Imam Muhammed esh-Shevkani
(1173 h.-1250 h.)
dhe tefsiri i tij
“FET-HUL KADIIR”
Biografi e shkurtër
Autori i këtij tefsiri është dijetari i madh e i mirënjohur Muhammed bin Ali bin Muhammed bin Abdullah esh Shevkani es-San’ani, i lindur në vitin 1173 h. në Hixhre Shevkan. U rrit dhe u edukua në Sana[1] të Jemenit, ku mori dije prej dijetarëve më të mëdhenj të kohës. Shumë shpejt, edhe vetë u bë i njohur si dijetar, në lëmenj të ndryshëm fetarë, kështu që dijetarë të shumtë nga Bota Islame, vinin tek ai që të merrnin mësime.
Ishte imam i nderuar dhe i respektuar, saqë shumë prej dijetarëve të kohës e kanë cilësuar edhe me epitetet “dijetar i rrallë i kohës së tij”, “shembull i mirë për të tjerët”, “det i thellë në dituri”, “komentator i pashoq i Kur’anit”, “haditholog me nam” dhe, mbi të gjitha, “muxhtehid i madh”.[2]
Babai i tij, atëbotë, përveçqë ishte kadi i Sanës, ishte edhe ndër dijetarët më të shquar të Jemenit, kështu që djalit të tij (Imam Shevkaniut) qysh në fëmijërinë e tij të hershme i mbolli në zemër dashurinë ndaj dijes dhe shkencës në përgjithësi.
Më vonë edhe vetë Imam Shevkaniu u bë kadi i Jemenit për më shumë se 30 vjet, dhe këtë post e kishte pranuar vetëm pas insistimit të vazhdueshëm të dijetarëve të kohës, të cilët kishin frikë se në këtë post mund të vinte dikush që nuk ishte i denjë, prandaj e pranoi.
Vdiq në vitin 1250 h. në Sana.
Mësuesit e Imam Shevkaniut
Koha kur jetoi dhe veproi Imam Shevkaniu, ishte një kohë e dijetarëve të mëdhenj, të cilët po përpiqeshin që Islamit t’ia rikthenin lavdinë e dikurshme, e cila dalëngadalë, me fajin e vetë muslimanëve, kishte filluar të zbehej e të zvetënohej. Lakmia pas kësaj bote, kishte bërë që shumë njerëz të linin anash mësimet fetare dhe të mos u kushtonin atyre kujdes të merituar, prandaj, këta dijetarë, natë e ditë po i bënin thirrje popullatës islame se rikthimi i kësaj lavdie të nëpërkëmbur, mund të realizohej vetëm nëse i kthehen me zemër të pastër Librit të Allahut.
Ndër këta dijetarë të mëdhenj, prej të cilëve Imam Shevkaniu mori mësime, vlejnë të përmenden:
1. Ahmed bin Amir el-Hadathi, jurist i famshëm i kohës së tij;
2. Ismail bin Hasen bin Ahmed, i cili për aftësitë e tij të mëdha në lëmin e gjuhës, sintaksës dhe morfologjisë arabe, nga të tjerët cilësohej si “Sibevejhi” i asaj kohe;
3. Ahmed ibn el Harazi, dijetar i madh në shkencën e Fikhut dhe të Usuli fikhut, të cilin Shevkaniu e shoqëroi pandërprerë për 13 vjet;
4. Sadik Ali el Hanefi, nga i cili Imam Shevkaniu mori ixhazetnamenë në shkencat e Hadithit;
5. Abdulkadir Ahmed bin Abdulkadir bin Nasir, muxhtehid dhe dijetar i madh i zejdinjve në hadith;
6. Abdullah bin Ismail en-Nehemi, – nga i cili Shevkaniu për një kohë të shkurtër mori mësime në sintaksë dhe morfologji.
7. Ali bin Ibrahim bin Ali bin Amir, para të cilit Shevkaniu lexoi dhe studioi Sahihun e Buhariut dhe disa Sunene të tjera;
8. Jahja bin Muhammed el Huti, dijetar i gjithanshëm, nga i cili Shevkaniu mësoi matematikën, gjeometrinë, trigonometrinë etj.
Këta janë vetëm disa nga mësuesit më të mëdhenj të Imam Shevkaniut, nga të cilët ai do të mësonte shkencat islame dhe të tjera, të cilat e ngritën lart emrin e tij në mesin e më të famshëmve të të gjitha kohëve.[3]
Nxënësit e Imam Shevkanit
Imam Shevkaniu ishte një dijetar i cili njohuritë e fituara me çdo kusht mundohej t’i përcillte edhe tek të tjerët, kështu që nëpër duart e tij kaluan shumë nxënës, që më vonë u bënë dijetar të mëdhenj të Botës Islame; ndër ta do të veçonim:
1. Muhamed bin Hasen esh-Shexheni edh-Dhimari el Kadi, i cili mori “ixhazetin”-diplomën nga Imam Shevkaniu në shumë shkenca. Është i pari prej nxënësve i cili shkroi biografinë e mësuesit të tij – imam Shevkaniut. Po ashtu ishte poet i madh i kohës së tij;
2. Muhammed bin Muhammed Zijadetul Husna;
3. Ahmed bin Abdullah ed-Damedi;
4. Ali bin Ahmed;
5. Ahmed bin Muhammed esh-Shevkani, djali i Imam Shevkaniut, i cili pas vdekjes së t’et konsiderohej prej dijetarëve më të mëdhenj të Jemenit;
6. Hasen bin Muhammed Es-Sehuli;
7. Husejn bin Muhammed el Anesi dhe
8. Sejf bin Musa bin Xha’fer el Bahrani.
Këta kanë qenë disa nga nxënësit më të njohur të Imam Shevkaniut, ani pse numri i tyre është disa dhjetëra herë më i madh.[4]
Veprat e shkruara të tij
Meqenëse Imam Shevkaniu ishte një dijetar i rrallë i kohës dhe një det i vërtetë i dijes, është e natyrshme që pas vetes të ketë lënë trashëgimi të madhe të veprave të shkruara. Sot e kësaj dite shumë prej veprave të tij janë libra bazë, që lexohen e studiohen pandërprerë nga dijetarë anekënd Botës Islame. Ani pse ka shumë vepra që janë botuar e ribotohen vazhdimisht, trashëgimia më e madhe e tij ende ka mbetur dorëshkrim, diku rreth 148 vepra, dhe, dijetarët janë duke gjurmuar vazhdimisht se ç’ka mbetur prej dorëshkrimeve të tij, në mënyrë që ato të shohin dritën e botimit. Mu për këtë arsye veprat e tij do t’i ndanim në ato të botuara dhe në ato që ende gjenden dorëshkrim. Prej veprave të tij të botuara, numri i të cilave arrin në 38 vepra të mëdha disavëllimëshe, do të veçonim:
1. “Fet-hul Kadir” – Tefsiri i tij i mirënjohur, i cili njëherësh është një tefsir madhështor dhe i cilësuar shumë lart nga ana e dijetarëve. Titulli në dorëshkrimin origjinal i këtij tefsiri është “Matllaul bedrejni ve mexhmeul bahrejni” dhe ky dorëshkrim ruhet sot në Xhaminë e Madhe të Sanës në numrin apo signaturën 79. Për këtë tefsir do të bëjmë fjalë më gjerësisht në vazhdim.
2. “Nejlu-l-Evtar–sherh munteka-l-ahbar” – Libër i shkruar në shkencën e hadithit, i cili sot e kësaj dite është libër bazë.
3. “Et-Tuhaf fi medhahibi-s-selef” – libër i shkruar në shkencën e Akaidit.
4. “Irshadu-th-thikat ila ittifak esh-sherai’i ala et-tevhidi vel miad ve-n-nubuvvat” – po ashtu në shkencën e Akaidit.
5. “El Kavlul mufid fi edil-letil ixhtihadi vet taklid” – libër i shkruar në shkencën e Fikhut; në këtë libër autori shpreh pikëpamjet e veta rreth pasimit të ndonjë medhhebi dhe të ixhtihadit personal. Libri atëbotë pati ngjallur polemika të mëdha në Sana ndërmjet përkrahësve të “taklidit” dhe atyre të “ixhtihadit”. Në lidhje me këtë çështje do të bëjmë fjalë pak më tutje.
6. “El-Bedru et-tali’ë bi mehasin min ba’del karni es-sabi’ë”.
7. “Tuhfetu-dh-dhakiriin fi sherhi uddeti-l-husni-l hasiin”.
8. “Ed-Durrerul behijjeh”.
9. “Es-Sejhlul xherar el mutedeffik ala hadaiki-l-ez-har”.
10. “Sherhi-s-suduri fi tahrimi ref’il kuburi”.
11. “El-Akdu-th-themiin fi ithbati vesajeti emiril mu’minin”.
12. “El-Fevaidu-l-mexhmuah fi-l-ehadithi-l-mevduah”.
13. “El-Misku-l-faih fi hatti-l-xhevaih”[5] etj.
Për sa u përket veprave të tij dorëshkrim, numri i atyre që sot dihen, arrin, siç e thamë më lart në 148, po një pjesë e madhe e shkrimeve të tjera ende janë duke u hulumtuar nëpër vende të ndryshme të botës. Sipas Dr. Abdulganijj Kasim-it, një pjesë e madhe e këtyre dorëshkrimeve janë vjedhur nga Jemeni gjatë ekspeditave të ndryshme ushtarake dhe një pjesë ka ngelur nëpër bibliotekat private të shumë sundimtarëve e dijetarëve anekënd Botës Islame, prandaj hulumtuesit e ndryshëm kanë hasur dhe vazhdojnë të hasin në dorëshkrime të tij të panjohura deri më tash nëpër shumë biblioteka të botës, si në ato britanike, të Italisë dhe Vatikanit, të Stambollit, Indisë, Pakistanit etj. Për numrin e madh të këtyre dorëshkrimeve ka paralajmëruar edhe vetë Imam Shevkaniu duke thënë se dijetarëve u kam lënë dorëshkrime të vëllimshme nën titullin “El-Fet’hu-rrebbani”.[6]
Për të mos u mbetur borxh lexuesve, duhet të theksojmë se nga librat në dorëshkrim, 5 janë në shkencën e tefsirit, 15 në shkencën e hadithit, 20 në shkencat akaidologjike, 74 në shkencën e fikhut, 3 në shkencën e logjikës, 2 në atë të tesavufit (misticizmit) dhe 29 prej tyre në shkencat e tjera islame etj.
Metoda që ndoqi Shevkaniu në tefsirin e tij
Tefsiri i Shevkaniut konsiderohet një ndër librat bazë të tefsirit, i cili në faqet e tij bëri gërshetimin mahnitës të komentimit tradicional dhe të atij racional.
Këtë tefsir, ashtu siç shkruan vetë Shevkaniu në parathënien e tij, e kishte filluar në muajin Rebiul Ahir 1223 h. dhe e kishte përfunduar në muajin Rexheb 1229 h.
Tefsiri “Fet-hul Kadir” është cilësuar nga ana e dijetarëve islamë si një ndër tefsirët më të vlefshëm, ngase Shevkaniu në të ka cekur tërë atë që është e nevojshme, duke filluar që prej përputhshmërisë në mes ajeteve (munasebateve), pastaj për aspekte gjuhësore-gramatikore, për të vazhduar me dispozita në lëmin e Fikhut, llojet dhe mënyrat e lexi-mit të Kur’anit etj.
Studiuesit e tefsirit të tij kanë vërejtur se Shevkaniu kishte qenë i impresionuar shumë nga metoda e komentimit të Ibn Xherir et-Taberiut dhe në shumë raste cek mendimet e tij, duke u përpjekur që edhe në tefsirin e tij ta ruante frymën tradicionaliste të të parëve, natyrisht duke u shtuar këtyre komentimeve aty-këtu edhe komentime racionaliste, të cilat i shihte si të domosdoshme.
Imam Shevkaniu ka cekur se gjatë shkrimit të tefsirit ishte mbështetur në mendimet e këtyre mufessirëve: Ibn Xherir et-Taberi, Ibn Kethir, Xhelaluddin Es-Sujuti, Ebi Xha’fer en Nehhas, Ibn Atije ed-Dimeshki, Ibn Atije el Endelusi, Kurtubi, Zemahsheri etj.
Shevkaniu, ndër të tjera, në parathënien e tefsirit të tij shkruan: “Shumica e komentatorëve të Kur’anit janë ndarë në dy grupe: njëri grup ndoqën rrugën tradicionale të komentimit, kurse grupi tjetër ndoqën rrugën racionale…
Mund të them se të dy grupet, me disa lëshime të vogla, kanë pasur të drejtë, por unë mendoj se plotësimi i mendimeve të të dyja grupeve do të arrihej vetëm nëse në një libër bashkohen këto dy metoda të komentimit. Këtë ia kam bërë detyrim vetvetes, dhe mendoj se, me ndihmën e Allahut, edhe do t’ia arrij…
Secilit që lexon këtë libër që e shkrova, do t’i bëhet e qartë se vërtet është libër bazë, është çudi e çudirave, fushë studimi për shumë kërkues të dijes dhe synim final i të dijshëmve, të cilin e quajta “Fet’hul Kadiir – El-Xhamiu bejn fennej err-rrivaje ve-d-diraje min ilmi-t-tefsir”.[7]
Dhe vërtet mund të themi se Imam Shevkaniu e realizoi premtimin e vet, sepse në këtë tefsir ai, përveç komentimit tradicional, ajetet i komenton edhe me një komentim racional të pranueshëm, pastaj në mënyrë të mahnitshme thekson lidhshmëritë mes ajeteve dhe sureve, bën analiza të thukëta gjuhësore-gramatikore të disa fjalëve në ajetet e komentuara, gjithnjë duke cituar gjuhëtarët më me nam si Ferrai, Ebu Abide etj, për t’u thelluar në dispozita juridike, të cilat i shoshit nga shumë këndvështrime të shkollave juridike islame, dhe në fund, pashmangshëm, thotë edhe mendimin e vet, sepse vetveten e konsideronte si muxhtehid, me se i jepte të drejtë vetes që të nxirrte mendime të veta personale lidhur me shumë çështje në lëmin e Fikhut dhe Akaidit.
Metodologjia e punës së Shevkaniut do të mund të përmblidhej shkurtimisht në këto gjashtë segmente kryesore:
1. Të bashkuarit e tefsirit tradicional dhe atij racional dhe krahasimi i Shevkaniut ndërmjet tefsireve të shkruara para tefsirit të tij si dhe vlerësimi i tyre.
2. Kujdesi i madh ndaj rregullave të gjuhës arabe me të gjitha shkencat e saj. Shevkaniu mendonte se njohuria e këtyre shkencave ishte arma më e fortë e çdo mufessiri, që të mos gabonte diku gjatë sqarimit të ndonjë fjale të Kur’anit. Në lidhje me këtë shohim se Shevkaniu vazhdimisht gjatë tefsirit të tij kishte konsultuar disa libra bazë të gjuhës arabe, të sintaksës dhe të morfologjisë, si f.v. “Kitabu-z-zahir” të Ibn Enbarit, pastaj “Tehdhibu-l-lugati” nga Ezheriu, “El-Xhevheretu” nga Ibn Durejdi, “Es-Sihah fil-lugati” nga Xhevheriu etj.
3. Shevkaniu një kujdes të veçantë u kushtoi shkencave të retorikës, me se dëshmoi se si dijetar i madh i zotëronte mjaft mirë këto shkenca.
4. Ishte i vëmendshëm që gjatë përmendjes së haditheve që ishin komentime të ajeteve kuranore nga Resulullahu s.a.v.s., të zgjidhte ato më të saktat, dhe këtë në të shumtën e rasteve edhe e kishte arritur, përveç kur merrte të transmetonte disa hadithe të dobëta apo apokrife, të cilat kanë të bëjnë me vlerën e Aliut r.a., të cilat nuk i vlerësonte në mënyrë meritore. Për këto hadithe të dobëta do të flasim pak më vonë. Zakonisht në transmetimin e këtyre haditheve mbështetej tek Ibn Abbasi, Aliu r.a. dhe tek ashabët e tjerë.
5. Imam Shevkaniu në tefsirin e tij vëmendje të posaçme u kushtoi edhe kiraeteve, madje ai kishte dëshirë të theksonte të gjitha kiraetet e mundshme, qofshin ato të pranueshme ose të papranueshme. Kiraetet e papranueshme, pasi i analizonte me kujdes, i hidhte poshtë si të pabaza, duke tërhequr vërejtjen për dobësitë e tyre. Shembuj të tillë në këtë tefsir kemi të shumtë.
6. Shevkaniu më shumë se në një vend e përsërit se ky tefsir përmban të gjitha dobitë e tefsireve të mëparshme dhe mendon se, me shtesat e tij të reja, do të ishte një libër i dobishëm ndër shekuj. Dëshira e tij e madhe që ky tefsir të ishte tefsir gjithëpërfshirës u realizua, sepse “Fet’hul Kadiir” është vërtet një tefsir që përmbush nevojat e çdo lexuesi dhe studiuesi të Kur’anit.
Po sa i përket metodologjisë së komentimit të sureve dhe ajeteve, ajo përmblidhet në këto segmente:
– Që në fillim të komentimit paralajmëron nëse surja që synohet të komentohet, është mekase apo medinase, duke sjellë transmetime që dëshmojnë për vërtetësinë e këtij konstatimi, nga Ibn Abbasi, Ibn Mes’udi, Ikrime, Atau, Katadeja, Hasan el Basriu, Bezzari e të tjerë.
– Më pastaj cek numrin e ajeteve që përmban ajo sure, për të vazhduar me hadithet që flasin për rëndësinë dhe vlerën e asaj sureje, nëse ka hadithe që flasin për të.
– Flet për shkakun e zbritjes së asaj sureje apo të ndonjë prej ajeteve të sures.
– Pastaj hyn në analizën gjuhësore të fjalëve të ajeteve të asaj sureje, dhe
– Pas tërë kësaj i hyn komentimit të thukët dhe shumë të kuptueshëm të sures duke e përfunduar komentimin e saj me cekjen e rivajeteve (transmetimeve) të ndryshme nga tradita.[8]8
Në vazhdim do të sjellim fragmente nga komentimet dhe qëndrimet e Imam Shevkaniut rreth disa çështjeve të rëndësishme.
Imam Shevkaniu dhe mendimet e tij rreth disa çështjeve akaidologjike
Nga aspekti akaidologjik, Shevkaniu ishte pasues i mendimeve të tradicionalistëve (selefi-salih) dhe haptazi i kundërshtoi shumë prej mendimeve të mu’teziles, ani pse zejdinjtë, të cilëve u takonte ai, pothuajse në përgjithësi shkojnë pas mu’teziles në çështjet e Akaidit![9]
F.v., kur flet për jetën e dëshmorëve pas vdekjes, gjatë komentimit të ajetit 169 të kaptinës Ali Imran:
وَلاَ تَحْسَبَنَّ الَّذِينَ قُتِلُواْ فِي سَبِيلِ اللّهِ أَمْوَاتًا بَلْ أَحْيَاء عِندَ رَبِّهِمْ يُرْزَقُونَ
“Kurrsesi të mos mendoni se janë të vdekur ata që ranë dëshmorë në rrugën e Allahut. Përkundrazi, ata janë të gjallë duke u ushqyer (furnizuar) te Zoti i tyre”,
Shevkaniu dakordohet me Xhumhurin, se jeta e dëshmorëve pas vdekjes është jetë e vërtetë e jo ndonjë përshkrim alegorik. Këtë mendim të tij e mbështet edhe në shumë hadithe të vërteta lidhur me këtë çështje, ndër të cilat edhe në thëniet e dijetarëve më të mëdhenj të Islamit, siç ishte Muxhahidi, se shpirtrat e dëshmorëve edhe tash shijojnë kënaqësitë e Xhennetit, hanë, pinë dhe fluturojnë në hapësirat e pakufishme të tij.[10]
Kur është fjala për fjalët e paqarta – “muteshabihatet” , Shevkaniu, ndjek metodën e tradicionalistëve, të cilët të gjitha shprehjet e paqarta sa duhet i komentojnë vetëm sipas kuptimit të tyre sipqrfaqësor. Një rast të tillë e hasim kur duke komentuar fjalët në ajetin 255 të kaptinës El-Bekare:
وَسِعَ كُرْسِيُّهُ السَّمَاوَاتِ وَالأَرْضَ
“…Kursija e Tij (Dija-Sundimi) përfshin qiejt dhe tokën…”
thotë: “Kursijja” siç duket është objekt fizik, për të cilin kanë folur shumë transmetime, e ekzistimin e së cilës e kanë mohuar kategorikisht mu’tezilet, duke gabuar rëndë në këtë rast. Disa nga të parët tanë (selefi-salih) kanë thënë se “kursijja” është “Dija” dhe Ibn Xheriri e ka parapëlqyer këtë mendim. Disa kanë thënë se “kursijja” është Fuqia me anë të së cilës Allahu sundon Tokën dhe qiejt. Disa të tjerë kanë thënë se “kursijja” është vetë Arshi-froni; disa të tjerë thonë që “kursijja” është përfytyrim imagjinar i Madhështisë së Tij, ndërsa disa të tjerë gjykojnë se fjala është për Mbretërinë e Tij etj., por megjithatë më i sakti është mendimi i parë se “kursijja” këtu nënkupton fronin e Allahut, dhe në këtë rast nuk ka nevojë t’i shmangemi kuptimit të vërtetë, për t’u marrë me lloj-lloj imagjinatash dhe humbëtirash.”[11]
Kurse gjatë komentimit të ajetit 54 të kaptinës El-Aëraf:
ثُمَّ اسْتَوَى عَلَى الْعَرْشِ
“…Pastaj qëndroi mbi Arshin…”
thotë: “Dijetarët në lidhje me kuptimin e vërtetë të fjalës “Arsh” kanë dhënë hiç më pak se 14 mendime, por më i sakti dhe më i arsyeshmi është i pari prej tyre, mendimi i “selefi-salih” se “Allahu i Madhëruar është përqendruar mbi Arsh pa “si”? dhe “qysh”?, por në atë mënyrë që përkon me Madhërinë e Tij”, duke e zhveshur Atë nga çdo cilësi (sifat) që nuk përkon me Madhërinë e Tij”.[12]
Qëndrimi i Shevkaniut ndaj mendimeve të mu’teziles
Pavarësisht nga fakti se mësimet e mu’teziles patën ndikim të madh te zejdinjtë, në çështjet e “Ilmul Kelamit”, Shevkaniu në tefsirin e tij i kundërshton haptazi këto mendime dhe i refuzon ato, si p.sh. kur është fjala për pamjen e Allahut në Ahiret, gjatë komentimit të ajetit 55 të kaptinës El-Bekare :
وَإِذْ قُلْتُمْ يَا مُوسَى لَن نُّؤْمِنَ لَكَ حَتَّى نَرَى اللَّهَ جَهْرَةً فَأَخَذَتْكُمُ الصَّاعِقَةُ وَأَنتُمْ تَنظُرُونَ
“Dhe kur i thatë: O Musa, ne nuk të besojmë ty derisa ta shohim Allahun haptazi, e atëherë juve ju rrëmbeu rrufeja (zjarri) dhe e shihnit.”
Dihet mirë qëndrimi i mu’teziles rreth çështjes nëse mund të shihet Zoti apo jo në këtë botë dhe në Ahiret, andaj Shevkaniu, mendimin e tyre se Allahu nuk mund të shihet as në këtë e as në botën tjetër, e hedh poshtë si të pabazë dhe në këtë çështje shkon me Xhumhurin e “Ehli Sune vel Xhema’ah”, se në Ahiret, xhenetlinjtë sigurisht do ta shohin Allahun xh.sh., ngase ajetet 22- 23 të kaptinës El-Kijame:
وُجُوهٌ يَوْمَئِذٍ نَّاضِرَةٌ. إِلَى رَبِّهَا نَاظِرَةٌ
“Atë ditë do të ketë fytyra të shkëlqyera (të gëzuara), që Zotin e tyre e shikojnë”
e vërtetojnë këtë gjë dhe se shikimi i Madhërisë së Allahut të Plotfuqishëm është shpërblimi më i madh për ata që respektuan urdhrat e Krijuesit të tyre në këtë botë.
Po ashtu ai sulmon ashpër mu’tezilet edhe rreth çështjes së faljes së gabimeve (mëkatit të madh), kur e komenton ajetin 53 të kaptinës Ez-Zumer:
قُلْ يَا عِبَادِيَ الَّذِينَ أَسْرَفُوا عَلَى أَنفُسِهِمْ لَا تَقْنَطُوا مِن رَّحْمَةِ اللَّهِ إِنَّ اللَّهَ يَغْفِرُ الذُّنُوبَ جَمِيعًا إِنَّهُ هُوَ الْغَفُورُ الرَّحِيمُ
“Thuaj: O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar veten tuaj me shumë gabime, mos e humbni shpresën nga mëshira e Allahut, sepse vërtet Allahu i fal të gjitha mëkatet, Ai është që fal shumë dhe është Mëshirues ”.
Qëndrimin e mu’teziles se “ai që vdes si mëkatar, do të jetë përherë në zjarr të Xhehennemit”, Shevkaniu e hedh po ashtu poshtë si të pabazë, ngase Allahu xh.sh. është Mëshirues i Pakufishëm dhe se Ai kë do, e fal e kë do, jo. Përjashtim nga kjo rregull bën vetëm mëkatari i mëkatit më të madh – SHIRKUT, të cilin Allahu nuk e fal kurrsesi pa u penduar,[13] sepse edhe Vetë i Madhërishmi në ajetin 116 të kaptinës En-Nisaë, thotë:
إِنَّ اللّهَ لاَ يَغْفِرُ أَن يُشْرَكَ بِهِ وَيَغْفِرُ مَا دُونَ ذَلِكَ لِمَن يَشَاء وَمَن يُشْرِكْ بِاللّهِ فَقَدْ ضَلَّ ضَلاَلاً بَعِيدًا
“Është e vërtetë se Allahu nuk fal (mëkatin) t’i bëhet Atij shok, e pos këtij (mëkati), të tjerat ia fal atij që dëshiron…”
Qëndrimi i Shevkaniut ndaj çështjes nëse Kur’ani është i krijuar
Është interesant të theksohet se Shevkaniu në lidhje me këtë çështje nuk anon nga mendimi i asnjërës palë dhe nuk jep kurrfarë mendimi të tij personal, por i qorton dijetarët e të dyja palëve, që u thelluan pa nevojë në një çështje kaq të ndjeshme e delikate të besimit-Imanit!!!
Madje, ai kur arrin tek ajeti:
مَا يَأْتِيهِم مِّن ذِكْرٍ مَّن رَّبِّهِم مُّحْدَثٍ إِلَّا اسْتَمَعُوهُ وَهُمْ يَلْعَبُونَ
“Atyre nuk u vjen asnjë këshillë e re (në Kur’an) nga Zoti i tyre, që ata të mos tallen me të duke e dëgjuar.” (El-Enbija’ë, 2)
ndër të tjera, thotë: “Disa dijetarë (nga mu’tezilet, vërejtja jonë S.B.) duke komentuar fjalët e këtij ajeti, sidomos fjalët “këshillë e re”, argumentuan se fjala është për Kur’anin, dhe si i tillë Kur’ani është diçka e re, d.m.th. çdo gjë që është e re (risi) është e krijuar. Në anën tjetër, dijetarët e Ehli-Synetit janë kategorikë se fjala e Allahut (Kur’ani) është të folurit e Allahut, dhe si atribut i tillë është i përhershëm pa fillim…Rreth kësaj çështjeje, nëse Kur’ani është i krijuar apo jo, janë sprovuar shumë dijetarë, dhe kjo është për keqardhje. Me sa na është përcjellë nga të parët tanë, kjo çështje kurrë nuk është përfolur prej tyre, sepse ata kanë zgjedhur heshtjen dhe nuk kanë dashur fare të thellohen në një çështje kaq të ndjeshme, dhe kjo sipas meje është mënyra më ideale në të cilën duhet kërkuar shpëtim nga të futurit në kufër të ndonjë grupi besimtarësh nga një grup tjetër, e këtë çështje më së miri e di Allahu xh.sh.”.
Nga këto fjalë të Shevkaniut shohim se ai ka zgjedhur paanësinë në këtë çështje, nuk i mbështet as Ehli-Synetin dhe as mu’tezilet, por ua sheh për të madhe të dyja palëve pse kanë hyrë në dialog për një çështje të tillë delikate të besimit.[14]
Megjithatë, është e udhës të themi se këtu Imam Shevkaniu ka gabuar kur e ka zgjedhur këtë mënyrë–paanësinë, sepse dijetarët e Ehli-Synetit janë shumë të rreptë në këtë çështje duke thënë se “Kur’ani është fjalë (të folurit) e Allahut (ezelijj-e përhershme pa fillim) dhe si i tillë është cilësi e Tij vetjake në Vetë Qenien e Tij hyjnore, pra nuk është i krijuar”.
Qëndrimi i tij ndaj israiliateve
Sipas kritikëve të tefsirit, ky tefsir, përmban ndoshta më së paku israiliate në krahasim me tefsiret e tjera. Megjithëse Dr. Gamari pohon se në këtë tefsir rrallë mund të hasësh në ndonjë israiliat të cekur, madje edhe nëse janë cekur, janë cekur vetëm sa për t’i demantuar[15], dijetari tjetër Dr. Amire nuk e ndan plotësisht këtë mendim të tij, dhe e kritikon Shevkaniun për faktin se i ka cekur disa israiliate, pa nevojë, meqenëse e ka ditur fare mirë nga librat e mufessirëve para tij se janë plotësisht të pavërteta, si f.v. disa israiliate që ndërlidhen me tregimin e “Harutit dhe Marutit”, pastaj për tabutin e beni-israilëve[16]etj.
Disa nga vërejtjet që i janë bërë këtij tefsiri
Me gjithë vlerën e pakontestueshme të këtij tefsiri, megjithatë në të ka disa dobësi. Dijetarët që u morën me studimin e këtij tefsiri, i kanë dhënë disa vërejtje në lidhje me disa qëndrime të Shevkaniut, ndër të cilat do të veçonim:
Transmetimi i haditheve të dobëta dhe të sajuara (apokrife)
Ani pse Imam Shevkaniu njihet si haditholog i shquar në këtë shkencë, është çudi e madhe se si ai nganjëherë, në këtë tefsir, sjell disa transmetime (hadithe) të dobëta e të trilluara, madje nuk e sheh të udhës që të paktën, lexuesve t’ua tërheqë vërejtjen se këto hadithe janë të trilluara. Kur kemi parasysh faktin se Shevkaniu njihet edhe si një muhaddith i shquar, këto dobësi fitojnë edhe më shumë në peshë. Transmetimet e haditheve të tilla i hasim sidomos tek disa ajete kuranore, të cilat do t’i cekim në vazhdim dhe lidhur me të cilat shiinjtë ithnaasherije kanë shpifur e sajuar disa hadithe për gjoja vlerën e Aliut ndaj ashabëve të tjerë.
F.v. kur e komenton ajetin 55 të kaptinës El-Maide:
إِنَّمَا وَلِيُّكُمُ اللّهُ وَرَسُولُهُ وَالَّذِينَ آمَنُواْ الَّذِينَ يُقِيمُونَ الصَّلاَةَ وَيُؤْتُونَ الزَّكَاةَ وَهُمْ رَاكِعُونَ
“Mik (i afërt) juaji është vetëm Allahu, është i dërguari i Tij dhe ata që besuan e që falin namazin dhe japin zekatin duke bërë rukuë (duke qenë respektues)”,
ai, ndër të tjera, cek një transmetim të sajuar nga shiinjtë ithnaasherije, se deri-sa Resulullahu s.a.v.s. një ditë po hynte në xhami, i kishte parë ashabët duke u falur në xhami të shpërndarë gjithandej, disa prej të cilëve qëndronin në këmbë e disa në sexhde duke u falur. Ndërkohë të Dërguarit të Allahut i shkuan sytë tek një lypës i varfër, i cili kishte hyrë në xhami për të kërkuar lëmoshë dhe e kishte pyetur nëse dikush i kishte dhënë. Lypësi iu përgjigj duke bërë shenjë nga Aliu r.a. se vetëm ai i kishte dhënë lëmoshë një unazë derisa qëndronte në ruku’ë, dhe ndërsa Resulullahu s.a.v.s., i ngazëllyer, duke madhëruar Allahun, iu drejtua ashabëve me fjalët se ajeti 55 i sures El-Maide kishte për synim Aliun dhe veprimin e tij!!!
Këtë tregim apo transmetim, që citohet nga të gjithë shiinjtë pa dallim, si i vërtetë, dijetarët islamë unanimisht e kanë shpallur të sajuar, të trilluar e të pavërtetë. Por, për çudi, Shevkaniu e kalon këtë ngjarje, pa cekur fare kategorinë vlerësuese të këtij transmetimi, me se lexuesin e lë në habi dhe huti.
Po kështu vepron edhe gjatë komentimit të ajetit 67 të po kësaj kaptine – El-Maide:
يَا أَيُّهَا الرَّسُولُ بَلِّغْ مَا أُنزِلَ إِلَيْكَ مِن رَّبِّكَ وَإِن لَّمْ تَفْعَلْ فَمَا بَلَّغْتَ رِسَالَتَهُ
“O ti i dërguar! Komunikoje atë që t’u zbrit prej Zotit tënd, e nëse nuk e bën (kumtimin në tërësi ) atëherë nuk e ke kryer detyrën (revelatën-risalen) …”
ku, ndër të tjera, gjatë komentimit, cek një transmetim se gjoja është transmetuar nga Ebu Seid El Huderiu dhe Abdullah ibni Mes’udi të kenë thënë: “Gjatë kohës sa ishte Pejgamberi a.s. gjallë e lexonim ajetin 67 të kaptinës El-Maide në këtë mënyrë:
“O ti i dërguar! Komunikoje atë që t’u zbrit prej Zotit tënd (se Aliu është zotëri i besimtarëve !!!) e nëse nuk e bën (kumtimin në tërësi), atëherë nuk e ka kryer misionin (revelatën-risalen)”!!![17]
Shevkaniu e cek këtë hadith apokrif nga shiinjtë ekstremë dhe kalon pa e thënë asnjë fjalë të vetme demanti, gjë që konsiderohet një dobësi shumë e madhe e tij.[18]
Disa dijetarë, sikur Dr. Muhammed Hasen el Gamari, janë munduar ta shfajësojnë Imam Shevkaniun për heshtjen e tij ndaj këtyre haditheve dhe disa të tjerave që aty-këtu mund ta hasen në këtë tefsir, për faktin se mjedisi ku jetonte Shevkaniu ishte ku Aliu r.a. çmohej dhe vlerësohej shumë, sepse popullata e Jemenit pa dallim ishin zejdinj, sikur janë ende edhe sot, një grup i shiinjve jo ekstremë, mësimet e të cilëve janë shumë të përafërta me mësimet e Ehli-Synetit. Shevkaniu jo që nuk e ka ditur se këto dy hadithe të cekura janë të trilluara, por nuk kishte dëshiruar që zejdinjtë, të cilëve u takonte edhe vetë, të merrnin një qëndrim armiqësor ndaj tij, kurse Shevkaniu, në anën tjetër, në shumë raste i kritikon në mënyrë indirekte edhe zejdinjtë edhe mu’tezilet për qëndrimet e tyre jo të drejta në shumë çështje.
Qëndrimi i tij ndaj pasimit të verbër të ndonjë medhhebi juridik
Imam Shevkaniu i kritikon ashpër ata që merren me pasimin e çfarëdo medhhebi juridik, sipas taklidit, e posaçërisht në çështjet e Fikhut, dhe kurrsesi nuk pranonte ta pasonte dikë në mënyrë të verbër-autodidakte!
Mjerisht, ai këtu ka bërë një gabim dhe lëshim të madh, ngase është dashur ta kuptonte se nuk janë të gjithë njerëzit të barabartë dhe njësoj nga aspekti i të kuptuarit mendor, dhe nuk ka mundësi që secili të jetë muxhtehid. Vërtet shumë të rrallë dhe të paktë janë ata njerëz që i plotësojnë kushtet e muxhtehidit.
Mendimet e tilla, Shevkaniu i ka shprehur gjatë komentimit të disa ajeteve, si f.v tek ajeti 23 i kaptinës Ez-Zuhruf:
إِنَّا وَجَدْنَا آبَاءنَا عَلَى أُمَّةٍ وَإِنَّا عَلَى آثَارِهِم مُّقْتَدُونَ
“…Ne i gjetëm të parët tanë në këtë fe dhe ne jemi të orientuar gjurmëve të tyre”
ku ndër të tjera thotë: “Ky ajet ka të bëjë me idhujtarët dhe pasimin e besimit të tyre të kotë nga etërit dhe stërgjyshërit e tyre, ashtu siç bënë hebrenjtë dhe të krishterët, kur verbërisht pasuan të parët e tyre në humbje dhe kotësi. Mjerisht, e njëjta gjë po ndodh edhe me Ymetin islam. Unë ia tërheq vërejtjen secilit që pason ndonjë drejtim juridik islam, se kjo gjë të shpie në humbje të qartë… Allahu nuk i ka dërguar këtij Ymeti përveçse një të dërguar, na ka urdhëruar ta pasojmë atë dhe na ka ndaluar ta kundërshtojmë:
وَمَا آتَاكُمُ الرَّسُولُ فَخُذُوهُ وَمَا نَهَاكُمْ عَنْهُ فَانتَهُوا وَاتَّقُوا اللَّهَ إِنَّ اللَّهَ شَدِيدُ الْعِقَابِ
“…Çka t’ju japë Pejgamberi, atë merreni e çka t’ju ndalojë, përmbajuni dhe kini frikë Allahun, se Allahu është ndëshkues i ashpër.” (El-Hashr, 7)
Nëse mendimi i një imami është argument i mjaftueshëm për njerëzit, atëherë këtij Ymeti do t’i duheshin shumë të dërguar, që t’ua përcillnin njerëzve atë me se i ka obliguar Allahu.
Ah sa çudi e madhe dhe ç’mjerim kur mukal-lidi (pasuesi) i një medhhebi, zgjedh për të punuar me mendimin e njërit prej imamëve (drejtuesve të shkollave juridike islame, – vërejtje jona S.B.), ani pse përpara e ka Librin e Allahut dhe Synetin e të Dërguarit a.s., si dhe aftësinë për të kuptuar këto detyrime nga vetëm dy burimet e cekura.!!![19]
Ai këtë ashpërsi ndaj pasuesve të medhhebeve juridike e shpreh në mënyrë edhe më të vrazhdë kur komenton ajetin 31 të kaptinës Et-Tevbe:
اتَّخَذُواْ أَحْبَارَهُمْ وَرُهْبَانَهُمْ أَرْبَابًا مِّن دُونِ اللّهِ وَالْمَسِيحَ ابْنَ مَرْيَمَ وَمَا أُمِرُواْ إِلاَّ لِيَعْبُدُواْ إِلَـهًا وَاحِدًا لاَّ إِلَـهَ إِلاَّ هُوَ سُبْحَانَهُ عَمَّا يُشْرِكُونَ
“Ata i konsideruan “ahbarët” (priftërinjtë hebrej-rabinët) të tyre, “ruhbanët” (murgjit e krishterë) të tyre dhe Mesihun (Isain), birin e Merjemes, për zota pos Allahut, ndërsa ata nuk janë urdhëruar për tjetër (nga pejgamberët) pos për adhurimin ndaj Allahut një, e që nuk ka të adhuruar tjetër pos tij. I lartë është Ai nga çfarë i shoqërojnë.”,
ndër të tjera thotë: “…Në këtë ajet ka qortim për atë që ka mendje të shëndoshë dhe pason verbërisht mendimin e dikujt në fenë e Allahut, sepse të punuarit me mendimin e njërit prej medhhebeve juridike, megjithë faktin se mendimi i tyre nuk përputhet me atë që ka ardhur në Kur’an dhe Synet, është njësoj sikur që hebrenjtë dhe të krishterët i kanë konsideruar të shenjtë apo edhe si zota rabinët dhe priftërinjtë e tyre… S’ka dyshim se kjo u ngjan atyre, sikurse i ngjan veja-vesë, hurma-hurmës, uji-ujit etj. Prandaj, o robër të Allahut, o ju pasues të Muhammedit, të birit të Abdullahut, ç’ju ka gjetur vallë, që e keni hedhur pas shpine Librin e Allahut dhe Synetin e të Dërguarit të Tij, dhe jeni lidhur pas mendimeve të disa njerëzve që janë sikurse ju, që ta adhuroni Allahun nëpërmjet tyre… O Allah, Ti që e udhëzon të humburin, dhe ia ftillon rrugën atij, na udhëzo në të vërtetën, në atë që është më e sakta, dhe na e zbulo programin e udhëzimit tënd hyjnor”!!![20]
* * *
Këto ishin disa nga komentimet e Shevkaniut në tefsirin e tij “Fet-hul Kadir”, i cili ndonëse vende-vende hetohet një fanatizëm i vogël kur është fjala për përkrahjen e grupit të zejdinjve, dhe për disa çështje kur jep mendimet e veta personale duke u mbështetur me një vetëbesim të tepruar në ixhtihadin e tij personal, vërtet është një tefsir i vlefshëm, që kuptohet lehtë dhe që lexohet me ëndje si nga ana e dijetarëve ashtu edhe nga ana e lexuesve.
Një e metë e madhe e tij, siç thekson kritiku bashkëkohor i tefsirit Dr. Dhehebiu, është se Iamam Shevkaniu, në disa raste, ishte paksa mendjemadh, sepse nuk kurseu nga kritikat, herë me vend e herë pa vend, si mu’tezilet ashtu edhe dijetarët e Ehli-Synetit.
Shihet qartë se edhe thirrja e tij e vazhdueshme në këtë tefsir, që secili njeri të jetë muxhtehid, është e palogjikshme, sepse Shevkaniu është dashur ta dinte se nuk janë të gjithë njerëzit të barabartë në të logjikuar dhe në të kuptuar të fesë, dhe se “taklidi” në disa raste është më se i nevojshëm, natyrisht jo “taklid” i verbër, por “taklid” i arsyeshëm, i përcjellë me studime të vazhdueshme.
Dijetarët që u morën me rrethanat e kohës kur jetoi Imam Shevkaniu, këtë qëndrim të tij rigoroz e arsyetojnë me dëshirën e flaktë të tij që Bota Islame të mos vdesë duke imituar ata që ishin para tyre, por që vazhdimisht të përpiqet të gjejë mënyra të reja të të logjikuarit dhe të punuarit me Librin e Allahut, në rrethana të reja, të cilat kishin qenë të panjohura për dijetarët e mëhershëm, natyrisht pa cenuar shenjtërinë e mësimeve hyjnore dhe pa lëshuar pe në çështjet më esenciale të besimit.
Ky tefsir është i shtypur dhe i botuar në pesë vëllime, dhe fatmirësisht, siç e theksuam edhe më parë, në botimet e reja të tij nuk mund të hasen ato lëshime, kur është fjala për përmendjen e haditheve apokrife, që flasin për “vlerën e Aliut” ndaj halifëve para tij.
Allahu e pastë mëshiruar Imam Shevkaniun për kontributin e tij në shkencën e tefsirit!
[1]Sana – kryeqyteti i Jemenit të sotëm
[2] Dr. Muhammed Husejn Edh-Dhehebi “Et-Tefsiru vel mufessirune” vëll. II, fq. 273.
[3] Nga parathënia e tefsirit “Fet’hul Kadir”, Dr. Abdurrahman Amire. vëll. I fq. 22.
[4]Po aty, fq. 24.
[5]Po aty, fq. 32-35.
[6] Dr. Abdulganijj Kasim “El-Imam esh-Shevkani-hajatuhu ve fikruhu”, fq. 200.
[7] Imam Shevkani, “Fet’hul Kadiir” vëll. I, fq. 58, Kajro 1994.
[8] Dr. Muhammed Hasen el-Gamari “El-Imam esh-Shevkani mufessiren” fq. 149.
[9] Zejdinjtë pasojnë mu’tezilet në shumë çështje akaidologjike, nga fakti se themeluesi i këtij fraksioni, Zejd bin Ali, ishte nxënës i Vasil bin Ataut, themelues i fraksionit të mu’teziles.
[10] “Fet’hul Kadiir” vëll. I, fq. 265.
[11] “Fet’hul Kadiir” vëll. I, fq. 244.
[12] “Fet’hul Kadiir” vëll. II, fq. 201.
[13] “Et-Tefsiru vel mufessirune” vëll. II, fq.286.
[14] Po aty, fq. 286-287.
[15] “El-Imam esh-Shevkani mufessiren”, fq. 279
[16] Dr. Abdurrahman Amire, nga parathënia e tefsirit “Fet’hul Kadiir”, fq. 51
[17] “Fet’hul Kadir” – vëll. II, fq. 57, Kajro 1349 h; Shih “Et-Tefsiru vel mufessirune” vëll. II, fq. 277.
[18] Fatmirësisht, këto dobësi dhe lëshime të Shevkaniut, nuk janë përsëritur gjatë botimeve më të reja të këtij tefsiri, sepse redaktorët bashkëkohorë të tij, si Dr. Abdurrahman Amire, redaktor i këtij botimi të vitit 1994, e kanë spastruar këtë tefsir nga këto gjëra. (Më gjerësisht, botimi i parë viti 1994, botuar në Mensure të Egjiptit, nga Shtëpia botuese “Darul Vefa’ë”.)
[19] “Fet’hul Kadiir” vëll. II, fq. 189.
[20]Po aty, vëll. II, fq. 237.
Sabri ef. Bajgora