Më datë 28.09.2014 ( e diel), banorët e fshatit Gjonaj të Hasit të Prizrenit patën një gëzim të veçantë, pasiqë, në këtë ditë, ndodhën dy evenimente: 1) U vendos gurthemeli I xhamisë së Re në fshatin Gjonaj, dhe 2) U përuruan punimet në xhaminë e vjetër.
Fshati Gjonaj numron mbi 500 familje, ndërsa deri më tani e ka patur një xhami, e cila ka qenë në gjendje shumë të dobët fizike. Por, me iniciativë të Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit, dhe me përkrahje të xhematit, punimet për meremetimin e xhamisë së fshatit patën filluar në vitin 2013. Xhamia është meremetuar në mënyrë gjenerale, si dhe i është ndërtuar edhe minareja, e cila ka qenë e rrënuar prej kohësh.
Përveç kësaj, tashmë në Gjonaj është vendosur edhe gurthemeli I xhamisë së re, në pjesën ku shtrihet pjesa eposhtme e fshatit.
Në tubim, përveç shumë besimtarëve të rajonit të Hasit, morën pjesë zyrtarët e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës: Reshat ef. Mexhiti – zëvendës I Myftiut të Kosovës; Resul ef. Rexhepi – Sekretar i përgjithshëm i BIRK-ut; Sabri ef. Bajgora – Kryeimam i BIRK-ut, dhe Ekrem ef. Simnica, drejtor për diasporë i BIRK-ut. Po ashtu, në tubim morën pjesë edhe zyrtarët e Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit Lutfi ef. Ballëk dhe Orhan ef. Bislimaj. Moderimin e tubimit e bëri Orhan ef. Bislimaj, I cili e ftoi Daut ef. Lezin për të lexuar një pjesë nga Kur’ani Kerim. Pastaj, në emër të fshatit të pranishmit i përshëndeti imami i xhamisë Iljaz ef. Hoxha. Me një përshëndetje zyrtare, të pranishmit i përshëndeti kryetari i KBI-së Prizren, Lutfi ef. Ballëk. Ndërsa, në emër të Kryesisë së BIRK-ut, të pranishmit i përshëndeti Reshat ef. Mexhiti dhe Resul ef. Rexhepi, të cilët i përcollën te xhemati selamet e Myftiun Naim ef. Tërnava, dhe të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës. Pas ceremonisë solemne, për të gjithë të pranishmit u shtrua një koktell, si dhe ushqim. (O.B.)