Komentimi i kaptinës “El-Kevther”
إِنَّا أَعْطَيْنَاكَ الْكَوْثَرَ فَصَلِّ لِرَبِّكَ وَانْحَرْ إِنَّ شَانِئَكَ هُوَ الأَبْتَرُ
1. “Ne, vërtet të dhamë ty (o Muhammed) shumë të mira.
2. Andaj, ti falu për hir të Zotit tënd dhe pre kurban!
3. E s’ka dyshim se urrejtësi yt është farësosur”
(El-Kevther, 1-3)
Kaptina “El-Kevther” është kaptinë mekase, e zbritur pas sures “El-Adijat” dhe para sures “Et-Tekathur”. Ke ka gjithsej 3 ajete, 10 fjalë e 42 shkronja.[1] Në radhitjen e Mus’hafit mban numrin 108, kurse në radhitjen e zbritjes është e 15-ta.[2]
Transmeton Ibn Merduvije nga Ibn Abbasi, Ibn Zubejri dhe nga Aisheja, se kaptina “El Kevther” ka zbritur në Mekë.[3]
Në anën tjetër, Hasan el Basriu, Ikrimja, Muxhahidi dhe Katadeja janë të mendimit se kjo kaptinë ka zbritur në Medinë; këtë mendim e përkrah edhe Ibn Kethiri.
Sidoqoftë, mendimi i parë është më i pranuari, d.t.th. se kjo sure ka zbritur në Mekë, ani pse nuk përjashtohet mundësia që kjo sure të ketë zbritur dy herë, një herë në Mekë e pastaj edhe në Medinë.[4]
Emërtimi i kësaj kaptine.
Kjo kaptinë është emërtuar “El-Kevther”, sepse qysh në ajetin e parë të saj, Allahu xh.sh. i drejtohet të dërguarit të Tij me përgëzimin: “Ne, vërtet të dhamë ty (o Muhammed) shumë të mira” . Fjala “Kevther” këtu përfshin mirësitë e shumta e të pakufishme (mendim ky i Ibn Abbasit), nga të cilat mirësi është edhe lumi apo kroi “Kevther”, një prej lumenjve më madhështorë të Xhennetit që i është premtuar Muhammedit a.s.[5]
Vlera e kësaj kaptine
– Transmetohet nga Enesi r.a. të ketë thënë: “Një ditë, derisa ishim duke ndenjur me Resulullahun s.a.v.s., atë e kaploi një kotje dhe, pasi u përmend (zgjua), ngriti kokën duke buzëqeshur. Çfarë të bëri të buzëqeshje kaq shumë, o i Dërguar i Allahut? – e pyetëm ne. – “Sapo më zbriti njq sure, tha Resulullahi s.a.v.s dhe e lexoi atë në praninë tonë: “Inna a’ëtajnakel kevther…”, e pastaj na pyeti: “A e dini se ç’është “Kevther”?Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë, – ia kthyem ne. – Atëherë i Dërguari i Allahut na tha: “Kevtheri është një lumë, të cilin Allahu xh.sh., ma ka premtuar mua. Në të ka mirësi të shumta. Ai është kroi-burimi (havdi) tek i cili do të vijnëYmeti im në Ditën e Gjykimit. Enët (tasat) e tij janë sa yjet (në qiell) Dikush prej tyre do të privohet e pengohet nga (pirja e ujit), e unë do të them: O Zoti im! Ky është prej Ymetit tim, ndërsa Ai do të më thotë: Ti nuk e di se cfarë ka bërë (Ymeti yt prej risive në fe) pas teje.”[6]
– Në sahihun e Muslimit ka edhe një shtesë të pjesës së fundit të hadithit, ku Pejgamberi a.s. thotë: “Do të vijnë para Havdit (kroit) tim njerëz, prej atyre që më kanë shoqëruar (ashabë), derisa unë i shikoj ata tw shtanguar teksa privohen të pijnë, (nga kroi) ndërsa unë do të them: O Zoti im! Këta janë ashabët e mi, ashabët e mi, e do të më thuhet: Ti nuk e di se cfarë kanë bërë ata (prej risive në fe) pas teje”[7]
– Transmetohet nga Aliu r.a.të ketë thënë se i Dërguari i Allahut e falte namazin e Vitrit me nëntë sure. Në rekatin e parë këndonte: (El-Hakumu-t-Tekathur), (Inna enzelnahu fi lejletil kadri) dhe (Idha Zulziletil erdu), në rekatin e dytë këndonte: (Ve-l Asri), (Idha xhae nasrullahi vel fet’h) dhe(Inna a’tajnake-l Kevther) kurse në rekatin e tretë këndonte: (Kul ja ejjuhel kafirun), (Tebbet jeda Ebi Lehebin) dhe (Kul Huvallahu ehad)”[8]
Shkaku i zbritjes së kaptinës
Kjo kaptinë ka zbritur në lidhje me As bin Vail es-Sehmiun, një prej armiqve më të përbetuar të Muhammedit a.s..
-Transmetohet nga Ibn Abbasi se As bin Vail es Sehmiu, një ditë e kishte takuar të Dërguarin e Allahut në të dalë të Qabesë dhe kishte ndërruar disa fjalë me të. Kur As bin Vaili u afrua pranë parisë kurejshite në oborrin e Qabesë, ata e pyetën: Me kë bisedove pak më parë? Ai me një sarkazm u qe përgjigjur: Po flisja me atë farësosurin (ebterin), duke aluduar Muhammedin a.s., të cilit kohë më parë i kishte vdekur i biri Abdullahu. Në kohën e injorancës arabët kishin një zakon të keq, që personin i cili nuk kishte djalë–pasardhës, ta quanin me emrin “ebter”– farësosur.
-Po ashtu ka edhe një transmetim që transmetohet nga Ibn Abbasi, se As bin Vail es Sehmiu, kur kalonte pranë Muhammedit a.s., i thoshte:“Unë të urrej, sepse ti je njeri pa trashëgimtar-farësosur”, dhe për këtë shkak Allahu xh.sh. zbriti këtë kaptinë.
-Po ashtu për As bin Vail es-Sehmiun thuhet që në një tubim të kurejshëve, ku ishte përmendur emri i Muhamedit a.s., nga zemrimi kishte thënë:“Lereni dhe mos e përmendni më. Ai është njeri farësosur dhe pa trashëgimtar. Me vdekjen e tij merr fund çdo gjë, dhe pastaj do të jeni të qetë nga ai”, dhe për këtë arsye Allahu xh.sh. e zbriti këtë kaptinë.[9]
Lidhshmëria e kësaj kaptine me kaptinën paraprake “El-Maun”
Kjo kaptinë ka lidhmëri më të fuqishme me suren paraprake, se ndoshta të gjitha suret e tjera në Kur’an.
Në kaptinën “El-Maun” Allahu xh.sh. pabesimtarët dhe munafikët, të cilët e mohojnë shpërblimin dhe ndëshkimin e Ahiretit, I dallonte për katër cilësi:
1. për koprraci në ajetin:”ve la jehuddu ala tamil miskin” – “dhe nuk nxit (të tjerët) për ta ushqyer të varfrin”, pastaj
2. për lënien e namazit në ajetin: “El-ledhine hum an salatihim sahun” – “të cilët janë të shkujdesur (të harrueshëm), për namazin e tyre”, pastaj
3. për hipokrizi para syve të botës në ajetin: “El-ledhine hum juraune” – “e që shtiren (sa për sy e faqe para botës)”, dhe, në fund,
4. për ndalimin e lëmoshës, zekatit dhe të ndihmave të tjera në pjesën e fundit të po këtij ajeti të shtatë: “ve jemneunel maun” – “dhe nuk japin ndihmë rasti (apo hua as gjërat më të nevojshme jetësore)!”
Kurse në suren “El-Kevther” Allahu, kundruall këtyre katër cilësive të hipokritëve dhe pabesimtarëve, ka përmendur katër cilësi të Resulullahut s.a.v.s.
1. P.sh. në ajetin e parë, i Dërguari a.s. përgëzohet me fjalët “Ne, vërtet të dhamë ty (o Muhammed) shumë të mira”, që do të thotë: Muhammed, mos u bëj koprrac, por jep, sepse Allahu të ka dhënë të mira të panumërta, Allahu që është më Bujari dhe më Fisniku, Allahu që të zgjodhi ty prej tërë njerëzimit si mëshirë për botët.
2. Pastaj, të dërguarin e Vet e porosit të jetë i rregullt në namaz me fjalët: “Fe sal-li”- “Falu!”, kundruall lënies dhe shkujdesit të hipokritëve për faljen e namazit.
3. Pastaj e ka urdhëruar që këtë namaz ta bëjë me sinqeritet dhe vetëm për Zotin “Fe sal-li li rabbike”– “Andaj, ti falu për hir të Zotit tënd” e jo sa për sy e faqe, siç bënin hipokritët,
4. dhe në fund e urdhëron Muhammedin a.s. “venhar!”-“pre kurban!” për të dhënë sadaka mish, pas prerjes së kurbanit, kundruall ndalesës së ndihmës a zekatit nga ana e hipokritëve.
Kjo sure përfundon me fjalët “E, s’ka dyshim se urrejtësi yt është farësosur”, që do të thotë se pabesimtari dhe munafiku që i ka këto cilësi të këqija, gjithsesi do të vdesë dhe nuk do të mbetet asnjë gjurmë e kujtimit të tij në këtë botë, kurse për ty, o Muhammed, në këtë botë do të mbetet shenja dhe kujtimi i mirësisë, e në Ahiret do të jesh prej të afërmve dhe të shpërblyerve.[10]
Koment:
إِنَّا أَعْطَيْنَاكَ الْكَوْثَرَ
1. “Ne, vërtet të dhamë ty (o Muhammed) shumë të mira.
Kjo sure fillon me një fjali përgëzuese për Muhammedin a.s. nga ana e Krijuesit. Është kjo një fjali aq domethënëse, saqë vështirë është të bëhet ndonjë koment gjithëpërfshirës, meqenëse Vetë Allahu xh.sh. me këtë fjali i ka përfshirë të gjitha kuptimet e mundshme.
Rreth domethënies së fjalës “Kevther”, dijetarët kanë dhënë shumë mendime, madje disa numërojnë 26 sosh, të cilat në përgjithësi flasin për shumë të mira që i janë dhënë Muhammedit a.s., megjithëse kuptimi më i përafërt është ai që e ka zgjedhur Ibn Abbasi, sipas të cilit fjala“Kevther” do të thotë “mirësi e madhe, e shumtë dhe e pakufishme”. Transmetime të tilla nga Ibni Abbasi përcjellin edhe nxënësit e tij Seid bin Zubejri dhe Muxhahidi, se fjala është për të mira të shumta.
Transmetojnë Buhariu, Tirmidhiu dhe Hakimi nga Ebu Bishr dhe nga Ata’ë bin Saib, të kenë thënë: “I kemi thënë Seid bin Zubejrit se disa njerëz thonë që Kevtheri është lumi në Xhennet që i është dhuruar Muhammedit a.s. e ai na e ktheu: E kemi të përcjellë nga Ibn Abbasi se lumi “Kevther”, që është në Xhennet, është vetëm një prej mirësive të shumta që i janë dhuruar Resulullahut s.a.v.s.”[11]
Për këto mirësi dhe për domethënien e mundshme të fjalës “El-Kevther”, Kurtubiu në tefsirin e tij, ndër të tjera, ka shkruar shumë mendime të dijetarëve, (16 sosh), dhe thotë: “Komentatorët në lidhje me këtë fjalë kanë thënë:
1. Fjala “El-Kevther” nënkupton lumin në Xhennet, të cilin Allahu xh.sh. ia ka dhuruar më të dashurit të Tij, Muhammedit a.s.
Transmetojnë Buhariu dhe Tirmidhiu nga Enesi r.a. i cili ka thënë: E kam dëgjuar Resulullahun s.a.v.s. duke thënë: “Kevtheri është një lumë në Xhennet, brigjet e të cilit janë prej ari, buron nga një gurrë margaritarësh dhe smeraldësh, balta e shtratit të tij e ka erën më të këndshme së myshku, kurse uji i tij është më i ëmbël se mjalti. Ai është më i bardhë se bora dhe kush pi prej ujit të tij, ai kurrë më nuk do të ndiejë etje.” [12]
2. “El-Kevther” është kroi (havdi) i Pejgamberit a.s., nga i cili do të pijë çdo pjesëtar i ymetit të Muhammedit a.s. Ky është mendim i Ataut, i cili ka mbështetje në hadithin që transmetojnë Muslimi dhe Tirmidhiu, po ashtu nga Enesi r.a., i cili ka thënë: “Një ditë, derisa ishim duke ndenjur me Resulullahun s.a.v.s., atë e kaploi një kotje dhe, pasi u përmend (zgjua), ngriti kokën duke buzëqeshur. Çfarë të bëri të buzëqeshje kaq shumë, o i Dërguar i Allahut? – e pyetëm ne. – “Sapo më zbriti një sure, tha Resulullahi s.a.v.s dhe e lexoi atë në praninë tonë: “Inna a’ëtajnakel kevther…”, e pastaj na pyeti: “A e dini se ç’është “Kevther”? Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë, – ia kthyem ne. – Atëherë i Dërguari i Allahut na tha:“Kevtheri është një lumë, të cilin Allahu xh.sh., ma ka premtuar mua. Në të ka mirësi të shumta. Ai është kroi-burimi (havdi) tek i cili do të vijnëYmeti im në Ditën e Gjykimit. Enët (tasat) e tij janë sa yjet (në qiell)…”[13]
3. Kevtheri është pejgamberia dhe Libri;- ky është mendim i Ikrimes.
4. Kevtheri është Kur’ani famëlartë- ky është mendim i Hasen el Basriut.
5. Kevtheri është feja islame – ky është mendimi i Mugires.
6. Kevther do të thotë lehtësimet në Sheriat dhe mundësia e të nxënit përmendsh të Kur’anit – ky është mendim i Husejn bin Fadlit.
7. Kevther është numri i madh i as’habëve dhe i pjesëtarëve të ymetit të Muhammedit a.s. – ky është mendim i Ebu Bekr bin Ajjashit.
8. Kevther do të thotë altruizëm[14] – ky është mendim i Ibn Kejsanit.
9. Është lavdi dhe ngritja e emrit të Muhammedit a.s.: “Ve refa’ëna leke dhikrek” – “Dhe Ne, ta ngritëm lart famën tënde” (El-Inshirah, 4)– ky është mendim i Maverdit.
10. Është drita në zemrën e Muhammedit a.s. – kështu mendon Xha’fer Sadiku.
11. Kevther nënkupton Shefatin dhe pozitën e lartë të Muhammedit a.s në Ahiret (mekami mahmud).
12. Mrekullitë – ky është mendim i Tha’lebiut.
13. Fjala “La ilahe il-la Allah, Muhammedun resulul-llah” – ky është mendim i Hilal bin Jesafit.
14. Të thelluarit në çështjet e dispozitave të fesë.
15. Falja e pesë namazeve të ditës.
16. Madhështia (krenaria) e Muhammedit a.s. – ky është mendim i Ibn Is’hakut.
Prej të gjitha këtyre mendimeve, më të saktat janë dy mendimet e para, sepse për to ka mbështetje edhe nga vetë fjalët e Pejgamberit a.s.[15],- përfundon Kurtubiu.
Megjithatë, ndër dijetarët bashkëkohorë, duke filluar nga Muhamed Abduhu[16], Abdurrahman bin Nasir es-Sa’di[17], Sejid Kutbi[18], Mahmud Hixhazi[19], dhe Sha’ravi[20], mbretëron bindja se të shpjeguarit e Kevtherit, vetëm me emrin e lumit apo kroit që i është premtuar Resulullahut s.a.v.s. në Xhennet, është shumë pak, në krahasim me të mirat e tjera që i janë dhuruar atij, siç janë, pejgamberia, Kur’ani, ymeti, lartësimi i emrit të tij, Islami, Udhëzimi, Shefati etj. Mendimin e tyre e preferojmë edhe ne, aq më parë kur për këtë kemi mbështetje edhe në komentin që i ka dhënë kësaj fjale Ibn Abbasi.
فَصَلِّ لِرَبِّكَ وَانْحَرْ
2. Andaj, ti falu për hir të Zotit tënd dhe pre kurban!
Ajeti i dytë i kësaj kaptine është një urdhër i qartë hyjnor drejtuar Muhammedit a.s., se namazi, sakrifica dhe çdo ibadet tjetër, duhet të jenë thjesht vetëm për Allahun xh.sh.. Do të thotë, o Muhammed, ji i kujdeshëm në faljen e namazeve të detyruara, dhe pre kurban vetëm për Allahun.
Ibn Abbasi është i mendimit se këtu fjala është për faljen e 5 namazeve të detyruara, kurse fjala “venhar!”–“pre kurban-flijo”, sipas tij ka për qëllim flijimin në ditën e kurban-bajramit.[21]
Disa nga dijetarët, si Katadeja, Ikrimja dhe Atau, kanë thënë se këtu fjala është për faljen e namazit të kurban-bajramit, pas të cilit pason urdhri për të prerë kurban.[22]
Dihet se para shpalljes së fundit hyjnore, ishte traditë e idhujtarëve që gjatë tavafit rreth Qabesë, t’u luteshin idhujve duke fishkëlluar dhe duke ecur lakuriq. Pastaj, për hir të tyre, flijonin kurbanë të ndryshëm, që gjoja të arrinin bekimin e tyre. Shumë prej dijetarëve, duke u nisur nga këto tradita të mbrapshta të idhujtarëve, konsiderojnë se ky ajet: Andaj, ti falu për hir të Zotit tënd dhe pre kurban! është një urdhër i qartë se namazi–lutja duhet të jetë vetëm për Allahun, Krijuesin e botëve, sikur edhe flijimi-sakrifica që duhet të bëhet vetëm në emër të Tij, ku besimtari bashkon sinqeritetin me besimin, duke besuar bindshëm se Allahu është Një dhe i pashoq, dhe se vetëm Ai meriton flijimet tona.
Në lidhje me këtë porosi hyjnore kemi edhe një ajet tjetër kuranor, kur Pejgamberi a.s. porositet nga i Lartrmadhërishmi me fjalët: “Thuaj: namazi im, kurbani (flijimi) im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për Allahun, Zotin e botëve! Ai nuk ka shok (të barabartë me Të). Me këtë jam i urdhëruar dhe jam i pari (që i nënshtrohem Vullnetit të Tij si) musliman” (El-En’am, 162-163)
إِنَّ شَانِئَكَ هُوَ الأَبْتَرُ
3. E s’ka dyshim se urrejtësi yt është farësosur”
Thamë në fillim se kjo kaptinë ka zbritur në lidhje me As bin Vail es Sehmiun, njërin prej idhujtarëve me qëndrimin më armiqësor ndaj Resulullahut s.a.v.s.
Ky ajet kuranor është një fuqizim moral për Pejgamberin a.s., të cilit, sipas vetë urtësisë së Allahut xh.sh., djemtë nuk i jetonin. Mirëpo, vdekja e hershme e tyre ishte një pretekst për tallje dhe ironizim të tij nga ana e idhujtarëve, të cilët mendonin se fuqia dhe krenaria e një personi maten vetëm me pasurinë dhe numrin e djemve-pasardhësve.
Ata nuk e kuptonin fare se pas kësaj qëndronte një urtësi e madhe e Allahut xh.sh., i cili kishte përcaktuar që emri i Muhammedit a.s. jo që nuk do të harrohej, po përkundrazi, kujtimi dhe përshëndetjet e miliarda besimtarëve deri në ditën e Kiametit do të bëheshin vazhdimisht për të. Emri i tij do të përmendet në fillim dhe gjatë çdo namazi, kur besimtarët qëndrojnë në etehijat. kurse armiqtë e tij, si As bin Vaili, Ebu Xhehli, Ebu Lehebi e të tjerë, shumë shpejt do t’i mbulonte pluhuri i harresës, sikur të mos kishin ekzistuar fare, po edhe nëse përmenden, emrat e tyre do të jenë vetëm sinonim i së keqes dhe i errësirës. Të kujtojmë vetëm Ebu Xhehlin, djali i të cilit Ikrime ibn Ebi Xhehl, as nuk donte të dëgjonte për emrin e babait të tij, dhe po t’ia përmendte dikush, bëhej sikur nuk dëgjonte, sepse zemra e tij ishte mbushur me iman dhe dashuri vetëm për Allahun dhe për të Dërguarin e tij-Muhammedin a.s.
Për këtë arsye Allahu xh.sh. me zbritjen e kësaj sureje, dëshiroi ta qetësonte të dërguarin e Vet, që të mos dëshpërohej se po i vdisnin djemtë, sepse i Larmadhërishmi e kishte dërguar atë si vulë të pejgamberëve dhe i kishte lejuar shefatin-ndërmjetësimin për ymetin e tij në Ditën e Gjykimit.
Porosia e kësaj sureje:
– Nderimi dhe fisnikërimi i Pejgamberit a.s. nga ana e Allahut xh.sh., ku i bëhet me dije Resulullahut s.a.v.s. se Allahu e kishte zgjedhur nga mbarë njerëzimi që të ishte bartës i Shpalljes, dhe se për të ishin përgatitur të mira të pakufishme, si në këtë botë ashtu edhe në Ahiret
– Prej këtyre dhuntive të shumta që i janë premtuar Muhammedit a.s., pa dyshim është edhe kroi apo lumi i Kevtherit në Xhennet, nga ujët e të cilit do të shuajë etjen çdo pjesëtar i ymetit të tij.
– Allahu xh.sh. e urdhëroi të Dërguarin e Tij dhe krejt ymetin që të jenë të kujdesshëm për namazet dhe për flijimet e tyre, që ato të bëhen vetëm në emër të Allahut dhe të askujt tjetër, sepse në adhurime duhet të ketë sinqeritet, sidomos gjatë namazit dhe flijimit.
– Përgëzim për Pejgamberin a.s. se ai do të ngadhënjente ndërsa armiqtë e tij do të pësonin disfatë të plotë.
[1] Muhamedinilemin bin Abdullah el Arumijj esh-Shafi’ijj – “Hadaiku-r-rrevhi ve-r-rrejhani fi revabi ulumi-l-Kur’ani”, vëll. 32, fq. 374, Bejrut-Liban, 2001.
[2] Ibn Ashur Et-Tahriru ve-t-Tenviru vëll XXX fq. 572
[3] Imam Shevkaniu, “Fet’hul Kadir”, vëll. V, fq. 508
[4] Ebu Bekr el Xhezairij “Ejseru-t-Tefasir” , vëll. V, fq. 621
[5] Dr. Vehbete ez-Zuhajli “Et-Tefsirul Munir”, vëll.30, fq. 428
[6] Transmeton Muslimi (400). Hadithi është i kategorisë “sahih”
[7] Transmeton Muslimi (2304), Shih Sahihul Xhami’ë fq. 312-313
[8] El-Kitabul Xhami’ë li fedailil Kur’an, fq. 302; Këtë transmetim e kanë përcjellë dhe shënuar si “Sahih”, Imam Ahmedi (1/89); Imam Tahaviu nëSherh meanil athar 1/290; Bezzari 3/82; dhe Ebu Ja’la 1/356. Në lidhje me këtë transmetim, Ibn Haxher el Askelani në veprën e tij Telhisul habir2/19, thotë se Isnadi i tij është “i mirë”-“hasen”.
[9] Ebul Hasen el Vahidi en Nisaburi “Esbabu-n Nuzul”, fq.260, Bejrut, pa vit botimi
[10] Fahru Rrazi “Et-Tefsirul Kebir”, vëll. 32, fq. 117
[11] Taberiu, vëll 30, fq. 321
[12] Transmetojnë Buhariu dhe Tirmidhiu
[13] Transmeton Muslimi (400). Hadithi është i kategorisë “sahih”
[14] Altruizëm do të thotë: “Gatishmëria për të flijuar të mirën vetjake për të mirën e të tjerëve; dëshira e synimi për t’i bërë mirë tjetrit”. Shih: Fjalori i gjuhës së sotme shqipe, vëll. I (A-M), fq, 25, Prishtinë, 1981.
[15] Kurtubiu, “El Xhamiu li ahkamil Kur’an” vëll. XX, fq. 217-218, Kajro 1372 h.
[16] Muhammed Abduhu, “Tefsir Kur’anil Kerim-xhuz’u Amme”, fq. 192, Bejrut-Kajro, 1989
[17] Abdurrahman bin Nasir es-Sa’di “Tejsirul Kerimi–rr-Rrahman fi tefsiri kelamil mennan”, vëll. II fq. 1306, Kuvejt , 2000.
[18] Sejjid Kutb “Fi Dhilalil Kur’an”, vëll VI, fq. 3988, Bejrut 1986
[19] Mahmud Hixhazi “Tefsirul Vadih” vëll. 30, fq. 85, Kajro 1975
[20] Muhammed Mutevel-li Sha’ravi “Tefsir Suretul Maun, El-Kevther dhe El-Kafirun”, fq. 11, Kajro 1980
[21] Transmetojnë Ibn Xheriri, Ibn Mundhiri dhe Bejhekiu
[22] Imam Shevkaniu, “Fet’hul Kadir”, vëll. V, fq. 508
Sabri ef. Bajgora