
Drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, z. Faton Alija së bashku me komandantin e Policisë së Prizrenit, z. Nexhdet Mrasori, e vizituan Këshillin e Bashkësisë Islame të Prizrenit.
Ata u mirëpritën nga kryetari i KBI-Prizren, Valon ef. Ibrahimi së bashku me kryeimamin Orhan ef. Bislimaj e sekretarin Faruk ef. Ukallo.
Drejtori Alija e uroi kryetarin Ibrahimi me rastin e ardhjes së Muajit të Ramazanit, duke i dëshiruar agjërim të lehtë të gjithë besimtarëve islamë.
Po ashtu, gjatë takimit u trajtua edhe rasti i mbrëmshëm, ku një person u pa në media duke dëmtuar Kur’anin Fisnik në rrugën e Saraçve në Prizren. Drejtori I Policisë, z. Faton Alija shprehu keqardhje për rastin dhe njëkohësisht se konfirmoi se personi në fjalë është identifikuar dhe tashmë është arrestuar.
Në emër të KBI-Prizren, kryetari Valon ef. Ibrahimi e falënderoi Drejtorin dhe Policinë e Kosovës për efikasitetin e treguar në këtë rast.
Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit shpreh indinjatën e thellë për aktin e dëmtimit të Kur’anit dhe kërkon nga organet kompetente që rastet e tilla, që nxitin urrejtje fetare, etnike, racore e kombëtare, të trajtohen me prioritet të veçantë.