëin robërit-shërbëtorët që i kishte të shumtë. Megjithatë, kuptimin e vërtetë të kësaj metafore kuranore, më së miri e di Allahu xh.sh..
Transmetojnë Ibn Ebi Hatimi dhe Ebu Zer’ah nga Esma bint Ebi Bekr të ketë thënë: “Pas zbritjes së kësaj sureje, në të cilën flitej për Ebu Lehebin dhe gruan e tij, Ummu Xhemil ishte tërbuar e tëra nga ky nënçmim, dhe me nxitim kishte shkuar në oborrin e Qabesë për ta takuar Muhammedin a.s. dhe për ta sulmuar me gurë. Kur kishte arritur tek Qabeja, aty qëndronte Muhammedi a.s me Ebu Bekrin. Në atë çast nga frika e ndonjë të papriture, Ebu Bekri, i tha të Dërguarit të Allahut: “Kam frikë se ajo do të të shohë”, por Muhammedi a.s. së shpejti e qetësoi atë duke e siguruar: “Ajo nuk do të më shohë”, dhe ndërkohë lexoi disa ajete kuranore me të cilat u mbrojt nga dëmi i saj, ashtu siç thotë Allahu xh.sh. në Kur’an: “Kur ti e lexon Kur’anin, në mes teje dhe atyre që nuk besojnë botën tjetër, Ne vëmë një perde të padukshme.” (El-Isra’ë, 45), dhe vërtet Allahu ia mori shikimin e saj ndaj tij, dhe nuk e pa, kështu që iu drejtua Ebu Bekrit me këto fjalë: “Më kanë njoftuar se shoku yt më ka ofenduar dhe përqeshur”. “Jo, – iu përgjigj Ebu Bekri, “Pasha Zotin e kësaj Shtëpie, ai nuk të ka ofenduar”. (Betimi i Ebu Bekrit ishte me vend, sepse kjo nuk ishte kurrfarë fyerjeje, por realiteti ). Pas këtyre fjalëve, ajo iku e tërbuar duke thënë: “Të gjithë kurejshët e dinë se unë jam bija e zotërisë së tyre!” [12]
فِي جِيدِهَا حَبْلٌ مِنْ مَسَد
5. në qafën e saj do të ketë një litar të përdredhur (nga zjarri).”
Dënimi dhe nënçmimi më turpërues i saj nesër në Ahiret, është ai që rreth qafës do ta ketë të lidhur një litar, me të cilin do të tërhiqet zvarrë në flakën gllabëruese të Xhehennemit, i cili përpin çdo gjë.
Seid bin Musejjeb ka thënë: “Ummi Xhemil kishte rreth qafës së saj një gjerdan të çmueshëm dhe haptazi ishte betuar në “Latin dhe Uzzanë”, se atë do ta shkrinte në armiqësinë kundër Muhammedit a.s., kështu që Allahu xh. sh. atë gjerdan të artë do t’ia zëvendësojë me një litar të përdredhur nga flaka e Xhehennemit, në ditën e Llogarisë përfundimtare.”
Këndvështrimi i kësaj sureje nga aspekti akaidologjik
Nëse i bëjmë një vështrim të shkurtër kësaj sureje nga këndi i akaidit, do të shohim se këtu kemi të bëjmë me një mrekulli të vërtetë kuranore, me një lajm-njoftim të saktë për të ardhmen, të cilën e di vetëm Zoti i Madhërishëm.
Fjala është për besimin-imanin e mundshëm të Ebu Lehebit, pasiqë më parë pamë se Allahu xh. sh. për të ka thënë: “Qoftë i shkatërruar Ebi Lehebi, e ai më është shkatërruar…”.
Në kohën e zbritjes së kësaj sureje, shumica e parisë mekase, ndër ta edhe Ebu Lehebi, ishin pabesimtarë, por më vonë shumë prej tyre Allahu xh.sh. i udhëzoi, ua hapi zemrat e tyre dhe ata e përqafuan Islamin, si Ebu Sufjani, Halid ibn Velidi, Ikreme ibn Ebi Xhehli e shumë të tjerë. Logjikisht, nuk përjashtohet mundësia që edhe Ebu Lehebi të ishte në mesin e këtyre të udhëzuarve në Islam, mirëpo kjo nuk ndodhi, sepse Kur’ani decidivisht thotë se Ebu Lehebi do të vdesë si qafir-pabesimtar.
A thua ç’do të ndodhte sikur Ebu Lehebi të shkonte në vendtubimin e parisë mekase e t’u thoshte: ”Muhammedi ka thënë për mua në Kur’an, për të cilin pohon se i zbritka nga qielli, se do të vdes si pabesimtar dhe se do të hyj në zjarr, së bashku me gruan time, mirëpo, ja, unë po dëshmoj këtu para jush: “Nuk ka zot tjetër pos Allahut dhe Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij”, në mënyrë që ju të gjithë të bindeni se këto fjalë të tij janë të pavërteta, dhe se Muhammedit nuk i zbret kurrfarë shpalljeje nga qielli!!!”
A thua vërtet çfarë do të ndodhte?!
Po ta kishte shqiptuar Ebu Lehebi fjalën e dëshmisë – “Shehadetin”, qoftë edhe sa për sy e faqe apo nga dyfytyrësia, çështja e besimit do të shkatërrohej me themel. Mirëpo, as kjo mundësi veprimi në favor të çështjes së kufrit-pabesimit apo të paktën edhe shqiptimi formal i fjalës së dëshmmisë nga goja e Ebu Lehebit, atij nuk i shkonte ndër mend, e lëre më t’i shqiptonte.
A nuk është ky një argument i mjaftueshëm për të na treguar se ajo që paralajmëron Allahu, patjetër duhet të ndodhë. A ekziston provokim më i madh se ky, që Allahu t’ia lërë në dorë armikut më të madh të Islamit, me mundësi zgjedhjeje, një çështje kaq të ndjeshme, me të cilën mund të dëmtohej-shkatërrohej kjo fe, por të cilën mundësi Ebu Lehebi nuk e shfrytëzoi.
A nuk është ky argument i bollshëm që të kuptojmë se atë që e përcakton Allahu, qoftë edhe në sferën e “gajbit” – “së fshehtës”, ajo patjetër duhet të realizohet.[13]
Porosia e kësaj sureje:
– Ndalohet rreptësisht t’i bësh keq dikujt, ta mundosh dikë apo ta fyesh pa të drejtë.
– Në tri ajetet e para, ku flitet për Ebu Lehebin, shohim se ato përmbajnë lajme të fshehta nga tri aspekte:
1. Njoftimi për shkatërrimin e tij në këtë botë, gjë që kishte ndodhur vërtet.
2. Njoftimi se Ebu Lehebit nuk do t’i bënin dobi as pasuria e as fëmijët e tij, dhe se nuk do të kënaqej më atë pasuri, gjë që edhe ndodhi.
3. Njoftimi për të se Ebu Lehebi do të jetë prej banorëve të Zjarrit, gjë që faktikisht edhe ndodhi, sepse ai vdiq si pabesimtar.
– Ndalohet rreptësisht të shpifurit e fjalëve të paqena ndaj dikujt apo bartja e fjalëve me të cilat lëndohen ndenjat e njerëzve, sepse kjo i gjason zjarrit që ndizet nga drutë.
– Pasuria e as fëmijët nuk do ta shpëtojnë askënd nga dënimi i Allahut xh.sh., nëse puna e atij njeriu është në kundërshtim me dispozitat e Tij.
– Ai që zgjedh qëndrimin armiqësor ndaj Islamit, do të jetë i nënçmuar, i turpëruar, i zhgënjyer dhe fatkeq, si në këtë botë, ashtu edhe në atë të Amshimit.
– Të lejuarit e duasë-mallkimit kundër atyre që luftojnë fenë e Allahut dhe e pengojnë Thirrjen islame.
[1] Muhamedinilemin bin Abdullah el Arumijj esh-Shafi’ijj – “Hadaiku-r-rrevhi ve-r-rrejhani fi revabi ulumi-l-Kur’ani”, vëll. 32, fq. 416, Bejrut-Liban, 2001.
[2] Ibn Ashur Et-Tahriru ve-t-Tenviru vëll XXX fq. 599
[3] Muhammed Esh-Sevkaniu, “Fet’hul Kadiir”, vëll. V, fq. 518.
[4] El-Kitabul Xhami’ë li fedailil Kur’an, fq. 302; Këtë transmetim e kanë përcjellë dhe shënuar si “Sahih”, Imam Ahmedi (1/89); Imam Tahaviu në Sherh meanil athar 1/290; Bezzari 3/82; dhe Ebu Ja’la 1/356. Në lidhje me këtë transmetim, Ibn Haxher el Askelani në veprën e tij Telhisul habir 2/19, thotë se Isnadi i tij është “i mirë”-“hasen”.
[5] El Vahidi en-Nisaburi, “Esbabu-n-Nuzuli”, fq. 262; Këtë transmetim e kanë shënuar në koleksionet e tyre të hadithit të gjithë imamët e mëdhenj të Hadithit si Buhariu, Muslimi, Tirmidhiu, Ibn Maxhe, Maliku etj.
[6] Dr. Vehbete ez-Zuhajli, “Et-Tefsirul Munir”, vëll. XXX, fq. 457
[7] Sejjid Kutb, “Fi Dhilalil Kur’an”, vëll. VI, fq. 4000.
[8] “Muhtesar Tefsir Ibn Kethir”, vëll. III, fq. 690.
[9] Muhammed Ali Sabuni “Safvetu-t-Tefasiir”, pjesa e 20-të, fq. 619.
[10] Ebu Bekër el Xhezairi. “Ejseru-t-Tefasiir”, vëll. V, fq. 627.
[11] Muhammed Abduhu, “Tefsirul Kur’anil Kerim-xhuz’u “Amme”, fq. 200.
[12] Fet’hul Kadiir”, vëll. V, fq. 520
[13] Muhammed Mutevel-li Sha’ravi. “Argumentet lëndore mbi ekzistimin e Zotit”, fq. 84-85, botimi i dytë, Prishtinë 1997; Në lidhje me këtë shih edhe: Muhammed el Gazali. “Nahve tefsirin mevduijjin li suveril Kur’anil Kerim”, fq. 547
Sabri ef. Bajgora