Komentimi i kaptinës “El-Kafirun”
قُلْ يَاأَيُّهَا الْكَافِرُونَ. لا أَعْبُدُ مَا تَعْبُدُون. وَلا أَنْتُمْ عَابِدُونَ مَا أَعْبُد.
وَلا أَنَا عَابِدٌ مَا عَبَدتُّم. وَلا أَنْتُمْ عَابِدُونَ مَا أَعْبُد. لَكُمْ دِينُكُمْ وَلِيَ دِين.
1. “Thuaj:O ju pabesimtarë!
2. Unë nuk adhuroj atë që adhuroni ju!
3. As ju nuk jeni adhurues të Atij që adhuroj unë!
4. Dhe unë kurrë nuk do të jem adhurues i asaj që adhuroni ju!
5. Po as ju nuk do të jeni adhurues të Atij që adhuroj unë!
6. Ju keni fenë tuaj (që i përmbaheni), e unë kam fenë time (Islamin, që i përmbahem)!” – (El-Kafirune, 1-6)
Kaptina “El-Kafirun” është kaptinë mekase, e zbritur pas sures “El-Maun” dhe para sures “El-Fil”. Ka gjithsej 6 ajete, 26 fjalë e 94 shkronja.[1] Në radhitjen e Mus’hafit mban numrin 109, kurse në radhitjen e zbritjes është e 18-ta.[2]
Transmeton Ibn Merduvije nga Ibn Abasi se kjo kaptinë ka zbritur në Mekë. Të këtij mendimi janë edhe Abdullah ibn Mes’udi, Hasen el Basriu dhe Ikrimja.[3]
Emërtimi i kësaj kaptine.
Kjo kaptinë është emërtuar “El-Kafirun”, sepse Allahu xh.sh. e ka urdhëruar të Dërguarin e Tij, Muhamedin a.s., që t’u drejtohej haptazi pabesimtarëve-idhujtarëve me fjalët se ai kurrë nuk kishte adhuruar dhe as që do të adhuronte atë që idhujtarët adhuronin prej idhujve.
Kjo kaptinë nga komentatorët njihet edhe me disa emërtime të tjera: “El-Munabedhetu”, “El-Beraetu” dhe “El-Mukashkashe”.[4]
Vlera e kësaj kaptine
Kaptina “El-Kafirun” ka një vlerë të madhe, sepse vetë i Dërguari i Allahut këtë e ka potencuar në shumë hadithe të tij.
– Transmeton Tirmidhiu nga Enes bin Maliku se i Dërguari i Allahut ka thënë: “… Kaptina el-Kafirun ka vlerën e ¼ së Kur’anit…”[5]
– Transmetojnë Muhammed bin Nasri dhe Taberaniu në “Evsat” nga Ibn Umeri se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Surja (Kul huvallahu ehad) ka vlerën e 1/3 së Kur’anit kurse surja (Kul ja ejjuhel kafirun) ka vlerën e ¼ së Kuranit”.
-Transmetohet nga Nevfel el Eshxheij, se ai kishte shkuar te i Dërguari i Allahut dhe dhe i kishte thënë: O i Dërguar i Allahut më mëso diçka që të them kur të shtrihem në shtrat (për të fjetur), ndërsa Resulullahu s.a.v.s. i kishte thënë: “Kur të shtrihesh për të fjetur këndoje: (Kul ja ejjuhel kafirun), sepse ajo është pastrim (dlirësi) nga idhujtaria”.[6]
– Transmetohet nga Habbabi r.a. se i dërguari i Allahut s.a.v.s. kurrë nuk është shtrirë në shtratin e tij pa e kënduar deri në fund: “Kul ja ejjuhel kafirun”[7]
– Transmeton Tirmidhiu dhe thotë se ky hadith është hasen, të cilin e përcjell nga Enes ibn Maliku të ketë thënë: i Dërguari i Allahut i tha njërit prej ashabëve të tij. A nuk u martove ende o filan? Ai i tha: Jo ende për Zotin o i Dërguari i Allahut? , sepse nuk kam asgjë (prej pasurisë) që të martohem!! Atëherë i Dërguari i Allahut i tha: A nuk e ke (a nuk e di) (Kul huvallahu ehad…), në cka ai i tha: Po, ndërsa Resulullahu s.a.v.s. i tha: Kjo është 1/3 e Kur’anit; A nuk e ke (Idha xhae nasrullahu vel fet’h …), në cka ai i tha: Po, ndërsa Resulullahu s.a.v.s. i tha: Kjo është 1/4 e Kur’anit; A nuk e ke (Kul ja ejjuhel kafirun …), në cka ai i tha: Po, ndërsa Resulullahu s.a.v.s. i tha: Kjo është 1/4 e Kur’anit; A nuk e ke (Idha zulziletil erdu zilzaleha…), në cka ai i tha: Po, ndërsa Resulullahu s.a.v.s. i tha: Kjo është 1/4 e Kur’anit; Pra martohu![8]
– Muslimi në “Sahihun” e tij shënon nga Xhabiri r.a. se Resulullahu s.a.v.s. në dy rekatet e namazit pas tavafit i këndonte (Kul ja ejjuhel kafirun) dhe (Kul huvallahu ehad).[9]
– Po ashtu Muslimi në “Sahihun” e tij transmeton nga Ebu Hurejra se këto dy sure i Dërguari i Allahut i këndonte edhe në namazin (farzin) e sabahut.[10]
Të njëjtin transmetim nga Ibn Umeri e përcjellin edhe Imam Ahmedi, Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibni Maxhe.[11]
– Transmetohet nga Ibn Umeri r.a. të ketë thënë se i Dërguari i Allahut i lexonte në dy rekatet (synet) para (farzit të) sabahut dhe në dy rekatet pas (farzit të) akshamit suret: “Kul ja ejjuhel kafirune” dhe “Kul huvallahu ehad”, njëzet e ca herë, apo mbi dhjetë herë”.[12]
– Në një transmetim tjetër, Imam Amedi sjell edhe një version tjetër të fjalëve të Ibn Umerit teksa thotë: “E kam përcjellë me shikim të dërguarin e Allahut njëzetë e katër apo njëzetë e pesë herë, duke lexuar në dy rekatet (synet) para (farzit të) sabahut dhe në dy rekatet pas (farzit të) akshamit suret: “Kul ja ejjuhel kafirune” dhe “Kul huvallahu ehad” [13]
– Transmeton Hakimi nga Ubejj bin Ka’bi se i Dërguari i Allahut në namazin e vitrit këndonte kaptinat: (Sebbih isme rabbikel a’la), (Kuj ja ejjuhel kafirun) dhe (Kul huvallahu ehad)[14]
– Transmetohet nga Aliu r.a.të ketë thënë se i Dërguari i Allahut e falte namazin e Vitrit me nëntë sure. Në rekatin e parë këndonte: (El-Hakumu-t-Tekathur), (Inna enzelnahu fi lejletil kadri) dhe (Idha Zulziletil erdu), në rekatin e dytë këndonte: (Ve-l Asri), (Idha xhae nasrullahi vel fet’h) dhe (Inna a’tajnake-l Kevther) kurse në rekatin e tretë këndonte: (Kul ja ejjuhel kafirun), (Tebbet jeda Ebi Lehebin) dhe (Kul Huvallahu ehad)”[15]
– Transmetohet nga Aliu r.a. të ketë thënë: Derisa i dërguari i Allahut ishte duke u falur, atë e pickoi një akrep, dhe pasi që e përfundoi namazin tha: “Allahu e mallkoftë akrepin, sepse nuk lë (të qetë) as falësin e namazit e as të tjerët”. Pastaj kërkoi pak ujë dhe kripë, dhe duke e fërkuar vendin e pickimit i këndonte suret: “Kul Ja ejjuhel kafirune”, “Kul eudhu birabbi-l felek” dhe “Kul eudhu birabbi-n-nas”.[16]
Shkaku i zbritjes së kaptinës
Kjo kaptinë ka zbritur në lidhje me një grup të parisë kurejshite, konkretisht për Velid bin Mugiren, As bin Vailin, Esved bin Abdulmuttalibin dhe Umejje bin Halefin, të cilët erdhën tek Resulullahu s.a.v.s dhe i thanë: “O Muhamed, eja të bëjmë një marrëveshje mes nesh. Ti pasoje fenë tonë, e ne do ta pasojmë tënden. Ti do të adhurosh zotat tanë një vit, kurse ne do ta adhurojmë Zotin tënd vitin tjetër. Nëse kjo (fe), me të cilën ke ardhur ti, është më e mirë se ajo (fe) që kemi ne, atëherë do të të bashkohemi dhe do të të pasojmë ty, po, nëse del se feja jonë është më e mirë se jotja, atëherë ti do të na bashkohesh neve dhe do ta pasosh fenë tonë. Atëherë i Dërguari i Allahut u tha: “Ruajna Zot, kërkoj mbrojtje prej Tij që të mos i bëj shoq Atij”, pas të cilave fjalë zbriti kjo kaptinë: (Kul ja ejjuhel kafirun). Të nesërmen i Dërguari i Allahut shkoi në Qabe, ku ishin të pranishëm tërë paria e kurejshëve dhe ua lexoi këtë kaptinë në tërësi, kështu që ata humbën shpresat për ndonjë marrëveshje ose kompromis.”[17]
Në lidhje me këtë distancim të Resulullahut ndaj propozimit të tyre, na flet edhe një ajet tjetër kuranor, i zbritur mu pas kësaj ndodhie dhe pas kësaj sureje: “Thuaj: O ju injorantë, a mos vallë më thirrni të adhuroj tjetër, në vend të Allahut?” (Ez-Zumer 64)
Lidhmëria e kësaj kaptine me atë paraprake “El-Kevther”
Lidhmëria e kësaj kaptine me atë paraprake “El-Kevther”, është e fuqishme për faktin se, në suren paraprake, Allahu xh.sh. e urdhëroi të Dërguarin e Vet që namazin dhe flijimin ta bënte vetëm për Zotin, meqenëse i kishte dhënë atij shumë të mira në këtë botë, po edhe nderim të lartë në Ahiret, kurse në këtë kaptinë tash urdhërohet drejtpërdrejt nga i Lartmadhërishmi që pabesimtarëve t’ua thotë haptazi se ai (Muhamedi) nuk ka qenë, nuk është dhe as që do të jetë ndonjëherë adhurues i idhujve që adhuronin ata, po as ata nuk kanë qenë, nuk janë dhe as që do të jenë ndonjëherë adhurues të Atij që adhuron ai. Do të thotë, është një distancim i hapur nga ai besim i gabuar i kurejshëve, të cilët fenë e pastër të Ibrahimit a.s. e kishin shndërruar në fe pagane.
Kjo kaptinë, sipas Rraziut, ka edhe një lidhmëri tjetër interesante; ai thotë: “Në fillim të paraqitjes së Islamit, kërkohej një lloj kujdesi që të mos nxitej ndonjë konflikt me idhujtarët, por pasi që Allahu xh.sh. forcoi të Dërguarin e Vet me suren “El-Kevther”, sidomos me ajetet: “Inna a’ëtajnakel kevther” dhe “Inne shanieke huvel ebter”, Allahu prej këtij momenti sikur ta urdhëronte të Dërguarin a.s.: Mos ua ki frikën më atyre pabesimtarëve, por distancohu nga besimi i verbër i tyre dhe thuaju troç duke i thirrur me emrin e shëmtuar që e meritojnë: “O ju pabesimtarë…”![18]
Koment:
قُلْ يَاأَيُّهَا الْكَافِرُونَ. لا أَعْبُدُ مَا تَعْبُدُون. وَلا أَنْتُمْ عَابِدُونَ مَا أَعْبُد
1. “Thuaj:O ju pabesimtarë!
2. Unë nuk adhuroj atë që adhuroni ju!
3. As ju nuk jeni adhurues të Atij që adhuroj unë!
Rrethanat në të cilat filloi misionin e tij Muhamedi a.s., vërtet ishin rrethana të ngrysura. Çdo gjë dukej aq e errët dhe aq e pashpresë. Në çdo anë hasje vlera të nëpërkëmbura të moralit. Arsyeja e shëndoshë njerëzore kishte humbur nëpër atë mjegullinë devijimesh nga më të ndryshmet. Njerëzit ishin shndërruar në robër të epshit dhe të besimeve të kota. Shejtani absolutisht kishte mbizotëruar zemrat e tyre. Nga zemrat e njerëzve kishte humbur kuptimi i mëshirës dhe i mirësisë. Ishin shkëputur lidhjet vëllazërore dhe ato farefisnore. Ligji i të fortit sundonte kudo. Por, mbi të gjitha, nga feja e pastër e Ibrahimit a.s., e cila ishte trashëguar me shekuj e breza ndër arabët, kishin mbetur vetëm relikte, sepse tashmë ajo fe ishte shndërruar në një fe tërësisht pagane. Për çudi, njerëzit u besonin dhe adhuronin idhuj nga më të ndryshmit, idhuj që me duart e veta i punonin, i skalitnin ose gdhendnin. Dhe, deshi Allahu i Plotfuqishëm të ndryshonte këtë gjendje duke dërguar udhërrëfyesin për njerëzinë, dritën e këtij ymeti,- Muhamedin a.s., të cilin e zgjodhi nga mesi i këtij populli kaq të humbur, sepse megjithatë, tek disa prej tyre ende kishte ngelur pakëz arsye e shëndoshë, dhe ata mezi pritnin një dritë që t’i udhëzonte për të dalë nga kjo errësirë e pashpresë. Arabët e kishin kuptuar nga çifutët se po pritej ardhja e një të dërguari të Allahut, por kurrë nuk do t’u kishte shkuar ndër mend se ai mund të ishte ndonjë i varfër, aq më pak një jetim. Ata mendonin se i Dërguari do të duhej të ishte ndonjëri prej parisë së tyre, ndonjë i pasur me autoritet në popull. Këto dëshira të tyre na i dëfton edhe Allahu xh. sh. në Kur’an:
“Pastaj thanë: Përse të mos i ketë zbritur ky Kur’an një njeriu të madh nga dy qytete?” (Ez-Zuhruf, 31).
Ata dëshironin kështu, por Allahu dëshiroi diçka tjetër. Misionin ia besoi një njeriu besnik, balli i të cilit kurrë nuk qe përulur para idhujve, një njeriu ndoshta jo të pasur, por një njeriu të moralshëm, të cilin vetë ata pabesimtarë e kishin quajtur “El-Emin”-“besnik”. Këtij njeriu i cili kur e lutën pabesimtarët që si kundërshpërblim për lënien e kësaj feje të re, do ta martonin me vajzën më të bukur të Mekës, do ta bënin më të pasurin prej tyre, dhe madje do ta bënin prijës të tyre, – u tha jo. Jo, sepse zemra e Muhamedit a.s. ishte mbushur me dritën e imanit. Asnjë pasuri e kësaj bote nuk mund ta joshte për ta braktisur atë me të cilën e kishte ngarkuar Mëshirëploti, prandaj edhe u tha kurejshëve. “Për Zotin, po të ma zbritnit edhe Diellin në krahun e djathtë e Hënën në të majtin, unë kurrë nuk do ta braktis këtë fe, derisa të mos shkatërrohem, ose derisa të mos vendosë Allahu ndryshe”.
Dhe, mu për këtë shkak, edhe kjo kaptinë që po e komentojmë, quhet “El-Beraetu”– “Dëlirësi dhe distancim nga kufri”.
Kur pabesimtarët e panë këtë këmbëngulje të Muhamedit a.s., u munduan ta merrnin edhe një herë me të mirë, kësaj radhe me dinakëri, duke i propozuar atij një lloj kompromisi, që ai të adhuronte idhujt e tyre një vit, e pastaj vitin tjetër ata ta adhuronin Allahun, dhe pas kësaj periudhe dy vjeçe, të vendosnin se në cilën fe do të qëndronin. Mirëpo, përgjigjja e Allahut ishte e shpejtë dhe shumë e qartë: Nuk ka kompromis me pabesimtarët. Prandaj edhe pasoi urdhri hyjnor për Muhamedin a.s.:
“Thuaj:O ju pabesimtarë! Unë nuk adhuroj atë që adhuroni ju! As ju nuk jeni adhurues të Atij që adhuroj unë!”
Nëse ndalemi tek kuptimi etimologjik i fjalës “kufr”, do të shohim se kjo fjalë rrjedh nga rrënja “kefere”– që do të thotë të mbulosh, të mohosh diçka etj. E në këtë rast nënkupton mbulimin, mohimin e imanit me kufër-mosbesim, apo mbulimin e dritës me errësirë.
Mu për këtë arsye fjala “kafir” – “pabesimtar” ose “kufër” – “pabesim” shpreh shprehjen më të vrazhdë me të cilën mund të cilësohet dikush prej krijesave. E si të mos cilësohet kështu, kur ai mohon Krijuesin e tij-Allahun xh.sh., i Cili i dhuroi shpirtin, jetën dhe gjallërinë?!
S’ka dyshim që kjo sure përmban aktin më të lartë të dëlirësisë dhe të largimit nga pabesimi dhe ithtarët e tij, sepse thjesht besimtarët dhe pabesimtarët janë dy anë që nuk mund të puqen e të takohen kurrë mes vetes. Pabesimtarët janë një “botë” tjetër, e besimtarët janë botë tjetër, kështu që nuk mund të ketë kurrsesi ndonjë afrim në mes tyre, sepse ata i ndan një vijë e theksuar demarkacioni..
Sigurisht, në këto raste mund të lindin shumë pyetje, si p.sh.: Pse Allahu e urdhëroi Muhamedin a.s. që me kaq transparencë dhe në mënyrë kaq të drejtpërdrejtë t’u drejtohej mushrikëve me fjalët “o ju kafira-pabesimtarë”, kur dihet se ai ishte dërguar nga Allahu xh.sh. mëshirë për botët dhe për mbarë njerëzinë? Përgjigjja qëndron në faktin se vetë urdhri hyjnor : “Thuaj!” , na bën me dije se Allahu xh.sh. vendosi që të bënte të qarta përfundimisht doktrinat dhe konceptet e të dy grupeve: besimtarëve dhe pabesimtarëve. Me anë të kësaj sureje dhe të këtyre ajeteve, u bë qartë një dallim në mes monoteizmit të pastër (tevhidit) dhe politeizmit (idhujtarisë). Do të thotë, nuk ka lajka, nuk ka kompromise. Drita dhe fjala e Allahut nuk mund të krahasohen me fjalët dhe besimet e kota të idhujtarëve, të cilët në vend të Allahut adhuronin statuja nga guri e druri.
Sipas Sha’raviut, kjo sure nënkupton shkëputjen definitive të marrëdhënieve në mes besimtarëve dhe pabesimtarëve. Madje ai bën këtu një krahasim me kohën tonë dhe marrëdhëniet midis shteteve, dhe thotë: Kjo sure nënkupton “shkëputjen, ndërprerjen apo ngrirjen e marrëdhënieve diplomatike”, sepse më nuk ka mbetur vend për ndonjë mirëkuptim apo marrëveshje, do të thotë janë shterur të gjitha mundësitë e ndonjë gjetjeje të kompromisit në mes dy grupeve.[19]
وَلا أَنَا عَابِدٌ مَا عَبَدتُّم. وَلا أَنْتُمْ عَابِدُونَ مَا أَعْبُد
4. Dhe unë kurrë nuk do të jem adhurues i asaj që adhuroni ju!
5. Po as ju nuk do të jeni adhurues të Atij që adhuroj unë!
Përsëritja e sërishme, pothuaj identike e ajeteve 2-3: me ajetet 4-5, është e qëllimshme dhe madje theksohet në mënyrë bindëse me qëllim të eliminimit të të gjitha mundësive të dyshimit dhe të keqinterpretimit. Në anën tjetër, kjo sure vërtet ishte një provokim i hapur kundër idhujtarëve, por, për të arritur kënaqësinë e Allahut, rruga është plot vuajtje dhe sakrifica.
Ajetet 4-5, sipas komentatorëve, janë ripërsëritje e fuqishme dhe theksohen për ta përforcuar faktin se Muhamedi a.s. kurrë nuk kishte qenë adhurues i idhujve, as para shpalljes, por kurrë nuk do të jetë adhurues i tyre as në të ardhmen, sikundër që idhujtarët nuk janë adhurues të Allahut, por as në të ardhmen nuk do të jenë adhurues të Tij, sepse zemrat e tyre ishin të vulosura me damkën e kufrit. Ata vetë kishin zgjedhur një rrugë të tillë, do të thotë ishte vendim i tyre që të mos pranonin imanin, dhe të shpëtonin.
. لَكُمْ دِينُكُمْ وَلِيَ دِين
6. Ju keni fenë tuaj (që i përmbaheni), e unë kam fenë time (Islamin, që i përmbahem)!”
Ajeti i fundit i kësaj sureje, shpreh në mënyrën më të fuqishme butësinë, tolerancën dhe mos-imponimin e besimit me dhunë. A nuk thotë Allahu xh.sh. “Në fe nuk ka dhunë (imponim). Është sqaruar e vërteta nga e kota”, (El-Bekare, 256)
Të kota ishin përpjekjet e armiqve të Islamit nëpër shekuj, ta paraqisnin atë si fe ekspansioniste, si fe të përhapur nën tehun e shpatës, sepse një gjë e tillë është e papranueshme. Madje një fakt të tillë, edhe pse kundër dëshirës së tyre, e pranojnë edhe vetë historianët me renome botërore, të cilët urrejtja patologjike ndaj Islamit, i kishte shtyrë të falsifikonin shumë të dhëna historike. Madje, edhe sot mund të bindemi se Islami jo nga imponimi por nga bindja, ka filluar gradualisht të përhapet edhe në botën “perëndimore”, dhe ky fakt ka filluar t’i tmerrojë qarqet e ndryshme botërore. Por, të kota do të jenë përpjekjet e tyre për ta ndaluar shtrirjen e tij, sepse Islami nuk është pjellë e imagjinatës njerëzore, se Kur’ani nuk është fjalë njerëzore, por fjalë dhe mesazh i fundit hyjnor drejtuar botës mbarë.
Allahu xh.sh. në Kur’an thotë: “Ata duan ta shuajnë dritën e Allahut me gojët (fjalët) e tyre, po Allahu e plotëson (e përhap) dritën e Vet, edhe pse këtë e urrejnë pabesimtarët” (Es-Saff, 8).
Dikush mund të pyesë: Pse në ajetet e para të kësaj sureje vërehet ashpërsia ndaj pabesimtarëve, kurse në ajetin e fundit: “Ju keni fenë tuaj (që i përmbaheni), e unë kam fenë time (Islamin, që i përmbahem)!” , vërehet qartë një ton shumë më i butë, në stilin:”ju tuajën e unë timen”. Përgjigjja është e thjeshtë: Në ajetet e para kemi të bëjmë me distancim nga pabesimi, ose thënë më shkurt, nga mënyra e çoroditur e besimit pagan, të cilët adhuronin idhujt, për t’iu afruar Allahut, kurse këtu gjen shprehjen vullneti i lirë i njeriut. Kush dëshiron, beson, e kush nuk do, atëherë nuk ka dhunë në fe, prandaj zbriti ajeti në këtë formë: “Ju keni fenë tuaj (që i përmbaheni), e unë kam fenë time (Islamin, që i përmbahem)!”.
Në anën tjetër disa dijetarë shkojnë nga ajo se Muhamedi a.s. ishte urdhëruar t’ua thotë idhujtarëve qartë, ju keni kufrin tuaj kurse unë besimin e pastër.
Po ashtu disa dijetarë kanë shkuar nga ajo se ky ajet është abrroguar me ajetet e luftës, porse ky mendim nuk ka mbështetje të fortë, sepse ajeti në fjalë nuk është shfuqizuar, por qëllimi këtu është kërcënimi i idhujtarëve, të cilin lloj kërcënimi e hasim shpesh në disa ajete kuranore, si:
“Ata që sulmojnë argumentet Tona, nuk mund të fshihen. Pra, a më mirë i ka punët ai që do të hudhet në zjarr, apo ai që në Ditën e Kiametit vjen i sigurt? E ju pra, veproni si të dëshironi, e ta dini se Ai (Allahu) sheh atë që punoni” (Fussilet, 40)
Apo ajeti tjetër:
“Po nëse ata të përgënjeshtrojnë ty, thuaj: “Mua më takon (shpërblimi nga) vepra ime, e juve veprimi juaj , ju nuk përgjigjeni për atë që bëj unë, e as unë për atë që bëni ju.” (Junus, 31),
ose ajeti tjetër:
“Ne kemi veprat tona e ju tuajat” (El-Kasas, 55)
Pra, që të gjitha këto ajete sikur edhe ajeti i 6 i kaptinës “El-Kafirun”: “Ju keni fenë tuaj (që i përmbaheni), e unë kam fenë time (Islamin, që i përmbahem)!”, në vete përmbajnë një lloj kërcënimi, e jo miratim apo pëlqim me fenë e pabesimtarëve, sepse feja e vetme e zbritur dhe e pranuar tek Allahu, është Islami, fe e cila përcolli njerëzimin që nga hapi i parë i tij në sipërfaqen e kësaj toke, që nga Ademi a.s. e deri tek i fundit prej tyre Muhamedi a.s.. Dhe kjo fe, me lejen dhe dëshirën e Allahut xh.sh., do të vazhdojë ta shoqërojë njerëzimin deri në hapin e fundit të tij në këtë botë.
Porosia e kësaj sureje:
– Në këtë sure sheshohen dallimet në esencë ndërmjet imanit dhe kufrit. Këto dy komponente asnjëherë nuk mund të bashkohen, sepse janë dy gjëra diametralisht shumë të kundërta mes vetes.
– Pabesimtarët, të çfarëdo lloji qofshin ata, të gjithë janë njësoj në armiqësinë e tyre ndaj Islamit, andaj duhet pasur kujdes dhe nuk duhet bërë ndonjë kompromis me ta në çështjet që janë kundër interesave të Islamit dhe të muslimanëve.
– Islami është feja e vetme e vërtetë, e zbritur për ta udhëzuar njerëzimin gjatë shtegtimit të tij në këtë botë dhe e vetmja fe e pranuar tek Allahu i madhërishëm. Allahu xh.sh. në Kur’an thotë:
“Fe e vetme (e pranuar) tek Allahu është Islami” (Ali Imran, 19).
Prandaj ai që në çfarëdo mënyre shtrembëron parimet e kësaj feje, i mohon ato pjesërisht apo në përgjithësi, konsiderohet i dalë nga feja islame–kafir, dhe do ta marrë ndëshkimin e merituar nesër në Ditën e Gjykimit.
[1] Muhamedinilemin bin Abdullah el Arumijj esh-Shafi’ijj – “Hadaiku-r-rrevhi ve-r-rrejhani fi revabi ulumi-l-Kur’ani”, vëll. 32, fq. 388, Bejrut-Liban, 2001.
[2] Ibn Ashur Et-Tahriru ve-t-Tenviru vëll XXX fq. 580
[3] Imam Shevkaniu, “Fet’hul Kadiir” vëll.V, fq. 511
[4] Dr. Vehbete ez-Zuhajli “Et-Tefsirul Munir”, vëll 30. fq. 437
[5] E transmeton Tirmidhiu në Sunenin e tij (2893) dhe e ka klasifikuar si hadith “daif”. Shih: “Kitabul Xhami’ë…” fq. 320
[6] Hadithi është ‘sahih”. E transmetojnë: Imam Ahmedi (5/456); Tirmidhiu (3403) dhe Ibn Hibbani (3/70). Hafidh Ibn Haxher el Askelani në veprën “Ta’liku-t-ta’lik” (4/408) në lidhje me isnadin e këtij hadithi thotë se është “sahih”.
[7]Taberaniu në “El-Mu’xhemul Kebir” (4/81). Hadithi arrin gradën “hasen bi-sh-shevahid”-me asistencë të haditheve të ngjashme.
[8] Kitabul Xhami’ë… fq. 326
[9] Muslimi në kreun mbi Haxhin (147/1218)
[10] Muslimi në kapitullin mbi namazin e udhëtarit (98/726)
[11] Ahmedi (2/24); Tirmidhiu në kapitullin mbi namazin fq. 417; Nesaiu (2/170); Ibn Maxhe në kreun mbi namazin (1149).
[12]Transmeton Imam Ahmedi (2/58). Isnadi është i shëndoshë – i vërtetë-“sahih”:
[13]Transmetimi është i kategorisë “sahih”. Shih Musnedin e Imam Ahmedit (2/99) dhe Sahihun e Ibn Hibbanit (6/212)
[14] “Fet’hul Kadir”, vëll. V, fq. 511; Shih: Tirmidhiu (462); Ibn Hibbani (2/202)
[15] El-Kitabul Xhami’ë li fedailil Kur’an, fq. 302; Këtë transmetim e kanë përcjellë dhe shënuar si “Sahih”, Imam Ahmedi (1/89); Imam Tahaviu në Sherh meanil athar 1/290; Bezzari 3/82; dhe Ebu Ja’la 1/356. Në lidhje me këtë transmetim, Ibn Haxher el Askelani në veprën e tij Telhisul habir 2/19, thotë se Isnadi i tij është “i mirë”-“hasen”.
[16]Hadith “hasen”. Transmeton Taberaniu në “El-Mu’xhemul El-Evsat” (6/91), në “El-Mu’xhemu-s-Sagir” (2/87).
[17] Ebul Hasen el Vahidi en Nisaburi “Esbabu-n Nuzul”, fq.261, Bejrut, pa vit botimi
[18] Fahru Rraziu “Mefatihul Gajb”, vëll.32, fq. 137.
[19] Muhamed Mutevel-li Sha’ravi “Tefsir suretul Maun, El-Kevther, El-Kafirun”, fq. 47, Kajro 1980.
Sabri ef. Bajgora