Komentimi i kaptinës – “El-Fil”
أَلَمْ تَرَ كَيْفَ فَعَلَ رَبُّكَ بِأَصْحَابِ الْفِيلِ أَلَمْ يَجْعَلْ كَيْدَهُمْ فِي تَضْلِيلٍ وَأَرْسَلَ عَلَيْهِمْ طَيْرًا أَبَابِيل تَرْمِيهِمْ بِحِجَارَةٍ مِنْ سِجِّيل فَجَعَلَهُمْ كَعَصْفٍ مَأْكُول
1.“A nuk e ke parë (a nuk të ka arritur lajmi) se ç’bëri Zoti yt me poseduesit e elefantit?
2. A nuk ua bëri komplotin (përpjekjen) e tyre të dështuar?
3. dhe Ai kundër tyre dërgoi shpendë (që vinin) tufë-tufë!
4. që i gjuanin ata me gurë nga balta e gurëzuar!
5. duke i bërë si gjeth i grimcuar (i përtypur)!”
(El-Fil, 1-5)
Kaptina “El-Fil” është kaptinë mekase dhe ka zbritur pas sures “El-Kafirun” dhe para sures “El-Felek”. Ka gjithsej 5 ajete, 23 fjalë dhe 96 shkronja.[1] Në radhitjen e Mus’hafit mban numrin 105, kurse në radhitjen e zbritjes është e 19-ta.[2]
Transmeton Ibn Merduvije nga Ibn Abasi të ketë thënë: “Kaptina “Elem tere kejfe…”…, ka zbritur në Mekë.[3]
Emërtimi i kësaj sureje
Kjo sure është emërtuar me emrin “El-Fil”, për shkak se qysh në ajetin e parë flitet për dënimin që goditi pronarët e elefantit (filit), të cilët Allahu xh.sh. i shkatërroi, atëherë kur Ebreheja deshi ta rrënonte Qabenë.
Lidhshmëria e kësaj sureje me atë paraprake “El-Humeze”
Kjo sure ka lidhshmëri të ngushtë me atë paraprake “El-Humeze”, duke u nisur nga fakti se në suren “El Humeze” Allahu xh.sh. na tregoi për gjendjen e atyre që vetëm grumbullojnë mall-pasuri dhe krenohen me të, duke përqeshur të varfrit dhe ata që nuk kanë dhe duke menduar se kjo pasuri do t’i bëjë të përjetshëm. Allahu xh.sh. këtij grupi të njerëzve i shpjegon se vendqëndrim i tyre do të jetë zjarri i Xhehennemit. Ndërsa tash në kaptinën “El-Fil”, i Lartmadhërishmi na tregon se si i ka shkatërruar pronarët e elefantëve, përkatësisht ushtrinë e Ebrehesë, me gurë të vegjël që i hidhnin mbi ta zogjtë që vinin e shkonin tufa-tufa. Me një fjalë, Ebreheja, që ishte shumë më i fuqishëm, u shkatërrua me tërë ushtri të madhe, nga disa zogj të vegjël, të cilët atë ushtri e bënë si gjethe të grimcuara. Ebrehesë në këtë rast nuk i bëri dobi as pasuria dhe as elefanti, veçse vdiq i nënçmuar e i përbuzur, prandaj ky pësim i tij është mësim për çdokënd që i ngacmon dhe i shqetëson të tjerët se fundi i tij do të jetë tragjik.[4]
Përmbajtja e kësaj kaptine nga këndvështrimi historik i ngjarjes
Në Jemen sundonte një mëkëmbës i mbretit të Abisinisë As’hame en-Nexhashiut, i quajtur Ebrehe bin Sabah el Eshrem, i cili kishte ndërtuar në San’a (Sanë) të Jemenit një katedralë të madhe që e kishte emërtuar “El-Kul-lejs”. Qëllimi i tij ishte që me ndërtimin e kësaj katedrale ta zbehte famën e Qabesë, të cilën arabët e konsideronin vend të shenjtë dhe vend ku kryenin Haxhin, i cili datonte qysh prej kohës së Ibrahimit a.s., ani pse i deformuar në rite dhe liturgji të ndryshme pagane.
Një ditë, një arab nga fisi Kenan e kishte ndotur atë katedralë, dhe ky ishte një pretekst i mjaftueshëm për Ebrehenë, që ta mësynte Mekën për ta shkatërruar Qabenë, njëherë e përgjithmonë, dhe ta lidhte Jemenin me tokat e Shamit, për ta përhapur gjithandej fenë e krishterë.
Për këtë ekspeditë ndëshkuese ai kishte përgatitur një ushtri të madhe, madje me vete kishte edhe disa elefantë, që për atë kohë ishte diçka që arabët ende nuk e kishin parë . Në lidhje me numrin e elefantëve ka mendime kontradiktore; disa thonë se kanë qenë 8, disa 12 , disa 13, kurse disa të tjerë e stërmadhojnë këtë numër shumë. Sidoqoftë, një gjë është më se e sigurt: në këtë ushtri kishte edhe elefantë, si kafshë bartëse dhe lufte.
Gjatë rrugës për në Mekë, Ebreheja u ndesh dy herë me disa fise arabe, të cilat u munduan ta ndalnin që të mos realizonte qëllimin e tij, por që të dyja këto përpjekje dështuan, dhe prijësit e tyre u zunë rob nga ana e ushtrisë së Ebrehesë. Kur arriti afër Mekës u ndal në vendin e quajtur “El Mugammes” dhe aty ngriti kampin. Ndërkohë, ushtarët e Ebrehesë filluan të plaçkitnin pasurinë e kurejshëve e ndër të tjera edhe 200 deve të gjyshit të Resulullahut s.a.v.s. – Abdul Muttalibit. Pastaj ai` dërgoi emisarët për t’i lajmëruar kurejshët se nuk kishte ardhur që t’i luftonte ata, por qëllimi i tij ishte vetëm rrënimi i Qabesë. Prijësit kurejshë kuvenduan midis tyre dhe panë se nuk kishin forcë të mjaftueshme që t’i kundërviheshin Ebrehesë, prandaj vendosën të largoheshin përkohësisht në malet përreth për të pritur se çfarë do të ndodhte me Qabenë. Ata ishin të bindur se se Zoti i Plotëfuqishëm do ta mbronte shtëpinë e Tij.
Ebreheja urdhëroi që para se ta shkatërronin Qabenë, të fliste edhe një herë me të parin e kurejshëve për t’i treguar për qëllimin e tij. Dhe kurejshët zgjodhën Abdul Muttalibin për të biseduar me të.
Meqenëse Abdul Muttalibi ishte njeri i pashëm dhe kishte tipare të një fisniku arab, Ebreheja e nderoi me nderimet më të larta, duke u ulur me të në dysheme, dhe jo siç e kishte zakon që njerëzit t’i vështronte nga pozita e të lartit.
Së pari e pyeti nëse kishte ndonjë nevojë apo ndonjë shërbim, të cilin Ebreheja mund t’ia kryente, e ai pa një pa dy ia ktheu: – “Unë dua që të m’i kthesh prapa 200 devetë e mia”. Ebreheja u step nga kjo përgjigje dhe me habi i tha: – “Nuk kërkon nga unë që të heq dorë nga rrënimi i Shtëpisë suaj të shenjtë-Qabesë, e cila për ju simbolizon çdo gjë, mishërimin e fesë suaj dhe krenarinë tuaj, por po kërkon të t’i kthej devetë?!
– “Pikërisht këtë e kërkoj nga ju, mbret i nderuar, sepse unë jam pronar i deveve, kurse Qabeja e ka Zotin-Pronarin e saj, i Cili do ta mbrojë atë nga shkatërrimi, që synoni ju”, – ia ktheu Abdul Muttalibi.
I habitur nga një përgjigje e tillë plot urtësi, Ebreheja ia ktheu devetë Abdul Muttalibit, dhe të nesërmen mësyu Mekën-Qabenë dhe arriti deri në luginën “Muhassar”-“Vadi Muhassar”.[5] Për çudinë e të gjithëve, elefanti më i madh që kishin me vete për ta shkatërruar Qabenë, atë ditë nuk bënte asnjë hap përpara drejt Haremit-Qabesë. Diçka e ndalonte dhe e pengonte. Kur e kthenin atë nga drejtimi i Jemenit, ai merrte vrapin andej. Njësoj vepronte edhe kur e kthenin nga drejtimi i Shamit (Sirisë).
Përpjekjet e ushtrisë së Ebrehesë për të hyrë në Harem me elefantë, vazhduan gjatë gjithë ditës së parë, kurse të nesërmen, u panë tufa të mëdha zogjsh nga drejtimi i bregdetit, zogj që kurrë më parë nuk ishin parë, tek bartnin në kthetrat dhe në sqepat e tyre gurë të vegjël. Këta zogj, me urdhrin e Allahut, filluan të gjuanin gurë mbi ushtrinë e Ebrehesë dhe i shkatërruan ata. Të tmerruar nga një sulm i tillë i papritur, ushtarët e Ebrehesë filluan të zmbrapseshin dhe morën arratinë. Shumica prej tyre vdiqën rrugës për në Jemen, kurse Ebreheja u godit rëndë nga një sëmundje, prej së cilës i binte mishi nga trupi, dhe, posa arriti në San’a, vdiq.
Kjo humbje e ushtrisë së madhe të Ebrehesë pati një ndikim të madh në historinë arabe, dhe prej këtij momenti, kurejshët fituan edhe më shumë në famë, sepse fiset e tjera arabe për ta thoshin se kurejshët qenkëshin popull i zgjedhur i Allahut, se Allahu i mbrojti ata dhe Shtëpinë e Tij.[6] Në anën tjetër, kjo ishte një dëshmi dhe një parashenjë nga ana e Allahut xh.sh. se Ai vërtet e kishte zgjedhur këtë popull, meqë nga mesi i tyre kishte zgjedhur më të madhin e njerëzisë- Muhamedin a.s. i cili do ta bartte flamurin e misionit të fundit hyjnor në tokë.
Kjo ngjarje ndodhi në vitin 570 të erës së re, në vitin në të cilin u lind edhe Muhamedi a.s., dhe ky vit u quajt: “Amul fil”– “Viti i elefantit”.
Ky vit pati një rëndësi të veçantë për arabët, sepse qe fillimi i historisë së re të tyre. Ishte kjo një prej parashenjave të mëdha të ardhjes së të Dërguarit të fundit, të cilin të gjithë popujt e atëhershëm po e prisnin me padurim në mos do të ishte nga mesi i tyre, si hebrenjtë ashtu edhe të krishterët. Por deshi Allahu xh.sh. që ky i Dërguar të ishte nga arabët, nga fisi më i zgjedhur i tyre-kurejshët, të ishte një njeri i ndershëm, besnik dhe i respektuar nga të gjithë edhe para se t’i vinte shpallja.
Allahu xh.sh. ndër kaptinat e para të Dërguarit të Tij i zbriti këtë kaptinë, duke i treguar për një ngjarje të cilën Resulullahu nuk e kishte parë as përjetuar, veçse atëbotë në Mekë ende kishte njerëz të gjallë që kishin qenë dëshmitarë të kësaj mrekullie, dhe në asnjë mënyrë nuk arritën ta kontestonin fjalën e Allahut për ngjarjen në fjalë, sepse në realitet, ajo kishte ndodhur ashtu.
Koment
أَلَمْ تَرَ كَيْفَ فَعَلَ رَبُّكَ بِأَصْحَابِ الْفِيلِ
1. “A nuk e ke parë (a nuk të ka arritur lajmi) se ç’bëri Zoti yt me poseduesit e elefantit?
Që në fillim të kësaj kaptine pason një pyetje hyjnore drejtuar Muhamedit a.s.: “A nuk e ke parë?”, po qëllimi këtu nuk është pyetja nëse e kishte parë apo jo, por: “A të ka arritur lajmi?” – ose “a e di se ç’bëri Zoti yt me pronarët e elefantit (me Ebrehenë dhe ushtrinë e tij)”, i cili mësyu Mekën për të rrënuar Shtëpinë e shenjtë-Qabenë.
Pyetja, edhe pse i është adresuar Muhamedit a.s., në fakt synon më tepër idhujtarët kurejshë, disa prej të cilëve ende ishin dëshmitarë të gjallë të kësaj ngjarjeje, dhe vetë e kishin parë ndëshkimin që Allahu xh.sh. kishte zbritur mbi ushtrinë e Ebrehesë. Ky adresim hyjnor ndaj kurejshëve u drejtohej për të shprehur habinë, si ishte e mundur që kurejshët, të cilët Allahu i mbrojti prej Ebrehesë, mbrojti Shtëpinë e shenjtë, mbrojti shenjtërinë e saj prej armiqve, dhe të cilët me sytë e tyre kishin parë tek shkatërrohej një ushtri e madhe nga disa tufa zogjësh që hidhnin mbi ta gurë të vegjël, nga goditjet e të cilëve binin të vdekur, e tash nuk besojnë që po Ai Allah të ka dërguar ty, o Muhamed, që të nxjerrësh mbarë njerëzimin në dritën e së vërtetës. Si është e mundur që këta njerëz, që ishin dëshmitarë të gjallë të asaj mrekullie hyjnore, të mos i përulen tash Allahut, për ta falënderuar dhe adhuruar Atë, por ende adhurojnë gurë e idhuj të cilët vetë i gdhendin e i skalitin?!
Kur është fjala për shprehjen “Elem tere”– e cila pothuajse në çdo ajet ku është përmendur e ka kuptimin “elem ta’lem – a nuk e di”, dijetarët kanë bërë pyetje: A thua përse Allahu xh.sh. nuk e përdori këtu drejtpërdrejt shprehjen “elem ta’lem – a nuk e di” por e përdori “Elem tere – e cila nëse përkthehet fjalë për fjalë e ka kuptimin “a nuk e ke parë “?
Ja se ç’përgjigje jep në lidhje me këtë Muhammed M. Sha’ravi. Ai thotë: “E ka përdorur këtë shprehje “elem tere”, sepse mënyrat-metodat e përfitimit të diturisë tek njeriu së pari janë shqisat (të dëgjuarit dhe të pamët) e më pas vijnë gjërat logjike që kanë të bëjnë me sferën e mendjes, do të thotë në çdo rast tek njeriu, atij i paraprijnë shqisat, e pastaj vijnë gjërat që mund të preken. Në lidhje me këtë jep sinjal edhe ajeti kuranor: “Allahu ju nxori nga barqet e nënave tuaja (si foshnje) që nuk dinit asgjë. Ju pajisi me (shqisa për) të dëgjuar, me të parë dhe me zemër (mendje), ashtu që të jeni falënderues” (En-Nahl, 78)[7]
Kurse Fahru Rraziu thotë: “E ka përdorur shprehjen “elem tere”e jo ”elem ta’lem” sepse ngjarja që kishte ndodhur atë vit kur kishte lindur edhe vetë Pejgamberi a.s., ishte një ngjarje ende e freskët, disa që e kishin parë ngjarjen ende ishin gjallë, dhe për banorët e Mekës kjo ishte një e vërtetë e pakontestueshme, prandaj edhe pyetja i bëhet Muhamedit a.s. që duhej t’i kishte arritur lajmi sigurisht nga bashkëkombësit e tij, i përcjellë në mënyrë gojore se çfarë bëri Zoti yt me Ebrehenë dhe ushtrinë e tij.
Rraziu vazhdon e thotë: “Dallimi në mes fjalëve “elem tere” dhe “elem ta’lem” është se për atë send që nuk mund të përfyryrohet (imagjinohet) të kuptuarit e tij, nuk mund të përdoret tjetër shprehje përveç “elem ta’lem”, kurse për atë që mund të përfytyrohet dhe të kuptohet, si p.sh. ikja e elefantit, goditja me gurë, etj., mund të përdoret shprehja elem tere-“a nuk e ke parë”.[8]
Muhammed M. Sha’ravi, përkitazi me këtë ajet, thotë:
Sigurisht se dikush mund edhe të pyesë: a thua përse Allahu xh.sh. tha: “elem tere kejfe feale rabbuke bi as-habil fiil” e nuk tha :” elem tere kejfe feale Allahu bi as-habil fiil” ?!
Përgjigja është se këtu veprimi ka ardhur në cilësinë e “rububijetit” , e “rububijeti” është edukim, përkujdesje ndaj dikujt që e ke nën kujdes, rritje etj. Allahu xh.sh. me këtë sikur dëshiron t’i thotë të dërguarit të Tij se, ashtu siç i shkatërrova pronarët e elefantit, pa shkaqe të rëndomta dhe jashtë ligjeve të kësaj natyre, ashtu do të jem në mbrojtjen tënde derisa t’ua përcjellësh tërë njerëzimit mesazhin Tim”. [9]
أَلَمْ يَجْعَلْ كَيْدَهُمْ فِي تَضْلِيلٍ
2. A nuk ua bëri komplotin (përpjekjen) e tyre të dështuar?
Allahu xh.sh. në këtë ajet, prapë në formë pyetjeje, na bën me dije se planet dhe intrigat e Ebrehesë i asgjësoi dhe i bëri të dështuara. Ata nuk arritën qëllimin e tyre për ta shkatërruar Qabenë, prandaj a nuk mjaftonte ky fakt që kurejshët të mos i mbyllnin sytë para së vërtetës, po ta besonin Allahun, i Cili i shpëtoi nga armiku i tyre në një të kaluar shumë të afërt, dhe në të njëjtën kohë e ruajti Shtëpinë e Tij, shenjtërinë dhe pacenueshmërinë e saj. Në të kundërtën, edhe çdo plan dhe komplot i tyre kundër Muhamedit a.s. dhe Islamit do të dështonte njësoj.
A nuk thotë i Plotfuqishmi në Kur’anin fisnik:
“Ata bënin plane (kurtha-intriga) e Allahu i asgjësoi ato, se Allahu është më i miri që asgjëson (dredhitë)”. (El-Enfal, 30)
dhe:
“Allahu iu kundërvu dredhisë së tyre, Allahu është asgjësuesi më i fuqishëm kundër atyre që bëjnë dredhi”. (Ali Imran, 54)
وَأَرْسَلَ عَلَيْهِمْ طَيْرًا أَبَابِيل تَرْمِيهِمْ بِحِجَارَةٍ مِنْ سِجِّيل فَجَعَلَهُمْ كَعَصْفٍ مَأْكُول
3. Dhe Ai kundër tyre dërgoi shpendë (që vinin) tufë-tufë!
4. që i gjuanin ata me gurë nga balta e gurëzuar!
5. duke i bërë si gjeth i grimcuar (i përtypur)!”
Allahu i Plotfuqishëm deshi që në tërë këtë ngjarje të kishte një mrekulli, që ushtrinë e madhe të Ebrehesë ta shkatërronte me një ushtri të Tij, në këtë rast as me njerëz e dhe as me engjëj, por me tufa të mëdha zogjsh, të cilët vinin radhë-radhë.
S’ka dyshim që këta zogj, që erdhën në mënyrë të befasishme nga drejtimi i detit, ishin një prej ushtrive të panumërta të Allahut për të cilat i Gjithëfuqishmi thotë:
“ …Ushtritë e qiejve e të tokës janë vetëm të Allahut, e Allahu është shumë i dijshëm dhe shumë i saktë”., (El-Fet’h , 4)
Dhe në një ajet tjetër:
“Ushtrinë e Zotit tënd nuk e di kush pos Tij” , (El-Mudethir, 31)
Këso tufa zogjsh, nga të cilët çdonjëri mbante nga tre gurë, një në sqep dhe nga një në të dy këmbët, nuk ishin parë e as njohur kurrë më parë nga arabët. Zogjtë patën ardhur nga drejtimi i detit, dhe pas kryrjes së misionit qenë kthyer prapë nga kishin ardhur. Ata shkuan, por ngjarja e Ebrehesë mori dhenë, mbeti dhe u shënua në librat e historisë si një vërejtje se ata që nuk i frikësohen Allahut, do të kenë kësi përfundimi të keq.
Sipas Kadi Bejdaviut fjala “sixh-xhil” është fjalë me prejardhje persiane por e arabizuar dhe përbëhet nga dy fjalë: “sixh”- që në persishte do të thotë-gur dhe “xhil”- që do të thotë-baltë-dhe.[10]
Ekzistojnë edhe disa mendime të tjera lidhur me kuptimin e fjalës “sixh-xhil” por ne u mjaftuam vetëm me njërin prej mendimeve të paraqitura nga El Bejdaviu.
Mendimet e disa dijetarëve bashkëkohorë lidhur me këtë ngjarje
Përfaqësuesi më i denjë i shkollës bashkëkohore racionaliste, Imam Muhammed Abduhu duke komentuar këtë kaptinë, u përpoq që tërë këtë mrekulli, e cila e përshkon këtë ngjarje, t’ia përshtasë të perceptuarit të mendjes njerëzore, duke mos përmendur drejtpërdrejt këtë ngjarje si një mrekulli të Allahut, e cila ishte një prej parashenjave të mëdha të ardhjes së Muhammedit a.s., por si pasojë të një epidemie (kolere apo lie), e cila u përhap në mesin e ushtrisë së Ebrehesë, pasi që zogjtë hodhën mbi ta gurët me disa mikorobe a virusë!. Ja se çfarë thotë, ndër të tjera, Imam Muhammed Abduhu në tefsirin e tij:
“… Në ditën e dytë në mesin e ushtarëve shpërtheu epidemia e lisë dhe e kolerës. Ikrime thotë: “Ishte kjo hera e parë që u shfaq lia në tokën arabe”, ndërsa Ja’kub bin Utbe thotë: “Ai ishte viti kur lia dhe kolera u paraqitën në Arabi”.
Sëmundjet kishin një efekt të papërshkrueshëm mbi trupat e tyre; mishi i trupit të tyre (ushtarëve të Ebrehesë) filloi të binte. Ushtarët dhe komandanti i tyre ikën të tmerruar. Edhe Ebreheja u qëllua nga kjo; mishi i tij vazhdoi t’i derdhej nga trupi, gisht pas gishti, gjymtyrë pas gjymtyre, derisa më në fund gjoksi i tij u ça dhe ai vdiq në San’a”
Kjo, thotë Abduhu, është ajo që shënimet e ndryshme e kanë përmendur dhe që është logjikisht e pranueshme. Kjo sure tregon se lia dhe kolera qenë shkaktuar nga gurët e fortë që barteshin e hidheshin mbi ushtarët, nga grupe kolosale zogjsh, të cilat barten zakonisht nga erërat. Është në rregull të besohet se ata zogj, të cilët përmenden në këtë sure, kanë qenë një lloj mizash ose mushkonjash që bartnin mikrobe të disa sëmundjeve, dhe se gurët kanë qenë prej argjilës së thatë e të helmueshme…! Kur kjo argjilë prekte çfarëdo organizmi, depërtonte thellë në të dhe shkaktonte infektime plagësh, plagë që çrregullonin tërë trupin, duke shkaktuar rënien e mishit. Shumë lloje të këtyre zogjve (fluturuesve) të pafuqishëm, janë në të vërtetë trupat më efikase të Allahut, të cilat Ai i shfrytëzon për shkatërrimin e kujtdo që Ai dëshiron. Ai organizëm i imët që sot quhet “mikrob” hyn brenda këtij klasifikimi…Kjo mund të merret si bazë për të kuptuarit e kësaj sureje. Asgjë tjetër nuk mund të pranohet pa shpjegim logjik, madje edhe nëse është transmetuar në mënyrë autentike. (!!!) [11]
Këto komentime racionaliste të Imam Abduhusë, dy dijetarët më të spikatur bashkëkohorë të tefsirit, Sejid Kutbi dhe Muhammed M. Sha’ravi, i kundërshtuan haptazi, duke thënë se nuk ka mundësi që çdo mrekulli të shpjegohet në suza të aftësive tona mendore.
Ja se ç’thotë në lidhje me këtë prof. Sejid Kutbi: “…As supozimi i lisë apo i kolerës si pasojë e argjilës së infektuar nga mikrobet, i shtruar nga Imami i njohur (Abduhu) e as ai i kundërti, i cili i përshkruan se gurët i çanë kokat dhe trupat e abisinasve, duke i lënë si mbeturina të gjetheve të thara e të grmicuara, nuk e tejpeshon njëri-tjetrin në manifestimin e fuqisë së Allahut xh.sh. dhe nuk ka nevojë që asnjëri të merret si shpjegim më i mirë i ngjarjes…
Sa i përket ngjarjes në fjalë, mendimi që mbron të panjohurën, mbinjerëzoren, peshon më tepër…
Ajo që ne dimë për linë dhe kolerën, nuk përputhet me atë që është shënuar për efektet e ngjarjes mbi trupat e ushtarëve dhe prijësit të tyre. Asnjëra nga këto dy sëmundje nuk shkakton rënien e mishit të gjymtyrëve të trupit të njeriut dhe as që shkakton çarjen e gjoksit. Aq më tepër, transmetimet e Ikrimes dhe të Ja’kub bin Utbes nuk flasin për atë se lia-kolera i ka rënë ushtrisë. Asnjëri nga transmetimet nuk thotë asgjë më tepër se ajo që kolera atë vit për herë të parë e kaploi Gadishullin Arabik. Asnjëri nga këta të dy nuk ka sugjeruar se Ebreheja dhe ushtria e tij janë bërë viktimë e kësaj epidemie. Përveç kësaj, nëse vetëm ushtria ishte goditur nga sëmundja, ndërsa arabët përreth mbetën të sigurt, atëherë kjo do të ishte vërtet e panatyrshme. Pasi kjo ngjarje në çdo rast është e mbinatyrshme, përse të lodhemi duke e kufizuar veten brenda një shpjegimi të caktuar, vetëm për shkak se ai shpjegim bazohet në atë që është më e afërt për shqisat njerëzore…? Ne duhet t’u qasemi thënieve kuranore, me qëllim që prej tyre të nxjerrim konceptet tona dhe t’i formulojmë idetë tona. Ajo që thotë Kur’ani, është përfundimtare si e tillë. Ajo për të cilën ne thërrasim “arsyen” dhe gjykimin e saj për atë se ç’tregon Kur’ani lidhur me ngjarjet në gjithësi ose në histori, në botën e njeriut ose në sferën e të paperceptueshmes, nuk është asgjë më tepër sesa rezultat i pastër i ekzistencës sonë të fundme njerëzore dhe përvojave që kemi… Atëherë, askush nuk mund të thotë për ndonjë thënie kuranore: “Është e papranueshme për arsyen, kështu që për të duhet kërkuar ndonjë shpjegim logjik”, siç thonë shpesh mbrojtësit e shkollës racionaliste. Kjo nuk do të thotë se duhet t’i pranojmë paragjykimet; kjo vetëm thekson se arsyeja njerëzore nuk është arbitër për atë se ç‘thotë Kur’ani. Kur shprehjet e tekstit kuranor janë të qarta dhe të drejtpërdrejta, ato determinojnë se si arsyet tona duhet t’i qasen atij, me qëllim që t’i formulojmë pikëpamjet tona lidhur me çështjen e dhënë, si dhe përkitazi me faktet e tjera universale.[12]
Ndërsa Sha’raviu, gjatë komentimit të kësaj kaptine, ndër të tjera, thotë: “Në këtë kaptinë shihet se nuk kemi të bëjmë thjesht vetëm me një veprim, por me veprim të kryer sipas mënyrës së posaçme që nuk mund të kryhet nga askush tjetër përpos nga Allahu xh.sh.
Këtu Allahu xh.sh. sikur dëshiron të na e tërheqë vërejtjen se në natyrë ka veprime që kryhen sipas rregullave dhe ligjeve të përcaktuara qysh më parë nga ana e Allahut, por ekzistojnë edhe disa veprime që nganjëherë kryhen drejtpërdrejt me ndërhyrjen dhe Vullnetin e Allahut, jashtë ligjeve ekzistuese në këtë natyrë.
Për disa veprime që kryhen nëpërmjet këtyre ligjeve, njeriu edhe mund të mendojë se ligji e jo Allahu kanë vepruar, si p.sh. kur zjarri djeg, uji njom dhe shuan etjen, shpata pret etj., mirëpo nëse ndodh diçka në mënyrë jo të rëndomtë jashtë këtyre ligjeve, atëherë gjithkush duhet ta ketë të qartë se kemi të bëjmë drejtpërdrejt me ndërhyrjen hyjnore.
Kurse, sa i përket qëndrimit të tij ndaj mendimit të Abduhu-së, ky kritikon ashpër Muhammed Abduhu-në, i cili është përpjekur që çdo gjë ta deshifronte dhe ta krahasonte në bazë të aftësive mendore të njeriut. Në lidhje me këtë, Sha’raviu, ndër të tjera, thekson: “Kur z. Muhamed Abduhu në tefsirin e tij të xhuz’it “Amme” gjatë komentimit, arriti te kjo kaptinë – “El Fil” dhe te kjo ngjarje, u mundua të sqaronte se zogjtë tufa-tufa erdhën me disa mikrobe vdekjeprurëse, që shkaktuan infektime dhe sëmundje shkatërruese (lia dhe kolera) mbi ushtrinë e Ebrehesë, duke mohuar në një mënyrë, të paktën pjesërisht, këtë shfaqje të mrekullisë nga ana e Allahut xh.sh., një mrekulli që thjesht theu ligjet ekzistuese në natyrë, ngase mrekullia në esencë edhe ka një rol dhe funksion të tillë! A thua ç’iu desh Abduhusë të bënte një komentim të tillë? Përse Abduhu përjashtoi çdo mundësi që zogjtë të kenë ardhur me gurë të vërtetë? Përse Abduhu u përpoq që me çdo kusht të na bindte se një gjë të tillë nuk e pranon mendja e shëndoshë, d.m.th. që gurët të kenë qenë vetëm gurë të thjeshtë nga argjila, por ishin gurë me mikrobe dhe virusë vdekjeprurës?!
A mos ka menduar z. Abduhu se shpalljet (profecitë) janë aftësi njerëzore, apo afinitet njerëzor që mund të përfitohen nga përvoja njerëzore ?!
Jo, jo, veçse këto janë dhunti të Allahut për disa robër të zgjedhur, e mrekullitë e Allahut më kot përpiqesh t’i shpjegosh sipas asaj që mund ta perceptojë mendja njerëzore, sepse duhet ta kesh parasysh se, megjithatë mendja njerëzore është tejet e kufizuar për t’i kuptuar mrekullitë e Allahut që përbëjnë thyerje të rregullave të rëndomta të natyrës, të cilat po ashtu Vetë Allahu i Madhërishëm i krijoi .[13]
Sidoqoftë, ne në këtë rast anojmë nga mendimet e këtyre dy dijetarëve të fundit, se këtu vërtet fjala ishte për një mrekulli, të cilën nuk ka nevojë të përpiqemi ta elaborojmë në suaza të të perceptuarit tonë mendor, sepse urdhërues dhe ekzekutues i kësj mrekullie është Vetë Allahu xh.sh., i Cili është i Gjithfuqishëm, i Gjithëpushtetshëm dhe i Gjithëdijshëm. Në kompetencat e Tij është thyerja e ligjeve ekzistuese natyrore, të cilat Vetë Ai i krijoi dhe të cilat Ai i thyen kurdo të dëshirojë, ani pse një gjë të tillë shpeshherë mendja njerëzore me diapazon kaq të ngushtë të të kuptuarit, nuk është në gjendje ta perceptoje.
Porosia e kësaj sureje
– Kjo sure përmban në vete një mesazh shumë të fuqishëm për suksesin e misionit profetik të Muhamedit a.s.. Kur Allahu xh.sh. merr dikë në mbrojtje. Ai dhe e mban premtimin. Ashtu siç e mbrojti Shtëpinë e shenjtë–Qabenë, duke mos u dhënë rast idhujtarëve mekas ta mbronin atë, por intervenoi drejtpërdrejt me Vullnetin e Tij hyjnor për të zmbrapsur dhe asgjësuar agresorin, ashtu do ta mbrojë edhe të Dërguarin e Vet për ta përmbyllur me sukses misionin me të cilin e kishte ngarkuar
– Allahu xh.sh. dëshiroi që Meka të mos binte në duart e autoritetit të asnjë despoti, por të mbetej e lirë dhe e gatshme për të pritur që nga gjiri i saj të lindte njeriu që do të ngrinte lart famën dhe namin e saj, njeriun i cili për një kohë të shkurtër, i udhëzuar nga Drita e Allahut, nga ato fise arabe të shkapërderdhura andej e këndej e të armiqësuara në mes veti, të krijonte një popull që do t’ua lëkundte themelet e vura në padrejtësi dhe eksploatim të popujve të tjerë, të Perandorive më të fuqishme të asaj kohe, – Persisë dhe Bizantit.
– Dhe mesazhi i fundit i kësaj sureje u drejtohet të gjithë njerëzve: Askush të mos krenohet në këtë botë se ka pasuri dhe është i fuqishëm, sepse armiqtë e rrugës së vërtetë, rrugës së Allahut, sado të fuqishëm të jenë, megjithatë herët a vonë në çdo përpjekje të tyre kundër muslimanëve, do të jenë të gjykuar të dështojnë
Allahu xh.sh., pavarësisht nga dobësitë e kohëpaskohshme të muslimanëve, do ta mbrojë Islamin. Ai edhe më do ta mbrojë Shtëpinë e Vet nga çifutët dhe të tjerët, të cilët synojnë shtrirjen e pushtetit dhe të autoritetit mbi Tokën dhe Shtëpinë e shenjtë, sepse Allahu xh.sh. thotë:
“Ata (armiqtë e Islamit) dëshirojnë ta fikin Dritën (fenë) e Allahut me fjalët (propagandën) e tyre, po Allahu do ta plotësojë (përsosë) Dritën e Vet edhe pse këtë e urrejnë pabesimtarët” (Saff, 8).
[1] Muhamedinilemin bin Abdullah el Arumijj esh-Shafi’ijj – “Hadaiku-r-rrevhi ve-r-rrejhani fi revabi ulumi-l-Kur’ani”, vëll. 32, fq. 328, Bejrut-Liban, 2001.
[2] Ibn Ashur Et-Tahriru ve-t-tenviru vëll. XXX fq. 543
[3] Muhammed Esh-Shevkani, “Fet’hul Kadir”, vëll. V, fq. 500
[4] Xhelaluddin es-Sujuti, “Tertib Suveril Kur’an”. Fq. 166, Bejrut-1986.
[5] Luginë ku Allahu i zbriti dënimin Ebrehesë dhe ushtrisë së tij, vend afër Muzdelifes së sotme.
[6] Në lidhje me këtë ngjarje të pakontestueshme historike bëjnë fjalë të gjithë librat e historisë si dhe ata të tefsirit, të vjetrit dhe bashkëkohorët, andaj nuk e pashë të arsyeshme t’i citoj këto vepra emër për emër. (S.B.).
[7] Muhammed Mutevel-li Sha’ravi, “Tefsir suretej El-Fil ve Kurejsh”, fq. 17-22, Kajro, pa vit botimi
[8] Fahru Rraziu –“Et-Tefsirul Kebir (Mefatihul Gajb)”, vëll. 32, fq. 97., Kajro-Bejrut, 1985
[9] Sha’ravi, “Tefsir suretej El-Fil ve Kurejsh” fq. 22, Kajro, pa vit botimi
[10] Kadi el Bejdavi “Envaru-t-tenzil ve esraru-t-te’vil”, vëll. IX ,fq. 333, Konstantinopojë (Stamboll), 1303 hixhrij
[11] Muhammed Abduhu “Tefsirul Kur’anil kerim-xhuz’u Amme”, fq. 180-182, Bejrut, 1989
[12] Sejid Kutb “Fi Dhilallil Kur’an”, vëll. VI, fq. 3976-3979
[13] Sha’ravi, “Tefsir suretej El-Fil ve Kurejsh” fq. 22, Kajro, pa vit botimi
Sabri ef. Bajgora