Ismail ibn Kethir (701-774 h.)
dhe tefsiri i tij
“Tefsirul Kur’anil Adhiim”
Biografi e shkurtër
Emri i tij i plotë është Ismail ibn Amr ibn Kethir ibn Dav’u ibn Kethir ibn Zer’u, el Kajsi, el-Busrevi, ed-Dimeshki. U lind në Busra një fshat në veri të Damaskut në vitin 701 h.[1] Ibn Kethiri njihet me ofiqet më të larta të nderit me të cilat e quajtën dijetarët: El Imam, El Hafidh, Imaduddin, Ebul Feda’ë, etj.
Derisa Ibn Kethiri ishte në moshën e njomë, 4 vjeç, i vdiq babai, i cili ishte një ligjërues i njohur në Busra, prandaj kujdesin ndaj tij e mori i vëllai, Abdul Vehabi. Në moshën 7 vjeç së bashku me të vëllanë u shpërngulën në Damask dhe prej atje fillon shtegtimi i tij i dijes. Së pari mësimet fillestare i mori nga i vëllai e pastaj vazhdoi me dijetarët më të mëdhenj të kohës, ndër ta edhe Ibn Shehine, El Amidiu, Ibn Asakiri, Ibnul Ferkah, Ez Zerradi, El Mizzi dhe Ibn Tejmijen, të cilin e donte dhe e respektonte aq shumë, saqë për shkak të përkrahjes së fetvasë së tij në lidhje me shkurorëzimin, përjetoi edhe tortura nga fundi i jetës së tij.[2] Pastaj mori mësime edhe prej Shemsuddin Muhammed ibn Ahmed edh-Dhehebit , Ebul-Fet-h ed-Debusit etj..
Vdiq dhe u varros në Damask në vitin 774 h. pranë varrit të mësuesit të tij të dashur Ibn Tejmije.
Pozita e tij në dije
Ibn Kethiri, si emër dhe si dijetar, me meritë zë një vend të posaçëm nderi ndër dijetarët, sepse ai me veprat e tij madhështore që la pas, e bëri të pavdekshëm emrin e tij prej mufessiri dhe dijetari të gjithanshëm. Tefsirologët e konsiderojnë si njërin prej mufessirëve më të mëdhenj të Botës Islame, posaçërisht kur është fjalë për tefsirologët e metodës tradicionaliste të komentimit.
Emrit të tij, kudo nëpër libra, i është shtuar edhe grada e nderit “Hafidh”, e cila tregon për kontributin e madh që i ka dhënë ky shkencës së hadithit, në të cilën edhe mori këtë titull.
Ibn Kethiri, qysh në rininë e tij të hershme, tregoi shenja të zgjuarsisë dhe të inteligjencës së pashoqe. Ai në moshë të re përveçqë mësoi përmendsh Kur’anin, mësoi pothuaj përmendsh edhe shumë vepra të tjera të rëndësishme të proveniencës islame.
Në lidhje me zgjuarsinë e tij, autori i veprës “Shedheratu-dh-Dheheb” – Ibnul Imad el Hanbeli, i cili njëherësh ishte edhe nxënës i Ibn Kethirit, thotë: “Ai mbante shumë në mend, shumë pak harronte kurse edhe më mirë kuptonte…”[3]
Ibn Kethiri vazhdoi guximshëm të hidhej në valët e dijes derisa arriti në majat e saj, me veprat e tij të mëdha, që edhe sot e kësaj dite lexohen me admirim nga lexues të shumtë anekënd Botës Islame.
Ibn Haxher el Askelani citon fjalët e imam Dhehebiut nga vepra e tij e njohur “El-Mu’xhemul muhtass” të ketë thënë për Ibn Kethirin: “Ishte muftiu më i dalluar (që jepte fetva në mënyrë të pavarur) muhaddith i shkëlqyeshëm, njohës i thellë i të drejtës së Sheriatit dhe mufessir i rrallë”[4]
Ibn Hubejbi, ndër të tjera, për të ka thënë: “Në kohën e tij ishte dijetar pa konkurrencë dhe i pakrahasueshëm në shkencat e historisë, hadithit dhe tefsirit”.
Autori i “Tabekatul Mufessirin”, Shemsudin ed-Davudi, në biografinë e tij, ndër të tjera, ka shënuar: “Ishte shëmbëlltyrë për dijetarët e tjerë, sidomos për hafizët e shkencës së hadithit në përcjelljen besnike të isnadeve të haditheve”.[5]
Në fund, një vlerësim të çmuar për këtë dijetar ka dhënë edhe dijetari bëshkëkohor, Dr. Muhammed edh-Dhehebiu, i cili për të thotë: “Në çdo rast, dija e Ibn Kethirit i bëhet e qartë secilit që lexon tefsirin e tij dhe librin e shkruar nga ai në lëmin e historisë “El-Bidaje ve-n-Nihaje”. Këto dy vepra bëjnë pjesë ndër librat më madhështorë të shkruar ndonjëherë nga njerëzit (dijetarët)”[6]
Veprat e shkruara të tij
Ibn Kethiri shkroi një numër të madh veprash në shumë disiplina shkencore islame, disa prej të cilave, siç është tefsiri i tij i njohur “Tefsirul Kur’anil Adhim” edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të shtypen e të botohen në tirazhe rekorde.
Ibn Haxher el Askelani në veprën e tij “Ed-Durrerul kamineh”, ndër të tjera, ka thënë: “Veprat e tij u përhapën edhe në të gjallë të tij, e njerëzit i shfrytëzuan edhe më shumë pas vdekjes së tij. Vërtet është një rast i rrallë që ndonjë dijetar të shkruajë vepra aq madhështore në shumë lëmenj, e ato të konsiderohen si libra bazë”.[7]
Prej veprave të tij do të veçonim:
1. “Tefsirul-Kur’anil-Adhim” – tefsiri i tij i njohur, i cili deri më sot ka pasur qindra botime; për këtë vepër do të flasim më gjerësisht.
2. “El-Bidaje ve-n-Nihaje” (Fillimi dhe fundi) – një vepër e shkëlqyeshme historike, e botuar në 14 vëllime të mëdha. Në këtë vepër Ibn Kethiri, në bazë të ajeteve kuranore dhe haditheve të Pejgamberit a.s., flet mbi krijimin e botës, mbi të gjithë pejgamberët prej Ademit a.s. e deri tek Muhammedi a.s. Në këtë libër janë përfshirë ngjarjet më të rëndësishme historike deri në vitin 767 hixhri; aty flitet edhe për momentet e fundit të kësaj bote, për parashenjat e Kiametit, për ringjalljen dhe llogarinë e fundit. Kjo vepër edhe në kohën tonë gëzon një reputacion të madh tek dijetarët.
3. “Et-tekmil fi ma’rifetith-thikati ved-du’afa’i vel-mexhahil” – është një vepër e hadithit që flet për transmetuesit e haditheve.
4. “El-Hedju ve-s-Senenu fi ehadithil-mesanidi ves-suneni” – Në këtë vepër Ibn Kethiri ka tubuar gjashtë koleksionet më të mëdha të hadithit, të cilave pastaj ua ka bashkëngjitur edhe Musnedin e Imam Ahmedit, Bezzarit, Ebu Ja’lait dhe Ibn Shejbes. Që të gjitha hadithet i ka klasifikuar e radhitur në kapituj përkatës.
5. “Sherhu Sahihil-Buhari” (Koment i Sahihut të Buhariut) – të cilin nuk arriti ta përfundonte.
6. “Ihtisaru Ulumil-hadith” – Një përmbledhje e shkurtër e veprës së Ibn Sallahut në lëmin e shkencave të hadithit.
7. “Musnedu-sh-shejhajn” – koleksion i haditheve që transmetohen nga Ebu Bekri dhe Omeri r.a.
8. “Tabekatul-fukahai-sh-shafi’ijjin” – vepër e cila tregon për biografinë e dijetarëve më të mëdhenj të medhhebit shafii. Edhe Ibn Kethiri i përkiste këtij drejtimi juridik.
9. “Risale fil-xhihad”.
10. “El-Ixhtihad fi talebil-xhihad”.
11. “Ihtisaru-s-sireti-n-nebevijje” – biografi e shkurtër e Muhammedit a.s., e shtypur dhe e botuar me titullin: ”EL-FUSUL FI IHTISARI SIRETI-RR-RRESUL”
12. “Kitabul-ahkam” – Një vepër madhështore në lëmin e Fikhut, të cilën fatkeqësisht nuk arriti ta përfundonte të tërën, arriti deri te kapitulli i Haxhit.
13. “Menakibu-sh-Shafi’i” – Vepra mbi jetën dhe personalitetin e Imam Shafiut.
14. “Kitabul mukaddimat”.
15. “Tahrixh ehadith Muhtesar Ibnul Haxhib”, etj.[8]
Tefsiri i Ibn Kethirit
“Tefsirul Kur’anil Adhim”
Tefsiri i Ibn Kethirit “Tefsirul-Kur’anil-Adhim” (Komentim i Kur’anit të Madhërishëm) është pa dyshim njëra prej veprave të tij më të mëdha e më të vlefshme. Dijetarët, pa dallim, këtë tefsir e konsiderojnë ndër tefsirët më të mirë të të gjitha kohëve. Kështu tefsirologu i mirënjohur Shevkaniu për këtë tefsir thotë se është njëri ndër tefsirët më të mirë, mbase më i miri. Të njëjtin vlerësim e ka dhënë edhe Zerkaniu.[9] Dallime në vlerësime manifestohen vetëm kur bëhen krahasime në mes tefsirit të Taberiut dhe atij të Ibn Kethirit, sepse dihet që tefsiri i Taberiut është më i vëllimshëm dhe përmban më shumë transmetime. Dhe sigurisht, shikuar nga ky aspekt është më i vlefshëm, mirëpo tefsiri i Ibn Kethirit, që është me madhësi mesatare, është më praktik e më i saktë, dhe më i lexueshëm për masën, duke marrë parasysh se në të ka më pak transmetime të dobëta sesa në tefsirin e Taberiut.
Ky tefsir deri më tash ka pasur shumë botime dhe me tirazhe rekorde, zakonisht në 4 vëllime. Ky tefsir ka pasur edhe disa botime në versione të shkurtuara, të cilat i kanë bërë dijetarët e mëdhenj, si Ahmed Shakir, Muhammed Nesib er-Rifa’i dhe Muhammed Ali es-Sabuni. Në versionin e shkurtuar botohet zakonisht në 3 vëllime.
Metoda që ndoqi Ibn Kethiri në tefsirin e tij
Siç theksuam më parë, ky tefsir është i dyti nga vlera pas tefsirit të Taberiut, me metodën e komentimit tradicional, por është i pari për nga tirazhi i botuar.
Në këtë tefsir Ibn Kethiri ndoqi besnikërisht metodën tradicionale të komentimit, së pari duke komentuar ajetet kuranore me ajete të tjera kuranore, pastaj ajetet me hadithe dhe, në fund duke marrë edhe komentimet e ashabëve dhe të tabiinjve, për se i ka tejkaluar të gjithë mufessirët.[10]
Ibn Kethiri që në parathënie të tefsirit të tij, duke cituar fjalët e mësuesit të tij Ibn Tejmije, të cekura në “Mukaddime fi Usuli tefsir”, thotë se mënyra më e mirë e komentimit është komentimi i Kur’anit me Kur’an, pastaj me hadithe (Synet) e pas këtyre dy burimeve me fjalët (komentimet) e ashabëve dhe të tabiinjve.[11]
Ibn Kethiri në fillim të çdo sureje sjell disa shënime të shkurtra përkitazi me suren, nëse ajo është mekase apo medinase, për emërtimet e saj, ç’është transmetuar në lidhje me vlerën e saj, për numrin e ajeteve të sures, madje nganjëherë sjell edhe numrin e shkronjave e të fjalëve të ndonjë sureje.[12]
Gjatë komentimit të ajeteve, Ibn Kethiri sjell po ashtu një numër të madh të haditheve, meqenëse ishte njohës i madh i hadithit.
Ibn Kethiri në shumë raste sjell edhe mendimet e Taberiut, të cilin, siç thotë ai, e kishte shembull si një mufessir të madh.
Në tefsirin e tij ai sjell shumë ngjarje e ndodhi të pejgamberëve, ngase ishte njohës i madh edhe i historisë, për se ishte dhe mbeti i patejkalueshëm nga ana e dijetarëve të tjerë.
Ibn Kethiri po ashtu kishte një qëndrim kritik edhe ndaj israiliateve, të cilat të shumtën e rasteve i demaskon duke i quajtur si gënjeshtra dhe shpifje.
Gjatë analizave të thukëta që i janë bërë këtij tefsiri të madh, dijetarët kanë veçuar disa nga pikat më të rëndësishme që ka trajtuar Ibn Kethiri; nga të cilat janë:
Qëndrimi i tij ndaj tefsirit racional
Ibn Kethiri ishte mufessir që preferonte metodën tradicionale të komentimit, do të thotë së pari tefsiri i Kur’anit me Kur’an, pastaj me hadith, pastaj me fjalët e ashabëve dhe në fund me fjalët e tabiinjve, por fjalët e tyre për të qenë si argument i pranueshëm i kushtëzon të jenë unike, pra të mos ketë mospajtime mes tyre.
Sa i përket qëndrimit të tij ndaj tefsirit racionale, ai në të shumtën e rasteve i parafrazon mendimet e mësuesit të tij Ibn Tejmijes, se komentimi racional pa njohuri të thella paraprake të shkencave islame – kuranore është haram – i ndaluar.[13]
Interesimi i tij për cekjen e isnadeve
Ndër mufessirët nuk njihet ndonjë tjetër që të ketë pasur njohuri më tepër për isnadet sesa Ibn Kethiri. Këtu i ndihmoi sigurisht njohuria e tij e madhe në lëmin e Hadithit, për se kishte edhe titullin “hafidh”, kështu që pothuaj në çdo transmetim, ai cek edhe isnadin e atij transmetimi, duke dhënë shenjë nëse ka për vargun e transmetuesve ndonjë vërejtje a dobësi. Gjatë cekjes së isnadeve, Ibn Kethiri nuk ra në grackën ku ra Ibn Xheri et-Taberiu, i cili në disa raste e lë lexuesin në huti lidhur me disa hadithe a transmetime, sepse nuk cek fare isnadin dhe as jep shenjë për dobësitë eventuale të atij vargu të transmetuesve.[14]
Qëndrimi i tij ndaj cilësive dhe emrave të Allahut
Rreth kësaj çështjeje, Ibn Kethiri ndoqi me përpikëri udhën e të parëve (selefi salih), duke pranuar e vërtetuar të gjithë ata emra dhe ato cilësi me të cilat Allahu xh.sh. e ka përshkruar apo cilësuar Vetveten, duke iu shmangur çdo shëmbëllimi apo përngjasimi me cilësitë e krijesave.
P.sh. tek komenton ajetin e 54 të kaptinës “El-A’raf”:
إِنَّ رَبَّكُمُ اللّهُ الَّذِي خَلَقَ السَّمَاوَاتِ وَالأَرْضَ فِي سِتَّةِ أَيَّامٍ ثُمَّ اسْتَوَى عَلَى الْعَرْشِ
“Vërtet, Zoti juaj, Allahu, është Ai që krijoi qiejt e tokën brenda gjashtë ditësh, pastaj qëndroi mbi Arshin…”
shohim tek thotë:
“Në lidhje me këtë çështje njerëzit kanë folur shumë, mirëpo ne nuk e kemi ndër mend të zgjerohemi tash në këtë temë, por themi vetëm atë që kanë thënë dijetarët tanë, si Maliku, Evzaiu, Thevriu, Lejth bin Sa’di, Shafiu, Ahmed ibn Hanbeli, Ishak bin Rahevijjeh e të tjerët nga imamët e mëdhenj, se këtu nuk guxojmë të bëjmë ndonjë shëmbëllim apo përgjasim të Allahut me krijesat, sepse askush nuk është si Ai:
لَيْسَ كَمِثْلِهِ شَيْءٌ
“Asnjë send nuk është si Ai (Allahu)” (Esh-Shuura, 11)
Ne themi ashtu siç kanë thënë imamët e mëdhenj, e ndër ta edhe Neim bin Hamad el-Huzai, mësuesi i Buhariut se: “Ai që e shëmbëllen Allahun me krijesat e Tij, ai ka rënë në mosbesim, sikundër edhe ai që e mohon atë cilësi që Allahu ia ka atribuuar Vetvetes, po ashtu ka rënë në kufër-mosbesim.
Prandaj ai që i beson dhe i pohon ato cilësi të Allahut, të cilat i ka cekur në Kur’an në atë mënyrë që përkojnë më Madhërinë e Tij, duke e zhveshur Atë nga çdo mangësi, ai vërtet ka ndjekur rrugën e udhëzimit.”[15]
Interesimi i tij për dispozitat juridike nga Fikhu
Meqenëse Ibn Kethiri ishte muhadith i madh, kur komentonte ndonjë ajet që kishte të bënte me ndonjë dispozitë juridike, ai nuk e shpjegonte atë ajet vetëm kalimthi, po përpiqej që çështjen që e prekte ajeti, ta shtjellonte duke marrë si shembuj edhe shumë hadithe të Resulullahut, si dhe fjalët e 4 Imamëve të mëdhenj të shkollave juridike islame. Shembuj të tillë kur Ibn Kethiri flet për disa çështje juridike islame, kemi kur flet rreth ajeteve të martesës, shkurorëzimit, trashëgimisë, zekatit, agjërimit, etj.
Por ajo që e bën këtë mufessir kaq të madh e tërheqës, është fakti se ai nuk zgjerohet aq shumë në këto çështje për të krijuar ndjenjë të monotonisë tek lexuesi, ashtu siç ka vepruar f.v. Kurtubiu, po as nuk kalon nëpër këto ajete e dispozita vetëm kalimthi, pa hyrë në detaje, sikur që kanë vepruar shumica e komentatorëve të tjerë të Kur’anit, por ndjek një rrugë të mesme.[16]
Qëndrimi i tij ndaj israiliateve
Pa dyshim, Ibn Kethiri bën pjesë ndër mufessirët që ndaj israiliateve kanë qëndrim tepër kritik dhe demaskues. Ai ka një qëndrim mohues e negativ ndaj tregimeve të tilla të çuditshme, të cilat nganjëherë i cek sa për të dhënë shenjë se janë trillime, shpifje dhe padrejtësisht kanë zënë vend nëpër librat e tefsirit. Ai një gjë të tillë e bënte me lehtësi e shkathtësi të paparë, sepse njohja e thellë e shkencës së hadithit dhe njohja e dobësive në vargun e transmetuesve, i mundësonte një gjë të tillë.
Dr. Dhehebiu për Ibn Kethirin thotë: “Nuk kam parë dikë prej mufessirëve të ketë qenë më i ashpër në kritikën dhe demaskimin e israiliateve sesa Ibn Kethirin. Afër tij në këtë aspekt do të radhitja edhe Ebu Muhammed bin Atijjen me tefsirin e tij “El Muharrirul vexhiz fi tefsiril kitabil aziz”, dhe Ebu Hajjanin me tefsirin e tij “El Bahrul Muhit”.[17]
Ja një shembull kur Ibn Kethiri demaskon një rrëfim të tillë, duke e quajtur rrenë dhe hiperbolizim, gjatë komentimit të ajetit 22 të kaptinës “El-Maide”:
قَالُوا يَا مُوسَى إِنَّ فِيهَا قَوْمًا جَبَّارِينَ وَإِنَّا لَن نَّدْخُلَهَا حَتَّىَ يَخْرُجُواْ مِنْهَا
فَإِن يَخْرُجُواْ مِنْهَا فَإِنَّا دَاخِلُونَ
“Ata (populli i Musait) thanë: O Musa, aty është një popull i fuqishëm (dhunues), prandaj ne nuk do të hyjmë aty kurrë, derisa ata të mos dalin nga ajo (të na e lirojnë pa luftë) e nëse ata dalin nga ai vend, atëherë ne do të hyjmë”.
Ibni Kethiri rrëfen me isnad nga Ibni Xheriri e ky nga Ibn Abbasi, se: “Xhebbarinët-amalikët, ishin njerëz të mëdhenj nga trupi-vigaj, ishin të fuqishëm dhe dhjetë herë më të gjatë se njerëzit e rëndomtë. Kur Musai a.s. i urdhëroi beni-israilët të hynin në qytetin e Erihas (Jerihon), para tyre dërgoi një pararojë prej 12 vetash, prej çdo fisi nga një, për të vëzhguar terrenin dhe për të parë se si qëndronte puna.
Kur u futën fshehtas në qytet, ata u fshehën prapa një muri në afërsi të një kopshti. Njëri prej vigajve pa gjurmët e tyre dhe i zuri të gjithë e i futi në një thes dhe i dërgoi para mbretit. Mbreti, pas një bisede të shkurtër, iu tha: Jeni të lirë, por tregoni të parit tuaj (Musait) për atë që patë këtu, dhe i lëshoi. Ata, kur u kthyen, i treguan Musait a.s. për madhësinë e tyre etj… Tërë kjo rezultoi me futjen e frikës në zemrat e beni-israilëve, të cilët pastaj refuzuan të hynin në këtë qytet duke i thënë Musait a.s. – Shkoni ti dhe Zoti yt e luftoni, kurse ne do të rrimë këtu e do të presim. Nëse ata dalin vetë nga qyteti, atëherë ne do të hyjmë në të.”!!!
Ibn Kethiri, pasi përmend këtë rrëfim, ndër të tjera thotë se në Isnadin e tij ka dobësi të qarta dhe shpifje të paskrupulla. Ai i krahason gjërat sipas logjikës së shëndoshë duke nxjerrë mendimin përfundimtar se ky tregim është pjellë e imagjinatës së sëmurë hebraike dhe një gënjeshtër e kulluar.[18]
Qëndrimi i tij ndaj disa çështjeve të parëndësishme
Ibn Kethiri ishte shumë kritik ndaj atyre mufessirëve, që përpiqeshin që disa tekste të përgjithësuara kuranore, të cilat nuk saktësojnë emra, vende etj., mundoheshin t’i shtjellonin në detaje, pa pasur ndonjë argument të fortë. F.v., kur komenton ajetin 73 të kaptinës “El-Bekare”:
فَقُلْنَا اضْرِبُوهُ بِبَعْضِهَا كَذَلِكَ يُحْيِي اللّهُ الْمَوْتَى وَيُرِيكُمْ آيَاتِهِ لَعَلَّكُمْ تَعْقِلُونَ
“E Ne u thamë: Mëshoni atij (të vdekurit) me një pjesë të saj (të lopës së therur). Ja, kështu Allahu ngjallë të vdekurit dhe ua sqaron argumentet e veta, ashtu që të kuptoni.”
thotë: “Kjo “pjesë” e trupit të lopës, cilado qoftë ajo, me të cilën është prekur i vdekuri që u ringjall për të dëshmuar për një vrasje që kishte ndodhur në mesin e beni-israilëve, nuk është fare me rëndësi. Këtu me rëndësi është vetëm mrekullia e ringjalljes që ndodhi me këtë veprim. Po të ishte e rëndësishme të ceket se me cilën pjesë të lopës ishte prekur i vdekuri, sigurisht se për këtë do të na lajmëronte vetë Allahu xh.sh., por kjo çështje është e parëndësishme në krahasim me mrekullinë që u zhvillua para syve të njerëzve.”[19]
Ibn Kethiri këtu ua sheh për të madhe disa komentuesve, të cilët kanë thënë se pjesa e lopës me të cilën është prekur i vdekuri, ishte kofsha, disa brinja, disa koka etj., gjëra që nuk kanë fare peshë dhe nuk kanë kurrfarë mbështetjeje argumentuese.
Të njëjtat konstatime i përsërit edhe gjatë komentimit të ajeteve 9-26 të kaptinës El-Kehf që flasin mbi tregimin e djelmoshave të shpellës “Ashabul Kehf”, kur thotë: “Meqenëse Allahu xh.sh. na kurseu nga njohuria për vendndodhjen e kësaj shpelle, e cila nuk na sjell ndonjë dobi në çështjet e fesë, atëherë përse disa mufessirë e lodhën mendjen e tyre me supozime se shpella mund të jetë në këtë apo atë vend. Madje është për t’u çuditur se si disa prej komentuesve shkuan edhe aq larg, sa të sillnin edhe mendime se ç’emër apo ç’ngjyrë kishte lëkura e qenit të djelmoshave të shpellës, gjë që paraqet një absurd dhe përpjekje të padobishme për të ditur një gjë, për të cilën nuk jemi të ngarkuar e as kemi detyrim që ta dimë.”[20]
Ibn Kethiri në cilësinë e historianit kritik
Ibn Kethiri ishte po ashtu një historian i shquar dhe i njohur gjithandej në Botën Islame, për veprën e tij të famshme në lëmin e historisë, “El-Bidaje ve-n-Nihaje”. Zaten , kjo i mundësonte atij që në shumë vende në tefsirin e tij të hidhte poshtë disa mendime që kishin të bënin me historinë e zbritjes së disa ajeteve kuranore.
P.sh., gjatë tefsirit të fjalëve kuranore:
لَتَجِدَنَّ أَشَدَّ النَّاسِ عَدَاوَةً لِّلَّذِينَ آمَنُواْ الْيَهُودَ وَالَّذِينَ أَشْرَكُواْ
“Gjithqysh ti do të vëresh se jehudët dhe ata që i shpifën Zotit shok (idhujtarët), janë njerëzit me armiqësi më të fortë kundër besimtarëve…”. (El-Maide 82),
thotë: “Ka thënë Ali bin Ebi Talha ta ketë dëgjuar Ibn Abbasin të ketë thënë: Ky ajet ka zbritur për Nexhashiun dhe shokët e tij, të cilëve, kur Xha’fer ibn Ebi Talibi u lexoi disa pjesë nga Kur’ani në lidhje me Isain a.s., u rrodhën lotët…”
Ibn Kethiri pas këtij transmetimi jep vlerësimin e vet në cilësinë e kritikut duke thënë: “Këto fjalë nuk mund të merren si të vërteta, sepse ky ajet kuranor ka zbritur në Medinë, ndërsa tregimi i Xhaferit me Nexhashiun ka ndodhur në Abisini, para hixhretit”.[21]
Një vlerësim të ngjashëm kritik jep edhe gjatë komentimit të ajetit 23 të kaptinës “El-En’am”:
ثُمَّ لَمْ تَكُن فِتْنَتُهُمْ إِلاَّ أَن قَالُواْ وَاللّهِ رَبِّنَا مَا كُنَّا مُشْرِكِينَ
“Atëherë (pas atij sprovimi) përgjigje tjetër s’u mbetet përveç të thonë: “Për Allahun. O Zoti ynë, ne nuk ishim idhujtarë!”,
kur thotë: “Ka transmetuar Dahhaku nga Ibn Abbasi të ketë thënë: Ky ajet ka zbritur për hipokritët”, por unë them që kjo nuk është e vërtetë sepse ky ajet është zbritje mekase kurse hipokritët janë shfaqur në Medinë, ndërsa ajeti që ka zbritur për hipokritët është:
يَوْمَ يَبْعَثُهُمُ اللَّهُ جَمِيعًا فَيَحْلِفُونَ لَهُ كَمَا يَحْلِفُونَ لَكُمْ وَيَحْسَبُونَ أَنَّهُمْ عَلَى شَيْءٍ
أَلَا إِنَّهُمْ هُمُ الْكَاذِبُونَ
“Ditën kur Allahu i ringjall të gjithë, e ata i betohen Atij, sikurse u betoheshin juve, dhe mendojnë (me atë betim) të arrijnë diçka. Pra, ta dini se ata janë me të vërtetë rrenacakët (hipokritët)” (El-Muxhadele, 18).[22]
Kultura e tij e lartë gjatë dialogut
Ibn Kethiri kishte një kulturë të lartë të shkrimit dhe të qëndrimit ndaj dijetarëve. Edhe pse i përkiste medhhebit shafii, në tefsirin e tij nuk shihet ndonjë fanatizëm dhe as anim nga mendimet e Shafiiut. Gjatë leximit të tefsirit të tij, në shumë raste shohim tek citon pa kurrfarë ngurrimi dijetarë të tjetër para tij, sidomos Ibn Xherir et-Taberiun, pastaj Ibn ebi Hatimin, Ibn Merdevijen, Ibn Tejmijen etj., duke lartësuar dhe pranuar mendimet e tyre.
Fjala përfundimtare rreth këtij tefsiri
Në lidhje me vlerën e madhe të këtij tefsiri, dijetarë të shumtë, ndër shekuj, kanë shprehur admirimin dhe konsideratat më të larta. Dijetari i madh Sujutiu ka thënë: “Deri më sot asnjë tefsir i shkruar nuk mund të krahasohet me të”[23], kurse bashkëkombësi ynë, Abdulkadër Arnauti, muhadithi i njohur shqiptar në përmasa botërore, thotë: “Ky tefsir është më i miri prej të gjithëve, i cili duhet konsultuar patjetër dhe i cili duhet besuar pa rezerva”.
[1] Rreth vitit të saktë të lindjes së Ibn Kethirit ka mospajtime midis biografëve dhe dijetarëve. Disa dijetarë, si Ahmed bin Muhammed el Ednirevi, Dr. Muhammed Husejn Dhehebiu Dr. Xhemal Mustafa Abdulhamid en-Nexh-xhar dhe Dr. Abdulla Shehate, për vit të lindjes së tij marrin vitin 700 h, kurse Shemsuddin ed-Davudi, Dr. Muhammed Sejid Xhibril dhe disa të tjerë për vit të lindjes marrin vitin 701; kurse një grup tjetër i dijetarëve si Zerkaniu, Dr. Hasen Abidu, Dr. Xhum’ah Ali Abdulkadir, Mennaul Kattan etj. për vit të lindjes së tij marrin vitin 705 h. Sidoqoftë, mendimi më i saktë për vitin e lindjes së tij është viti 701, sepse edhe dijetarët e mendimit të parë thonë se ai do të ketë lindur ca muaj pas vitit 700 h. Kurse sa i përket vitit të vdekjes së tij (774), nuk ka ndonjë mospajtim.
[2] Hafidh Shemsuddin ed-Davudi “Tabekatul Mufessirin” vëll. I, fq. 111, Kajro 1994.
[3] Abdul Hajj Ibnul Imad el Hanbeli, “Shedheratu-dh-Dheheb”, vëll. VI, fq. 231 , Kajro 1350 h.
[4] Ibn Haxher el Askelani “Ed-Durrerul kamineh”, vëll. I, fq. 399, Indi 1348 h.
[5] Hafidh Shemsuddin ed-Davudi “Tabekatul Mufessirin” vëll. I, fq. 111.
[6] Dr. Muhammed Husejn edh-Dhehebi “Et-Tefsir vel mufessirune” vëll I, fq. 235., Kajro 1985
[7]“Ed-Durrerul kamineh”, vëll I, fq. 400.
[8] Dr. Abdullah Shehate, “Ulumu-t-Tefsir” fq. 195-196
[9] Muhammed Abduladhim ez-Zerkani “Menahilil Irfan fi Ulumil Kur’an”, vëll. II, fq. 30
[10] Mennaul Kattan “Mebahithu fi Ulumil Kur’an”, fq. 396. Kajro, 1995.
[11] Hafidh Ismail bin Kethir “Tefsirul Kur’anil Adhim”, vëll. I, fq. 8 , Kuvajt 1998.
[12] “Ulumu-t-Tefsir” fq. 197.
[13] Për më gjerësisht, shih parathënien e tefsirit të Ibn Kethirit, vëll. I, fq. 11-13.
[14] Dr. Xhemal Mustafa Abdulhamid en-Nexh-xhar “Menahixh tefsirijjeh”, fq.239-240, Kajro, 2000.
[15] Tefsiri i Ibn Kethirit, vëll. II, fq. 296.
[16] “Menahixh tefsirijjeh” fq. 242-243.
[17] Dr. Muhammed Husejn edh-Dhehebi “El Israiliat fi-t-Tefsiri vel Hadithi” , fq. 109, Kajro 1986.
[18] Tefsiri i Ibn Kethirit, vëll II, fq. 54.
[19] Tefsiri i Ibn Kethirit, vëll I, fq. 150.
[20] Tefsiri i Ibn Kethirit vëll. III, shih fq. 100-108
[21] “Menahixh tefsirijjeh”, fq. 249.
[22] Po aty, fq. 250.
[23] Dr. Muhammed Husejn Edh-Dhehebi “Et-Tefsir vel mufessirune”, vëll I, fq. 238
Sabri ef. Bajgora