
Shkruan: Nexhat Ibrahimi
Hyrje
Kontributi i Imam Ebu Hanifës[1] në shkencën e hadithit dhe njohja e tij e hadithit është e pamundur të shtrohen në një shkrim të shkurtër. Për këtë arsye, synimi ynë është që të përpiqemi në mënyrë sa më përmbledhëse t’i shtrojmë të dhënat më kryesore dhe të ndihmojmë në shpjegimin dhe qartësimin e disa çasteve kyç. Po ashtu, ky shkrim ka për synim ta provojë të vërtetën para të painformuarve, por edhe para kundërshtarëve dhe të përgënjeshtrojë fanatikët lidhur me paragjykimet e tyre lidhur me qëndrimin e Ebu Hanifës rreth hadithit dhe përdorimit të tij në shqyrtimin e çështjeve islame në akaid, fikh etj. Duhet pranuar se kohëve të fundit janë bërë disa shkrime lidhur me këtë temë nga kënde të ndryshme, andaj, përpjekja jonë do të jetë që të kemi sa më pak përsëritje.[2]
Interesimi i Ebu Hanifës për hadithin dhe shkencat e hadithit
Ebu Hanifa qysh në rini është interesuar për Kur’anin dhe Hadithin, sikurse edhe shumica e fëmijëve muslimanë të kohës së tij, por shkaku i moshës së tij të re, transmetimet e tij të hadithit nuk janë pranuar.[3] Ai mësoi hadithin në Kufë, e më vonë në Basra. Por, mësimet i vazhdoi edhe në Medinë dhe Mekë.[4] Bashkëkohësit dhe nxënësit e tij e theksojnë interesimin e tij për hadith, por dhe udhëtimet e tij në kërkim të hadithit në vende e shkolla të ndryshme. Këtë rast e pohon një transmetim të cilin e shënon Ibn Abd’ul-Berri, e në të cilin Ebu Hanife thotë:
“Kur në vitin 93 h. me babain shkova në haxhillëk, kam qenë 16 vjeç. Me këtë rast e kam parë një plak, rreth të cilit qenë tubuar njerëzit. E kam pyetur babain: Kush është ai plak? Është përgjigjur: Ai është Abdullah b. El-Haris b. Xhez’iu, njëri nga as’habët e Pejgamberit (s.a.v.s.)! E kam pyetur sërish: Ç’mund të merret prej tij? Më ka thënë: “Hadithet të cilat i ka dëgjuar prej Pejgamberit(s.a.v.s.)! E kam lutur që të afrohemi, në mënyrë që të dëgjoj diç prej tij. Kur iu afrova, e kam dëgjuar se si thekson se Pejgamberi i Zotit (s.a.v.s.) ka thënë: Kush e kupton fenë, Allahu do t’ia plotësojë nevojat e tij dhe do ta furnizojë atë nga nuk e llogarit ai! ” [5]
Dijetarët mendojnë se Ebu Hanifa kishte përzgjedhur rreth 40 mijë hadithe, e të cilat i kishte marrë nga dijetarë të shquar të Kufës, Irakut dhe vendeve të tjera. Kur dëgjonte se ndonjë muhaddith kishte ardhur në Kufë për t’ua mësuar hadithin njerëzve, ai e dërgonte ndonjërin nga nxënësit për të dëgjuar se ç’fliste mbi hadithin, që të shihte se mos vallë ai posedon hadithe që ky nuk i ka e t’i merrte prej tij.[6]
Edhe Muhammed ibn El-Hasani e pohon një gjë të tillë. Thotë:
“E kam dëgjuar Ebu Jusufin duke thënë: “Me Ebu Hanifën i diskutonim gjërat që kishin të bënin me kapituj të ndryshëm të diturisë. Kur ai e thoshte mendimin me të cilin ne pajtoheshim, unë dilja dhe i vizitoja dijetarët e Kufës, që të gjeja ndonjë hadith apo thënie që do ta përforconte thënien e tij. Ndoshta gjeja dy apo tre hadithe dhe vija tek ai. Ndonjërin e pranonte e ndonjërin e refuzonte dhe thoshte: “Ky nuk është i vërtetë (sahih) apo nuk është i njohur (ma`ruf), edhe pse i përshtatej mendimit të tij. Kurse unë i thosha: “Prej nga e di këtë? Ai thoshte: “Unë jam i ditur falë diturisë së dijetarëve të Kufës.”[7]
Edhe Imam Abdu’l-Vehhab Esh-Sha’rani cek se Ebu Hanifa i ka mësuar hadithet nëpërmjet mësuesit të tij, Ata’it, ndërsa Ata’i ka qenë nxënës i Ibn Abbasit (r. a.).[8]
Sa është angazhuar Ebu Hanifa në tubimin dhe studimin e hadithit, dëshmon shembulli i Amr ibn Dinarit, muhaddith i njohur nga Meka, i cili kur Ebu Hanifa merrte pjesë në ligjëratat e tij, vetëm atij i drejtohej.[9]
Edhe thëniet e Mekkij ibn Ibrahimit dhe të Jezid ibn Harunit flasin afirmativisht për kompetencën e Ebu Hanifës në hadith:
أحفظ أهل زمانه.
“(Ebu Hanife) ishte hafidhi më i madh i hadithit në kohën e tij.”[10]
Edhe shembulli i Mis’ar b. Kidemit, hafidhit të besueshëm të hadithit nga Iraku, i cili, duke u kujtuar, thotë për Ebu Hanifën:
طلبت مع أبي حنيفة الحديث فغلبنا ، وأخذنا في الزهد فبرع علينا ، وطلبنا معه الفقه فجاء منه ما ترون.
“Së bashku me Ebu Hanifën e kemi kërkuar (studiuar) hadithin dhe ai na tejkalonte! Kemi garuar në zuhd dhe ai na e tejkalonte! Kemi zgjidhur çështje fikhore (sheriatiko-juridike), e ai ka arritur atë që tashmë e dini!” [11]
Shpeshherë Ebu Hanifa ulej në ligjëratat e Malikut, edhe pse ky ishte më i ri se Ebu Hanifa. Një ditë, derisa ishte ulur me Abdullah ibn Mubarekun, erdhi një njeri, të cilit Maliku i tregoi respekt të jashtëzakonshëm dhe e uli afër vetes. Kur shkoi ky njeri, Imam Maliku e pyeti Abdullahun: “A e di kush është ai?” Ky ishte Ebu Hanifa nga Iraku, i cili, vetëm nëse dëshiron, mund të dëshmojë se kjo shtyllë është e bërë prej arit.”[12]
Me një rast tjetër Abdullah ibn Mubareku thotë:
أفقه الناس أبو حنيفة ، ما رأيت في الفقه مثله.
“Ebu Hanifa është juristi më i madh. Unë nuk kam parë ndonjë si ai në fikh (jurisprudencë).”[13]
Rastet e tilla janë të shumta, që dëshmojnë namin dhe kompetencën e Imam Ebu Hanifës në shkencat islame.
Raporti i Ebu Hanifës ndaj hadithit
Imam Ebu Hanife qëndrimet e tij besimore, por edhe fikhore, pas Kur’anit, i ka bazuar në Sunnet, në burimin e dytë të Sheri’atit. Këtë e ka bërë duke u bazuar në ajetin kur’anor: “E bindjuni Allahut dhe të Dërguarit, ashtu që të mëshiroheni.” (Ali Imran, 132) Përkundër këtij fakti, qarqe të caktuara si në kohën e tij, ashtu edhe aktualisht, trillojnë, shpifin dhe e zhvlerësojnë kontributin e Imam Ebu Hanifës në hadith dhe në përdorimin e hadithit në shkencat islame nga ana e Imamit. Qysh gjatë jetës së tij, ai pati dëgjuar për, kinse, preferimin e analogjisë kundrejt hadithit[14] në çështjet fikhore, me ç’rast pati reaguar prerazi:
“Gënjejnë, për Zotin! Shpifin të gjithë ata të cilët thonë se ne preferojmë analogjinë ndaj sunnetit! Vallë, a ka nevojë të përdoret analogjia kur ekziston teksti i qartë i hadithit?” Imami vazhdon të pohojë: “Ne e kemi përdorur analogjinë vetëm në rast domosdoshmërie dhe këtë, nëse nuk kemi mundur të gjejmë kurrfarë dëshmie në Kur’an, sunnet dhe në praktikën e as’habëve.” [15]
Është e njohur edhe thënia e Imam Ebu Hanifës si përgjigje atyre që përpiqeshin ta denigrojnë atë:
“Nëse hadithi është sahih, ai është medhhebi im.” [16]
Këtë e forcon edhe rasti vijues: I qortuar nga halifi Xha’fer El-Mensuri se po i jep përparësi analogjisë kundrejt hadithit, Ebu Hanifa përgjigjet:
“O sundues i besimdrejtëve! Atë që e ke dëgjuar nuk është e vërtetë. Unë e marr së pari Librin e Zotit, pastaj Sunnetin e Pejgamberit, pastaj vendimet e Ebu Bekrit, Umerit, Uthmanit dhe Aliut, dhe vetëm më pastaj vendimet e as’habëve të tjerë. Por, nëse tek ata gjej qëndrime të ndryshme, unë i drejtohem gjykimit të lirë.”[17]
Dijetarët konsiderojnë se arsyeja që Imam Ebu Hanifa nuk u preokupua me transmetimin e hadithit aq sa u preokupua me të kuptuarit e tij, fikhun e tij dhe mbledhjen e teksteve, konsiston në konfirmimin e meseleve, unifikimin e dispozitave, njohjen e derogimit dhe të deroguarës, të përgjithshmes dhe të veçantës dhe të tërësishmes dhe të përcaktuarës.[18] Kështu patën vepruar edhe Ebu Bekri, Omeri, Uthmani e Aliu (r. a.). Ata qenë në përcjellje të Muhammedit a. s., por nuk shquhen në transmetim të hadithit.[19]
Disa thonë se arsyeja për këtë atak ndaj Ebu Hanifës ka qenë për shkak të kushteve, kritereve rigoroze të Ebu Hanifës në pranimin dhe transmetimin e hadithit. Ka shumë kushte, por disa më kryesoret janë këto:
1. Hadithi refuzohet nëse e kundërshton shkronjën e Kur’anit apo kuptimin e përgjithshëm të një fjale të tij, duke u bazuar në fjalët e Muhammedit a. s.: “Hadithi duhet domosdo të pajtohet me Kur’anin, e nëse e kundërshton Kur’anin, ai nuk është prej meje.”[20]
2. Nëse një hadith është në kundërshtim me hadithin tjetër autoritativ (meshhur).[21]
3. Nëse transmetuesi i hadithit nuk është fakih (jurist).[22]
4. Nëse transmetuesi i hadithit sillet në kundërshtim me hadithin e transmetuar.
5. Nëse hadithi vjen në kundërshtim me hadithin, të cilin e konfirmon edhe analogjia etj.[23]
6. Ka edhe një çështje të cilën e fokuson Kastalaniu në komentin e Sahihut të Buhariut, i cili thotë se arsye me relevancë është edhe qëndrimi i Ebu Hanifës se “imani as nuk shtohet as nuk pakësohet”dhe se “imani përbëhet nga besimi dhe shqiptimi, por jo edhe nga veprimi”. Ky qëndrim i ka shtyrë shumë dijetarë që të kenë qëndrim negativ ndaj transmetimeve të Ebu Hanifës dhe Ebu Hanifës në përgjithësi.[24]
Duke e marrë parasysh se muhadithët apo fakihët e tjerë kishin vendosur rregulla më të lehta për pranim dhe transmetim të haditheve, në pajtim me këtë ata kanë shënuar dhe tubuar më shumë hadithe se sa Ebu Hanifa. Por, ky fakt nuk është tregues se Ebu Hanifa nuk e njeh shkencën e hadithit apo e njeh atë në mënyrë të kufizuar. Përkundrazi, tregon në njohjen solide të shkencës dhe në aftësinë për të diferencuar hadithet e vërteta nga të pavërtetat, apo ato që nuk plotësojnë kriteret për t’u përdorur.
Është me rëndësi të ceket edhe një gjë që e aktualizon Al-lameh Shibli Nu’mani. Ai thekson se koncepti muxhtehid dhe muhaddith janë dy kategori tërësisht të ndryshme. Muhaddithi me vëmendje i hulumton të gjitha llojet e tregimit – udhëzimit, rrëfimit, thëniet për virtytet dhe të dhënat biografike.Muxhtehidi, nga ana tjetër, kryesisht merret me ato transmetime nga të cilat mund të nxirret parimi i ligjit. Për këtë arsye, muxhtehidët shumë më rrallë citojnë transmetime hadithesh krahasuar me muhadithët. Kjo edhe është një arsye me rëndësi përse Ebu Hanifa më pak njihet si muhaddith e më shumë si fakih[25] dhe përse disa manipulojnë me faktet, ndërsa këtë e bëjnë për interesa të ngushta.
Ndër kontributet më të vlefshme të Ebu Hanifës në zhvillimin e shkencës për hadithin është vlerësimi i transmetimeve, në bazë të të cilave ka nxjerrë udhëzime juridike, e në pajtim me hadithin. Burimi parësor i udhëzimeve juridike është Kur’ani, kurse pas tij vjen hadithi. Ndërmjet tyre nuk ka dallim thelbësor-Kur’ani është wahj metlu’ (shpallje e shkruar), ndërsa hadithi është wahj gajru metlu’ (shpallje e pashkruar), por ndërmjet tyre ekziston dallimi në aspekt të dëshmisë. Meqenëse transmetimet ndryshojnë në aspekt të shkallës së dëshmisë dhe ky fakt duhet të merret parasysh gjatë nxjerrjes së udhëzimeve juridike. Klasifikimi i transmetimeve sipas tradicionalistëve në sahih (autentik, i vërtetë), hasem (i mirë), da’if (i dobët), meshhur (mirë i njohur), aziz (i shtrirë i kufizuar), garbi (i rrallë) është i mangët, sepse nuk i vlerëson si burime të urdhëresave juridike. Ata vetëm transmetimet da’ifë i konsiderojnë të pabazuar, duke i lënë të gjithë të tjerët barabartë të pranueshëm. Vlerësimi i tillë për ta nuk ka qenë i domosdoshëm, sepse nxjerrja e urdhëresave dhe udhëzimeve juridike edhe nuk ka qenë detyrë e tyre. Ebu Hanifa ndihej i thirrur ta ndërmarrë këtë punë pioniere në sistematizimin e fikhut. Në pajtim me këtë, transmetimet i ka ndarë në tre grupe:
1) Mutewatir – është hadithi transmetuesit e të cilit në çdo fazë të transmetimit kanë qenë të mjaftueshëm ashtu që nuk ekziston mundësia të pranohet gënjeshtra si e vërtetë.
2) Meshhur – është hadithi transmetuesit e të cilit në të gjitha fazat, përveç fazës së parë, janë po aq të shumtë sikurse edhe në traditën mutevatir.
3) Ahad – është hadithi i cili nuk është as mutevatir, as meshhur.
Deri sa dispozita juridike e nxjerrë nga tradita mutevatir është e plotfuqishme dhe e bazuar, dispozita juridike e nxjerrë nga meshhuri nuk është e plotëfuqishme por, në mënyrë suplementare mund t’i përkufizojë urdhëresat absolute të Kur’anit dhe kështu ta plotësojë. Tradita ahad, meqë autenticiteti i saj është vetëm parashtrim, në asnjë mënyrë nuk ndikon në udhëzimet e qarta të dhëna në Kur’an. Ebu Hanife, duke zgjedhur rrugën e mesme, duke dëshmuar objektivitetin e gjykimit të tij dhe mendjemprehtësinë e mendjes së tij, nuk e ka refuzuar në tërësi tregimin e një personi (siç bënë mu’tezilitët) por as duke i pranuar për përfundimtare (siç bënë tradicionalistët) duke i kuptuar tekstualisht dhe sipërfaqësisht, duke ndjekur rrugën e disa as’habëve, të Omerit (r. a.), Aishes r. a. dhe Abdullah ibn. Mes’udit (r. a.).[26]
Kjo i ka shtyrë disa mosnjohës të realitetit që të konstatojnë gabimisht se Ebu Hanifa shumë vendime i ka marrë me hamendje e jo në bazë të Sunnetit të Pejgamberit të Allahut.[27] Lidhur me të tillët Imam El-Kevtheriu, All-llahu i Madhërishëm e mëshiroftë, thotë:
“Kush mendon se Ebu Hanifa ka ditur pak hadithe apo se ka i përdorur shumë hadithet e dobëta (daif), ai nuk di asgjë nga gjërat që duhet ditur, siç nuk i di kushtet e pranimit të haditheve të caktuar nga dijetarët e mëdhenj (imamët e hadithit). Pos kësaj, ky bën gabim të madh kur njohuritë e imamëve muxhtehidë i mat me peshoren e vet që ka e që me siguri se është e çrregulluar”.[28]
Kompetenca në kritikën e transmetuesve dhe në metodologjinë e studimit të hadithit
Kompetenca e Ebu Hanifës në kritikën dhe vlerësimin e hadithit ofron prova të mjaftueshme për ekspertët që ta klasifikojnë ndër njohësit e jashtëzakonshëm të kësaj disipline. Mendim të këtillë kanë pasur edhe Tirmidhiu, El-Bejhekiu, Imam Edh-Dhehebiu, Hafidh Ibn Haxher El-‘Askalaniu etj.[29]
Madje, Ebu Hanife nuk ishte muxhtehid vetëm në fushën e të drejtës islame, por ishte muxhtehid edhe në fushën e hadithit dhe të fushave të hadithit. Burime të shumta provojnë se Ebu Hanifa ka kontribuar në përkufizimin e metodave të studimit të hadithit, siç është metoda e leximit dhe citimit të hadithit nga ana e nxënësit te mësuesi është më e mirë se citimi i hadithit nga ana e mësuesit te nxënësi.[30]
Po ashtu, lejimi i tij që te leximi i hadithit para mësuesit mund të përdoret shprehja haddethena / na ka treguar, na ka përcjellë dhe ahberena / na ka njoftuar, lajmëruar, me çka i është kundërvënë ‘Abdullah b. El-Mubarekut, Ahmedit dhe Nesaiut, më së miri e vërtetojnë ixhtihadin e tij në këtë fushë. Me metodën e tij janë pajtuar edhe ekspertët nga Hixhazi, Kufa, e sidomos nga Sufjan Eth-Thevriu.
Ebu Hanife iu kundërvu mendimit të Ez-Zuhriut, Esh-Sha’biut, Alkamit, Malikut e të tjerëve, të cilët pohuan se al-munawala,[31] si metodë e studimit të hadithit, është e të njëjtit nivel dhe fuqi sikurse edhe es-sama’[32]. Kjo metodë e tij më vonë u aprovua thuajse nga të gjithë ekspertët e hadithit, sikurse ‘Abdullah b. El-Mubareku, Esh-Shafiu, Ahmed b. Hanbeli, En-Neveviu etj., gjë që që e radhit Ebu Hanifën në shkencëtar të pavarur dhe në këtë shkencë të hadithit.
Ebu Hanifa është i shquar edhe me kontributin e tij të jashtëzakonshëm në bazat e hadithit: në metodologjinë e shkencës së hadithit, në njohjen e njerëzve (transmetuesve) dhe pozitën e tyre, transmetimet nga mësuesit e tyre dhe transmetimet e nxënësve prej tyre. Ebu Hanifa dha kontribut të veçantë në përpilimin e rregullave të hadithit që u trajtuan në shumë libra të metodologjisë së hadithit, që i transmetuan nga njerëzit e këtij lëmi. Muhadithi i mirënjohur, Mes`ud ibn Shejbe es-Senedi, në librin e tij “Et-Ta`lim” shkroi një kapitull të posaçëm që ka të bëjë me këtë çështje dhe tha: “Dije që fjalët e Ebu Hanifës rreth xherhit dhe ta`dilit (dëmtimi apo mosdëmitimi i transmetuesve të hadithit) janë të pranuara, i kanë pranuar dijetarët që merren me këtë lëmi dhe kanë vepruar sipas tyre, sikurse që i kanë marrë nga Imam Ahmedi, Buhariu, Ibn Muini dhe të tjerët.[33]
Meritat e Ebu Hanifës në shkencën e hadithit janë të konsiderueshme, edhe pse të lëna në harresë dhe të pazhvilluara nga ai nivel. Fjala është për meritën e Ebu Hanifës në formulimin dhe aplikimin praktik të parimit të kritikës racionale (dirajat), që nuk ka paralele në historinë e mësimit. Ibn Haxheri lidhur me këtë thotë se fatkeqësisht nuk ka pasur interesim për përpunimin e sistemit të kritikës shkencore dhe nuk janë shkruar vepra të mjaftueshme. Ebu Hanifa fillimet e kësaj kritike i ka gjetur tek as’habët, por që, për fat të keq, në periudhën e mëvonshme, kjo çështje u shty në plan të dytë.[34]
Musnedi i Ebu Hanifës
Imam Ebu Hanifa ka pasur hadithe të shumta. Hafidh Zekerija ibn Jahja në veprën e vet El-Menakib e thekson transmetimin e Jahja ibn Nasir ibn Haxhibit, i cili thotë:
“E kam dëgjuar Ebu Hanifen – e mëshiroftë All-llahu i Madhëruar – i cili ka thënë: ‘Posedoj disa arka plot me hadithe; nuk kam transmetuar prej tyre, përveç pak, që është e dobishme.’”[35]
Po ashtu, El-Muveffiku transmeton se Ibn Xhurejxhiu ka thënë:
“Ebu Hanifja – e mëshiroftë All-llahu i Madhëruar – u përgjigjej meseleve (jepte fetva) duke u mbështetur në bazë të saktë (në ajet kur`anor ose në hadith).”[36]
Hasan ibn Zijadi thotë:
“Imam Ebu Hanifa transmetoi katër mijë hadithe të karakterit juridik (ehadithu’l-ahkam): dy mijë të Hammadit dhe dy mijë të mësuesve të tjerë. Këto hadithe i kishte zgjedhur nga katërdhjetë mijë hadithe, e mëshiroftë All-llahu.”
Ne`im ibn Amri thotë:
“E kam dëgjuar Ebu Hanifën duke thënë: “Çudi, njerëzit thonë: “Unë jap fetva duke u mbështetur në arsyen time, po unë nuk jap fetva vetëm se i mbështetur në hadith!! [37]
Por, vepra më e rëndësishme e Ebu Hanifës në hadith është Musnedi[38], një përmbledhje hadithesh që i atribuohet Imam Ebu Hanifës. Por, ai nuk shkroi një libër të tillë. Atë e mblodhën dhe e shkruan nxënësit e tij, pas vdekjes së tij. Në këtë mënyrë kemi disa vepra të njohura me hadithe të vlefshme:
– KitEbu’l-athar i Ebu Jusufit,
– KitEbu’l-atharu’l-merfu’a, i Muhammed b. Hasan Esh-Shejbaniut,
– KitEbu’l-atharu’l-merfu’a ve’l-mevkufe, i Muhammed b. Hasan Esh-Shejbaniut,
– Musnedi i Hasan b. Zijad El-Lu’lu’it,
– Musnedi i Hammadit, birit të Ebu Hanifës.[39]
Ebu’l-Muejjid El-Havarizmi (vd. 665. h.), i motivuar nga fjalët denigruese të dijetarëve të ndryshëm adresuar ndaj Ebu Hanifës se ai nuk e njeh hadithin, se ai nuk ka vepër hadithesh, se ai nuk i ka kushtuar kujdes hadithit në punën e tij etj., iu përvesh punës dhe pas një angazhimi hulumtues zbuloi 15 musnede të Ebu Hanifës.[40] Puna e tij rezultoi edhe me shumë informacione dhe dëshmi se qyteti Kufa në kohën e Ebu Hanifës ishte qendër shkencore dhe intelektuale. Kjo gjendje ishte qysh nga qëndrimi i Abdullah ibn Mes’udit si guvernator në Kufa, i dërguar nga Umeri (r. a.). Kufa kultivoi frymën intelektuale që pak qytete e posedonin. Po ashtu, vizitat dhe udhëtimet e shumta të Ebu Hanifës në shumë qendra shkencore të asaj kohe flasin vetvetiu se vetëm fanatikët sektarë dhe pseudointelektualët mund ta kontestojnë kompetentësinë e Ebu Hanifës në hadith dhe shkencën e hadithit.[41] ‘Ali b. Ebi Talibi (r. a.), madje qysh më herët, qe fascinuar me ‘Abdullah b. Mes’udin r. a. dhe suksesin e arritur në Kufë: “Ky vend është përplot me dije / hadith dhe fikh.”[42]
Pozita e Imam Ebu Hanifës në shkencën e hadithit
Përkundër kritikave të një numri dijetarësh, shumica e tyre konsiderojnë se Imam Ebu Hanifa është imam në hadith dhe shkencën e hadithit.
Ebu Davud Es-Sixhistani, autor i Sunenit, njërës prej gjashtë përmbledhjeve më të njohura të hadithit, pohon: Allahu e mëshiroftë Malikun, Shafiiun dhe Ebu Hanifën, të cilët ishin imamë në hadith.”[43]
Abdulmelik ibn El-Mubareku për Ebu Hanifën thotë: “Vërtet ai është truri (shpirti) i shkencës (së hadithit).”[44]
Hafidh Edh-Dhehebiu, në veprën Mizanu’l-i’tidal, ka kritikuar muhaddithë të shumtë për shkak të mangësive, por Ebu Hanifën, Shafiun dhe Buhariun nuk i ka përmendur në kontekst negativ. Ngjashëm vepron edhe Hakim En-NejsEburi në veprën e tij të njohur Ma’rifetu ulumi’l-hadith.[45]
Ibn Tejmijje flet me respekt për Ebu Hanifën.[46] E konsideron njërin prej imamëve më të njohur dhe fakih më të ditur dhe më të madh se Tahaviun e të ngjashëm. Në një vend tjetër Ibn Tejmijje cek se të katër imamët kanë qenë imamë në hadith, tefsir, tesavvuf dhe fikh.[47]
Këta dhe kolosë të tjerë të shkencës së hadithit dhe të Islamit, në përgjithësi, janë pajtuar që Ebu Hanifa ka qenë imam edhe në hadith, duke pranuar saktësinë, mbamendjen dhe bazueshmërinë në pranimin dhe transmetimin e hadithit. Në këtë frymë Abdullah b. Davud El-Hurejbiu përfundon: Muslimanët në namazin e tyre duhet t’i lexojnë dua Ebu Hanifës, për shkak të kujdesit, ruajtjes dhe kontributit të tij në sunnet dhe fikh. [48]
Njohjen dhe vlerën e Ebu Hanifës në hadith e spikat edhe Imam Es-Serahsiu:
“Ebu Hanifa ka qenë njohësi më i madh i hadithit në kohën e tij. Mirëpo, për shkak të kriterit të tij rigoroz në aspekt të saktësisë së sasisë dhe kujdesit të madh që transmetimet e dobëta mos të përzihen me ato autentike, pak ka transmetuar hadith.”[49]
Lidhur me këtë Imam Alauddin El-Kasani pohon se haditheve që Imam Ebu Hanifa i ka shpallur për autentike askush pas tij nuk ka mundur t’u gjejë të meta dhe mangësi.[50] Në anën tjetër, Imam Shemsuddin Salih Shafi’iu pohon se Ebu Hanifa bën pjesë ndër hafizët më të mëdhenj të hadithit, duke shtuar se Ebu Hanifa është i pari që nxori zgjidhje sheriatiko-juridike nga hadithi. Ai shton: Si do të mund të nxirrte aq shumë përfundime dhe të zgjidhte aq shumë çështje sheriatiko-juridike, sikur mos t’i kishte kushtuar kujdes të duhur!? [51] Edhe shumë autorë të tjerë kanë dhënë mendimet e tyre të vërtetuara lidhur me Ebu Hanifën dhe kompetencën e tij në shkencën e hadithit.[52]
Në fund e shohim të udhës të themi se shumë muhaddithë, me kalimin e kohës, kanë tentuar ta heqin etiketën si dijetar jo mjaft i udhëzuar në shkencën e hadithit nga Ebu Hanifa që ia patën ngjitur disa fanatikë sektarë dhe rigjidë. Edh-Dhehebiu, Ibn Kethiri, En-Neveviu, Es-Sem’aniu e të tjerë kanë konsumuar shumë kohë që të dëshmojnë se Ebu Hanifa nuk është aspak më i vogël në hadith se sa që ka qenë në fikh.
Në vend të përmbylljes
Imam Ebu Hanifa ishte dijetar i përmasave botërore, që nuk njeh kufij kohorë e hapësinorë, gjuhësorë, racorë apo territorialë. Ai paraqet autoritetin kulmor në shumë shkenca, sikurse janë akaidi, fikhu e hadithi etj. Mënyra e punës së tij i bëri parimet e shkollës së tij ndriçues jo vetëm për pasuesit e tij, por në përgjithësi për muslimanët. Ndodhi që sistemi juridik që e hartoi mexhlisi privat i juristëve, me në krye Ebu Hanifën, të bëhej ligj i vendeve dhe perandorive me shekuj.
Njohja e Ebu Hanifës e hadithit dhe e shkencës së hadithit dhe roli i tij në këtë fushë, përkundër kontestimeve nga grupet apo individët kundërshtarë, janë evidente dhe impozante. Thuajse shumica e autoriteteve shkencore kontributin e tij e vlerësojnë, ndërsa vepra “El-Musned” (e botuar edhe në gjuhën shqipe) paraqet dëshminë më të mirë për konfirmimin tonë.
Me këto mendime nuk pretendojmë të themi se “gjykimet e Ebu Hanifës janë të pagabueshme dhe përfundimtare”, por pretendojmë se “qëndrimet e Ebu Hanifës kanë qenë korrekte, aq sa ka qenë e mundshme për një muxhtehid.” [53]
[1] Imam Ebu Hanife – Nu’man ibn Thabiti (80-150 h./699-767), njëri ndër dijetarët dhe personalitetet më të mëdha që i ka pasur bota muslimane dhe bota në përgjithësi.
[2] Krahaso: Muhammad bin Al-Hasan Ash-Shaybani, The Muwatta of Imam Muhammad, London, 1425/2004, fq. 29 e tutje, sidomos fq. 32.
[3] Sidomos Shkolla e Kufës ishte rigoroze në pranimin e haditheve nga njerëzit e rinj në moshë. Sipas: Al-lameh Shibli Nu’mani, Imam Ebu Hanifa – zivot i djelo, Zagreb, 1996, fq. 20.
[4] Al-lameh Shibli Nu’mani, po aty, fq. 35.
[5] Ibn Abdu’l-Berr, Xhami’u bejani’l-ilmi ve fadlih, 1/45, Daru-l-kitabi ilmijji, Bejrut, pa vit botimi, sipashttp://www.ipf.unze.ba/fileadmin/user_upload/TEKSTOVI/ZBORNIK_6_2_.pdf.
[6] Sipas: Vehbi Sulejman Gavoçi, Imam Ebu Hanife, kryejuristi musliman, pjesa e katërt, dorëshkrim në Logos-A, Shkup, që pritet të botohet gjatë vitit 2012.
[7] Vehbi Sulejman Gavoçi, Imam Ebu Hanife, po aty.
[8] Esh-Sha’rani, El-Mizanu’l-kubra, Hajderabad, India, 1394 h., fq. 83 sipas:http://www.ipf.unze.ba/fileadmin/user_upload/TEKSTOVI/ZBORNIK_6_2_.pdf. Krhs.: Al-lameh Shibli Nu’mani, po aty, fq. 36 etj.
[9] Ukud’ul-Juman, Kreu 10, sipas: Al-lameh Shibli Nu’mani, po aty, fq. 41.
[10] Ibnu Maxheh `Ilm Hadith, fq. 166, sipas: http://alhaadi.org.za/articles/taqleed/1174-a-glimpse-of-imaam-Ebu-haneefahs-rahmatullahi-alayh-expertise-in-the-science-of-hadeeth.html, në:http://breziiri.com/2011/03/09/veshtrim-rreth-njohurive-te-imam-ebu-hanifes-ne-shkencen-e-hadithit.
[11] Edh-Dhehebi, Menakibu Ebi Hanife, botim egjiptian, pa vend dhe vit botimi, fq. 27, sipas:http://www.ipf.unze.ba/fileadmin/user_upload/TEKSTOVI/ZBORNIK_6_2_.pdf.
[12] Al-lameh Shibli Nu’mani, po aty, fq. 42.
[13] Tahdhibut-Tahdhib, vol. 10, fq. 450, sipas: http://alhaadi.org.za/articles/taqleed/1174-a-glimpse-of-imaam-Ebu-haneefahs-rahmatullahi-alayh-expertise-in-the-science-of-hadeeth.html, në:http://breziiri.com/2011/03/09/veshtrim-rreth-njohurive-te-imam-ebu-hanifes-ne-shkencen-e-hadithit.
[14] Shih një analizë të frytshme: Al-lameh Shibli Nu’mani, po aty, fq. 141-147. Muhammad bin Al-Hasan Ash-Shaybani, po aty, fq. 32 e tutje.
[15] Muhammed Ebu Zehre, Ebu Hanife – hajatuhu ve atharuhu ve arauhu ve fikhuhu (Kajro, pa vit botimi), fq. 273.
[16] إذا صح الحديث فهو مذهبي , ابن عابدين في “ الحاشية “ ,1/63 .
[17] Ash-Sha’rani, Kitab’ul-Mizan, vëll. 1, bot. III, Egjipt, 1925, fq. 92-93. Një version të ngjashëm e thekson edhe Muhammed Ebu Zehre, po aty, fq. 274.
[18] Vehbi Sulejman Gavoçi, Imam Ebu Hanife, po aty.
[19] Po aty.
[20] Ahmed Emin, Duha’l-islam, II, botimi IX, Kajro, 1979, fq. 186.
[21] Ibrahim Dzananovic, Idztihad u prva cetiri stoljeca islama, Sarajevo, 1986, fq. 65.
[22] El-Mekkij, I, fq. 163, sipas: Ahmed Emin, II, po aty, fq. 190.
[23] Sipas: Nexhat Ibrahimi, Vepra 5, Shkup, 2009, fq. 462-264. Konsulto gjerësisht: Mustafa Es-Sibai, Es-Sunnetu we mekanetuhu fi’t-teshri’i’l-islam, Bejrut, 1976, fq. 422-423.
[24] Al-lameh Shibli Nu’mani, Imam Ebu Hanifa – zivot i djelo, Zagreb, 1996, fq. 119.
[25] Al-lameh Shibli Nu’mani, po aty, fq. 42-43.
[26] Al-lameh Shibli Nu’man, po aty, fq. 150-158.
[27] Disa dijetarë harrojnë se imamët e mëdhenj përfundimet e tyre fikhore nuk i kanë bazuar në transmetime të pasigurta. Në këtë frymë ka vepruar edhe Imam Maliku, i cili i kundërshton mbi 70 hadithe joautentike, duke e përdorur analogjinë në vend të tyre. Shih: Muhammed Muhammed Ebu Zehv, El-Hadithu ve’l-muhaddithune ev ‘inajetu’l-ummeti-islamijje bi’s-sunneti’n-nebevijje, Daru-l-kitabi-l-‘arebi, Bejrut, 1984, fq. 286, sipas: http://www.ipf. unze. ba/fileadmin/user_upload/TEKSTOVI/ZBORNIK_6_2_.pdf.
[28] Sipas: Vehbi Sulejman Gavoçi, Imam Ebu Hanife, po aty.
[29] Tirmizi, KitEbu’l-‘ilel, i shtypur së bashku me Sunenin e tij, 5/696. El-Bejheki, Delailu’n-nubuvve, 1/43-46. (botim i Bejrutit, 1405 h.). Zafer Ahmed el-Osmani Et-Tehanevi, I’lau’s-sunen, Idaretu’l-Kur’ani ve‘l-‘ulumi’l-islamijje, Karaçi, Pakistan, 1985, fq. 332. Edh-Dhehebi, Mizan al-i’tidal, 1/380. Ibn Haxher,Tehdhibu’t-tehdhib, 1/670. (Botimi: Mu’essesetu’r-risale, Bejrut, 1996). Krhs.: Et-Tahanevi, po aty, fq. 332. Muhammed Abdurreshid En-Nu’mani, Mekanetu’l-Imam Ebi Hanifete fi’l-hadithi, Daru’l-beshairi’l-islamijje, Bejrut, 1995, fq. 66-67.
[30] Shih gjerësisht për këtë: Es-Sujuti, Tedribu’r-ravi, 2/10 dhe Zafer Ahmed el-Uthmani Et-Tehanevi,I’lau-s-sunen, po aty, fq. 332.
[31] El-Munawala (Dorëzimi) ndodh kur mësuesi i jep nxënësit të vet ndonjë përmbledhje të hadithit dhe i deklaron se ai këto hadithe i ka dëgjuar prej mësuesve të vet. Në këtë rast nxënësi këtë përmbledhje munde ta përshkruajë ose eventualisht ta mësojë përmendsh dhe ato hadithe pastaj t’i transmetojë prej mësuesit përkatës. Shih: Mehmed Hanxhiq, Hyrje në shkencën e hadithit, Logos-A, Shkup, 1417/1997, fq. 49.
[32] Es-Sam’a (Dëgjimi) ndodh kur nxënësi ta dëgjojë hadithin nga goja e mësuesit, qoftë ky ta shqiptojë nga mbamendja apo nga libri. Sipas: Mehmed Hanxhiq, po aty, fq. 48-49.
[33] Vehbi Sulejman Gavoçi, Imam Ebu Hanife, po aty.
[34] Al-lameh Shibli Nu’mani, po aty, fq. 140-141 e tutje.
[35] Vehbi Sulejman Gavoçi, Imam Ebu Hanife, po aty.
[36] Shih: Menakibu el-Muveffik, 1/95-96, sipas: Vehbi Sulejman Gavoçi, Imam Ebu Hanife, po aty.
[37] Vehbi Sulejman Gavoçi, Imam Ebu Hanife, po aty.
[38] Gjatë vitit 2009 me angazhimin e Rrustem Spahiut, edhe në gjuhën shqipe e kemi veprën El-Musned të Imam Ebu Hanifës (Dr. Fuad Sediq, Musnedi i Imam Ebu Hanifes, Prishtinë, 2009, fq. 288).
[39] Kemi edhe musnede të tjera, si atë nga: El-Vehbiu, El-Harisi, El-Buhariu, Ibn el-Muzafferi, Muhammed b. Xha’fer al-‘Adli, Ebu Nu’ajm El-Asbehaniu, Ebu Bekr Muhammed b. ‘Abdulbaki El-Ensariu, Ibn ebi El-‘Avvaam Es-Sa’diu, Ibn Husrew el-Belhiu, Ebu el-Muejjid Muhammed b. Mahmud El-Hawarizmi dhe Ibn ‘Ukde. Po ashtu, ekziston edhe musnedi i Darekutnit, Ibn Shahinit dhe i Hatib el-Bagdadit. Shih: M. Es-Siba’i, po aty, fq. 413-415.
[40] M. Es-Siba’i, po aty, fq. 414.
[41] M. Es-Siba’i, po aty, fq. 415. Muhammed Ebu Zehre, po aty, fq. 146. M. Hanxhiq, po aty, fq. 23.
[42] M. Es-Siba’i, po aty, fq. 416. Vehbi Sulejman Gavoçi, Imam Ebu Hanife, po aty.
[43] Ibn Abdu’l-Berr, po aty, 2/163.
[44] Muhammed Ebu Zehreh, po aty, fq. 374.
[45] Ma’rifetu ulumi’l-hadithi, fq. 240-249, sipas: http://www.ipf.unze.ba/fileadmin/user_upload/TEKSTOVI/ZBORNIK_6_2_.pdf .
[46] Ibn Tejmijje, Minhadžu’s-sunneti’n-nebevijje, 4/194-195.
[47] Ibn Tejmijje, po aty, 1/172-173.
[48] En-Nu’mani, Mekanetu’l-Imam Ebi Hanife fi’l-hadithi, fq. 32.
[49] Es-Serahsi, Usulu’l-fikh, 1/350. (Botim: Daru’l-kitabi’l-arebi, 1372 h.) Krhs.: En-Nu’mani, Mekanetu-l-Imam Ebi Hanife, fq. 57
[50] El-Kasani, Beda’i-sana’i fi tertibi’sh-shera’i, 2/97. (Botim egjiptian, 1327 h.). Krhs.: En-Nu’mani, Mekanetu-l-Imam Ebi Hanife, fq. 58, sipas: http://www. ipf. unze.ba/fileadmin/user_upload/TEKSTOVI/ZBORNIK_6_2_.pdf.
[51] Shih: En-Nu’mani, Mekanetu’l-Imam Ebi Hanife, fq. 66.
[52] Shih: Ikdu’l-xhevheri-s-semin, fi erbe’ine hadithen, min ehadithi sejjidi’l-murselin, fq. 4-6. (Botim egjiptian, 1322 h.); Mekanetu’l-Imam Ebi Hanife, fq. 66-67.
[53] Al-lameh Shibli Nu’man, po aty, fq. 223.